Kulturë

“Moda ekstreme” në epokën digjitale cenon edhe trashëgiminë kulturore

Konstatim i prerë është se teknologjia i ka dhënë kah tjetër edhe modës, veçmas raportit të njeriut me të. Veshja nuk ka të bëjë më vetëm me stil, është diçka përtej, identitet po se po, por jo vetëm. Antropologu Adam Drazin e kundron shkencërisht këtë transformim. “Moda ekstreme” tashmë është edhe një koncept shkencor që fut në lojë rëndësinë që kanë veshjet për njerëzit, trashëgiminë kulturore dhe problematikën e konsumerizmit nëpërmjet “modës së shpejtë”

Integrimi i teknologjive të reja në fushën e modës është bërë subjekt i parezistueshëm studimi për perspektivën antropologjike. Teknologjia edhe në modë, ka ndryshuar thellësisht mënyrën se si individët angazhohen dhe perceptojnë veshjet dhe stilin personal, duke futur në ekuacion rëndësinë që kanë veshjet për njerëzit, trashëgiminë kulturore dhe problematikën e konsumerizmit nëpërmjet “modës së shpejtë”.

Pikërisht këto kanë qenë disa nga pikat që ka prekur antropologu Adam Drazin, profesor në Universitetin UCL në Londër, në ligjëratën në temën “Extreme Fashion: The Sensuality of Digital Experiences and Materials” (Moda ekstreme: Ndjeshmëria e eksperiencave digjitale dhe materialeve), të mbajtur të enjten pasdite në Departamentin e Antropologjisë në Fakultetin Filozofik. Çështjet që hap ai nuk shtrihen vetëm në rrafshin e antropologjisë, e për këtë në diskutim janë përfshirë edhe artistë e disenjatorë mode.

Ligjërata e tij bazohet në punën hulumtuese në antropologjinë e dizajnit me projektin hulumtues të biznesit të modës, tekstilit dhe teknologjisë (BFTT Research Cluster) mbi mënyrat e paraqitjes së tekstileve, rrobave dhe stileve të veshjes në formë digjitale. Ai ka dhënë shembuj se si rikonfigurohen vlerat kulturore rreth inovacionit.

Veshjet digjitale i bëjnë stilet e veshjeve shumë më të qasshme në jetën e përditshme që nga nxjerrja në pah e trashëgimisë së modës në arkivat e muzeut, deri tek aftësimi i njerëzve për të negociuar ekonomitë e veshjeve të modës së re, veshjeve të ricikluara dhe atyre të dorës së dytë. Përvoja e modës digjitale ngre çështje, provokon debate dhe stimulon tensione midis pjesëmarrësve të ndryshëm në dizajnin e saj: stilistëve teknikë, kuratorëve të modës, stilistëve dhe “përdoruesve” të modës. Të gjithë hisedarët në këtë mes, të nxitur nga shqetësime institucionale, personale, profesionale dhe materiale, e konsiderojnë veten se po punojnë në “ekstremet e modës”. Ligjërata është koncentruar “te pesha e peizazheve sensoriale të dizajnit dhe modës, duke dhënë një qasje të re rreth antropologjisë së dizajnit dhe sensorialitetit”, siç është shkruar në njoftimin e Departamentit rreth temës së diskutimit me Drazinin, i cili ua mundësoi të pranishmëve një zhytje në dinamikat e zhvillimit të modës bashkëkohore dhe marrëdhënien e saj me rrjedhat digjitale.

“Dua që sot të ndaj me ju diçka nga puna jonë konkrete rreth kësaj teme, me muzeun ‘Victoria and Albert’ në Londër. Shpresoj që sot të arrijmë të identifikojmë bashkërisht problemin, problemin kulturor që del në pah përmes temës”, e ka nisur ai diskutimin duke paralajmëruar se në këtë mes shtjellohet edhe se si dizajnimi i veshjeve paraqitet si problem për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Ka shpalosur shembuj se si një instalacion kombinon teknologjinë inovative të kapjes së lëvizjeve, simulimin e veshjeve, renderimin e materialeve dhe teknologjinë e shfaqjes. Aty lëvizjet e trupit regjistrohen përmes teknologjisë dhe pastaj ato përkthehen në një avatar me kostum të veshur me veshjet fluide të disenjatores britanike, Maria Grachvogel. Ekspozita “Made in Code” pjesë e së cilës ishte dhe vetë Drzin qëmton mënyrat se si kuptohen veshjet në muze dhe se si mund të përzihen së bashku shkathtësitë teknike dhe krijuese për të kapur përvoja të reja dhe tërheqëse përmes muzeve dhe inkuadrimit të prototipave të ekspozimit që paraqesin prurje inovative.

“Kur bëhet një gjë e tillë në muze, një qasje e re, muzeu bëhet një hapësirë ku çdokush mund ta rimendojë vetë kulturën. Ka mënyra të reja të të ndjerit të cilat nuk paraqiten vetëm si shqisa, si emocione, por si ndjenja për botën të cilat mund të interpretohen si një vetëdije e re”, ka thënë ai duke ndarë detaje të tjera rreth punës me këtë ekspozitë.

Projekti ambicioz kishte zgjatur katër vjet deri në realizim dhe kishte një kosto prej pesë milionë funtesh. E ka cilësuar si të suksesshme duke u nisur nga fakti se ishte një mundësi e re e ndërveprimit të njerëzve me prurjet e reja teknologjike e cila ofron hapësirë për të studiuar mënyra efikase të sensibilizmit për çështje të ndryshme.

instalacion i cili sipas tij ishte teknikisht mjaft kompleks, arriti të ofronte dhe një kontribut tjetër rreth studimit si tërësi, përmes metodave antropologjike.

“Pasi dilnin vizitorët nga ekspozita unë i intervistoja ata duke i pyetur se si ndiheshin pas ekspozitës e cila më ofroi ide të ndryshme mbi perceptimet e njerëzve me këtë qasje të re e cila përtej dizajnit dhe funksionaliteti të veshjeve ofroi një observim më të thellë të çështjes”, ka thënë ai.

Gjatë seminarit, Drazin ka ndarë edhe punën e tij hulumtuese në Suceava të Rumanisë, ku ndau rastin e “bluzës tradicionale rumune” dhe idenë se si ajo ishte një artefakt me karakter emergjent sepse cenohej nga kopjet e saj që prodhoheshin si artefakte të reja.

“Këto artefakte janë të bëra jashtë Rumanisë, nuk janë unike, nuk janë autentike. Muzetë atje nuk i pëlqejnë ato fare, shumë gra me të cilat kam folur atje i përjashtojnë ato, por ato rikrijme i shohim çdo kund”, ka thënë Drazin, duke shtuar se kjo veshje tradicionale rumune riprodhohet në Kinë, Turqi, e Indi në mënyrë masive, dhe si e tillë ka rrezikuar humbjen e autenticitetit të saj.

“Pas vlugut të këtij prodhimi masiv të veshjes, muzeu lokal i zonës dhe disenjatorë të ndryshëm ngrenë zërin duke thënë se ato nuk ishin bluzat tradicionale dhe ndërmorën iniciativa të ndryshme në ruajtjen dhe preservimin e saj”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit u angazhuan në bisedë, duke shtruar pyetje dhe duke ndarë perspektivat e tyre mbi natyrën e zhvillimit të modës në epokën digjitale.

Drazin e ka përfunduar ligjëratën në kuadër të “Seminarit të Antropologjisë” me pyetjen tjetër e cila vë në pah idenë e sensorialitetit, se ku përfundon dizajni material dhe ku fillon ai sensorial i cili përfshin përvojën njerëzore në raport me sendin, në këtë rast veshjen. Kësisoj ka nxitur edhe një herë mendimin kritik rreth fuqisë transformuese të teknologjisë dhe pasojave të saj në lidhje me ndërveprimin e njeriut me modën në këtë shekull.