Galeria e Arteve të Prishtinës, dikur me peshë në artin pamor, sot edhe me atë historike që përthekon edhe kapitullin kur u mbyll dhunshëm në vitet ’90, ka bashkuar artistët vendorë me Ekspozitën Vjetore të Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës. Edhe një ekspozitë si kjo është vazhdimësi tradite: shndërrohet në pasqyrë të krijimtarisë aktuale por vernisazhi i saj të mërkurën mbrëma ka pasur edhe “ngjyrat” e lojës me çmime. Në mesin e të shpërblyerve ka qenë edhe kryetari i Asociacionit me “Kompozicion” dhe kjo ka mjaftuar për debate ironike midis kolegëve. Anash kësaj, ekspozita është një ngjarje që përcjell trendët e artit vendor
Në pranverën e vitit 1990, Esat Valla do të hapte ekspozitë personale në atë që ishte Galeria e Arteve në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve. Në ditën e mbylljes së ekspozitës së Vallës, të hapur nga Shoqata e Artistëve të Kosovës, do të mbyllej Galeria. Valla mban mend se kur mbërriti në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve për të marrë punimet, pa se dyert e Galerisë qenë mbyllur me zinxhirë e dry.
Prej asaj kohe Galeria qëndroi e mbyllur deri në dhjetorin e vitit të kaluar. Të mërkurën mbrëma Valla është kthyer në të njëjtin vend. Tash për të marrë pjesë në Ekspozitën Vjetore të Anëtarëve të Asociacionit të Artistëve Vizualë të Kosovës, që e ka pasur Shoqatën e dikurshme të Artistëve të Kosovës.
Ekspozita ka mbledhur mbi 50 artistë me veprat e tyre. Është një pasqyrë e mirë e punës që bëjnë aktualisht artistët vizualë të Kosovës. Tash e shtatë vjet – çdo dhjetor me përjashtim të kësaj radhe kur ngjarja është shtyrë – Asociacioni ekspozon nga një vepër të shumicës së anëtarëve të vet. Janë tema, preokupime e teknika të ndryshme që hedhin dritë mbi botëkuptimet aktuale të artistëve. Normalisht, siç është bërë gati e pashmangshme, familjarizimit e lojës me çmime nuk i shpëton as Asociacioni.
Veprat e formateve të ndryshme e kanë kthyer Galerinë – e inauguruar për herë të parë më 1979 si Galeri e Arteve, pasuar më vonë prej Galerisë së Arteve të Kosovës që më 1999 u zhvendos aty ku është sot – që tash funksionon në kuadër të Komunës së Prishtinës dhe menaxhohet nga Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës në hapësirë që duket si mozaik i ndërtuar nga mbi 50 artistë.
Juria në përbërje të Agim Salihut, Faik Krasniqit e Genc Rezniqit ka ndarë pesë çmime të cilat nuk janë renditur për nga rëndësia e as nuk janë kualifikuar me vende. Esat Valla, Kamuran Goranci, Lirije Bulliqi, Musa Kalaveshi, Muhamet Ahmeti janë laureatët e sivjetmë.

“Kjo i bie të koritesh në shtëpinë tënde”, ka komentuar një profesor universitar i artit kur është thirrur emri i Kamuran Gorancit pasi i njëjti si kryetar i Asociacionit ka ekspozuar e po ashtu i është ndarë çmim. Në ekspozitë janë disa punime të anëtarëve të Asociacionit që janë familjarë të Gorancit e po ashtu, kjo organizatë në staf udhëheqës ka një familjare të tij.
“Urime për sivjet, për vitin tjetër e tjetrin... pasi ju jeni drejtor”, i ka thënë Gorancit një tjetër profesor universitar, përderisa ai është shprehur se nuk ka pasur dijeni se do t’i ndante çmim juria që e ka emëruar vetë.
Përtej kësaj zallamahie, ekspozita sikurse edhe Galeria kanë vlera jo të vogla. Nëse shikohen me kujdes, të paktën 10 vepra prej afro 60 sa janë krejt kanë peshë estetike e konceptuale.
“Qëllimi i kësaj ekspozite është që t’i stimulojmë artistët që krijojnë në dy vitet e fundit, ky është i vetmi kriter. Kjo ekspozitë fillin e ka nga Shoqata e Artistëve dikur e që si Asociacion jemi pasardhës të asaj Shoqate”, ka thënë në hapje kryetari i Asociacionit, Kamuran Goranci. Ka treguar se kësaj radhe ka më tepër pjesëmarrës dhe anëtarë të rinj që janë të suksesshëm.
“Kësaj radhe kemi një kolazh ose një konkurrencë shumë të larmishme nga të gjitha gjeneratat. U uroj të gjithë pjesëmarrësve sukses pa marrë parasysh nëse janë shpërblyer apo jo”, ka thënë ai. Ka falënderuar disa herë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama – i cili s’ka qenë i pranishëm – për hapjen e Galerisë që menaxhohet nga Asociacioni.
“Suksese në të ardhmen!”, ka uruar Goranci kolegët.
Vepra e tij qëndron afër asaj të Esat Vallës të cilit i është thirrur emri të parit kur janë ndarë çmimet. Vlerësimet sivjet janë edhe nga një vlerë simbolike monetare. Vepra e Vallës është prej ciklit “Portat”. Mban numrin 157. Është aso porte e drunjtë në mur dhe mban shenjat që tregojnë se e ka bjerrë koha. “Flet” për të treguar se ka kohë që nuk është hapur e po ashtu dëfton se brenda saj ka pasur një dramë familjare.
“Kjo është një nga eksponatet e fundit të paraqitura. Janë dyer që nuk flasin dhe nuk heshtin. Secila derë e ka numrin e vet, pasaportën e vet. Brenda derës është një kohë e ndalur për atë familje. Ajo mund të jetë e shpërngulur, e persekutuar ose që të gjithë janë vrarë”, ka thënë Valla.

Krejt historia e portave të Vallës kishte nisur në një koloni artistësh në Prizren para afro dy dekadash. Secili nga pjesëmarrësit regjistronte me brushë nga një pjesë të qytetit jugor. E një shëtitje e vogël e Vallës nëpër qytetin buzë Lumëbardhit do të shërbente për ta nisur një cikël punimesh. Ishte data 5 maj, një ditë para Shëngjergjit, një festë për shumëkënd pagane, por e përhapur edhe ndër shqiptarë. Për ta festuar ardhjen e verës portat e dyert e jo pak shtëpive në njërin prej qyteteve të bukura në Kosovë ishin zbukuruar me gjethe të njoma. E prej aty “Portat” e Vallës shpërfaqin shumë histori e mite. Profesori universitar i lindur më 1944, të mërkurën ka thënë se është shumë mirë që Shoqatës së dikurshme i është kthyer prestigji.
“Sot mund të kremtojmë pasi ka qenë një e kaluar e dhimbshme me mbylljen e Galerisë”, ka thënë ai.
Eshref Qahili po ashtu profesor universitar është themelues i galerisë “Qahili” në periferi të kryeqytetit. Ai ka thënë se Galeria e hapur muajin e kaluar ka një histori me peshë.
“Sa e di unë një sondazh e ka nxjerrë këtë si një prej galerive më të vizituara në ish-Jugosllavi”, ka thënë ai. Sipas Qahilit, nëse bash për asgjë nuk do të mbahet mend kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, atëherë do të mbahet mend për rihapjen e kësaj Galerie.
“Uroj që artistët të jenë sa më aktivë dhe të bëjnë ekspozita në këtë hapësirë”, ka thënë Qahili.
Ekspozita midis të tjerësh bashkon veprat e Musë Prelvukajt, Haxhi Kastratit, Gembi Xerxës, Blerta Syla-Surroit, Bardha Buzës, Erzen Valës, e Axherko Myzelxhiut. Janë koncepte të ndryshme që shpërfaqin interesimet e rrymat që prekin artistët vendorë.