Një formacion i Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit nga Tirana bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës janë bashkuar për t’i dhënë frymë veprës, me mexosopranon Vikena Kamenica si soliste, e cila njëherësh është edhe bartëse e këtij projekti. Ndryshe prej Tiranës, ku ritëm iu dha edhe me trupën e baletit, në Prishtinë ka ardhur në formë koncertale, dirigjuar prej Sergio Alapontit, duke ruajtur të njëjtën freski që ka “Misa a Buenos Aires” e Martin Palmerit
Nuk hyn tek ato mbrëmjet e gjata koncertale, por për më pak se një orë sjell një meshë interesante. Preket nga tangoja e Buenos Aires dhe fakti që ky stil muzikor bashkohet me liturgjinë, e bën veprën të rrugëtojë midis muzikës klasike e frymës së haresë. Në njëfarë forme, mesha latine vjen nëpërmjet gjuhës së tangos.
Filharmonia e Kosovës para tetë vjetësh e ka luajtur “Misa a Buenos Aires” (Misatango) të Martin Palmerit. E të hënën mbrëma, vepra është kthyer në Prishtinë, por me një tjetër përbërje të orkestrës. Një formacion i Orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit nga Tirana, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës, janë bashkuar për t’i dhënë frymë veprës. Mexosopranoja Vikena Kamenica qe soliste.
Në Tiranë vepra para pak ditësh ka pasur tjetër ritëm. Nën koreografinë e Enada Hoxhës balerinët atje kanë plotësuar veprën duke sjellë kërcimin tango. Vepra ka marrë edhe karakter dramatik. Kurse në Prishtinë ka ardhur në formë koncerti. E ka ruajtur ritmin dhe energjinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVepra muzikore sakrale kërkon edhe instrumentin e veçantë bandeneonin në të cilin ka luajtur Joao Gentil, përderisa në piano qe Igli Rapaj. Këto dy instrumente janë kyçe në projektin e nisur nga Kamenica, e cila në Tiranë ka bërë edhe regjinë.

Energjia e Vikena Kamenicës është e nivelit për t’ua dhënë ngjyrën e tangos edhe këngëve liturgjike. “Kyrie”, “Gloria”, Credo”, “Sanktus” e të tjera në këtë vepër vijnë në tjetër frymë. Nën dirigjimin e Sergio Alapontit, koncerti ka sjellë freski në Atelienë e Pallatit të Rinisë. Energjia ritmike e krejt koncertit ka bërë publikun që të futet në botën argjentinase të stileve. Publiku kësaj radhe s’ka qenë ai që gjithnjë është në koncertet e Filharmonisë së Kosovës. Në numër qe pak më i zbehtë.
Kamenica një mexosoprano me përvojë ka “provokuar” edhe me interpretime si “Maria de Buenos Aires”. Para tetë vjetësh soliste qe Arta Jashari.
“Ishte një energji shumë e mirë dhe jam e lumtur për këtë koncert. Në Tiranë ka qenë më dramatike pasi qenë edhe balerinët dhe solisti mund të lëvizte nga skena ku bashkë me mizanskenat bënë që ndjeshmëria të rritet”, ka thënë Kamenica. Sipas saj, koncerti në Prishtinë qe po ashtu i veçantë.
“Bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit nga Tirana sonte sollëm një koncert të bukur ku energjia ishte shumë e mirë”, ka thënë Kamenica.
Rrugëtimi i veprës sa merr trajtë krejt meshtare, ngjyroset me tangon duke krijuar për publikun një mbrëmje muzikore me thellësi shprehëse. Mjeshtri Sergio Alapont, si dirigjent është pasionant për këtë vepër.
“Është një projekt ku jam ftuar të marr pjesë dhe ftesën e kam pranuar me kënaqësi. Është një meshë e veçantë. Definitivisht, Kori i Filharmonisë së Kosovës është prej koreve të shkallës së parë sa u përket interpretimit dhe vullnetit që kanë. Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë ai. Koncertin e ka përshkruar si diçka shumë të bukur.
“Energjia këtu ishte shumë e mirë dhe dy institucionet që e mundësuan këtë bënë shumë mirë. Jam i lumtur që iu bashkova këtij projekti të nisur nga solistja Kamenica”, ka thënë ai.
E kompozuar në vitin 1996 nga kompozitori argjentinas, Martín Palmeri, kjo vepër paraqet tekstin tradicional të meshës katolike në latinisht, duke e pasuruar atë me gjuhën muzikore të tangos. E lindur në qytetin e Buenos Aires, tangoja përbën thelbin stilistik të kësaj vepre, duke sjellë një dimension të ri emocional dhe ritmik në muzikën sakrale. Përmes përdorimit të korit, solistes dhe një ansambli instrumental që përfshin bandoneonin – instrument ky simbol i muzikës tango – kompozitori nëpërmjet veprës krijon një atmosferë të fuqishme, dramatike dhe thellësisht ekspresive.
“Misatango”, siç njihet vepra ndryshe, shquhet për kontrastin midis solemnitetit të tekstit fetar dhe gjallërisë së ritmeve të tangos, duke ndërtuar një urë mes asaj që konsiderohet e shenjtë dhe asaj që është tokësore. Kjo vepër është interpretuar në skena të ndryshme ndërkombëtare dhe ka fituar vlerësim të gjerë për origjinalitetin dhe ndikimin e saj artistik. Madje, është luajtur edhe në prestigjiozen “Carnegie Hall” në New York.
Në thelb, “Misa a Buenos Aires” është një dëshmi e fuqisë së muzikës për të bashkuar kultura dhe stile të ndryshme, duke krijuar një përvojë unike artistike dhe shpirtërore.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se i janë bashkuar këtij projekti, meqenëse bëhet fjalë për një bashkëpunim më të gjerë.
“Në Tiranë ka qenë i përfshirë edhe Baleti, por këtu shkaku i hapësirave, e kemi sjellë në formë koncertale. Në të ardhmen nëse solistja Kamenica e vazhdon idenë me një trilogji ku do të thotë koncerti mund të jetë më i gjatë do të mund të rrisnim edhe bashkëpunimin”, ka thënë ai. Para tetë vjetësh kjo vepër në Prishtinë qe dirigjuar nga Kushtrim Gashi. Kësaj radhe, për dallim nga adaptimi i atëhershëm në ansamblin e instrumenteve qe edhe bandeneoni, që është edhe instrument identifikues i tangos për të kthyer Atelienë në një hapësirë ku bashkëjetojnë qiellorja e tokësorja.