Kulturë

Policia e mendimit edhe në gazetën më të mirë në botë

Pse u përjashtua nga puna një gazetar veteran i “New York Times”?

Moda e viteve të fundit në botën e ashtuquajtur liberale, majtiste, humane është kjo: “gjuha korrekte politike”. Sipas kësaj dogme, asnjë fjalë nuk guxon të lëndojë askënd. Paçka se shpesh nuk është në pushtetin e folësit se çka e përjeton apo percepton dikush, tjetri, si lëndim. Të ndihesh i lënduar nganjëherë është edhe çështje krejt subjektive.

Nëse disa njerëz në New York thonë: “Ne s’ndihemi as burra, as gra, andaj duam një tualet për ‘gjininë e tretë’”, atëherë skeptikët dhe kritikët duhet të kenë kujdes. Po thanë diçka kundër kësaj ideje, është e mundshme që guerilja superliberale, supermajtiste, superhumane, superfeministe t’i gozhdojë në kryqin e Twitterit. Pamëshirshëm. (Këtu bëhet qartë dallimi mes aktivisteve dhe aktivistëve që sinqerisht angazhohen për barazi të gjitha grupeve shoqërore. Një angazhim fisnik).

Çka nuk shkon, çka është toksike, absurde dhe gjithnjë e më shumë primitive, është kjo: kur një shtresë e policisë mendore etiketon çdokënd edhe për një fjalë që nuk e ka thënë apo kur e ka thënë, këtë e ka bërë në një kontekst jodiskriminues. Të moshuarve, atyre mbi 60-vjet, përpos sharjeve (“shitstrom”), u ngjitet edhe etiketa e “Old White Man”, plak i racës së bardhë, rrjedhimisht i privilegjuar, demek pa meritë. S’ka lidhje nëse njeriu ka pasur sukses me meritë në karrierë dhe punën e ka kryer me nder. Tash, sipas gueriles kinse urbane dhe supersensitive, ngjyra e bardhë dhe suksesi në karrierë mund të (keq)përdoren edhe si stigmë, gjoja në emër të mbrojtjes së të drejtave të pakicave.

Një shembull tronditës ka ndodhur këto ditë në “New York Times”, në gazetën më të mirë në botë. Tronditja është aq e madhe, saqë ka protestuar edhe PEN-Qendra amerikane, pra shoqata e shkrimtarëve, e cila që nga viti 1921 angazhohet për lirinë e shprehjes kudo në botë, e sidomos në vendet diktatoriale. Tani PEN-i amerikan thekson se liria e shprehjes në Amerikë është e rrezikuar nga “New York Times”.

Javën e shkuar u njoftua se gazetari Donald McNeil, 67-vjeçar, është përjashtuar nga puna. Ai ishte ndër specialistët më të njohur të gazetës për epidemi dhe pandemi dhe punonte për gazetën e famshme amerikane që nga viti 1976, për të cilën kishte raportuar prej rreth 60 vendeve të botës. Në krizën aktuale me Covid-19 Donald McNeil konsiderohej autoritet i pamohueshëm.

Nuk do të jetë më i tillë për shkak se 6 nga 26 nxënësit që McNeil i kishte shoqëruar më 2019 në një udhëtim në Peru (të organizuar nga “New York Times”) e kanë akuzuar se kishte përdorur një fjalë fyese ndaj afroamerikanëve, pra fjalën “Nigger”, që është fjalë diskriminuese për afroamerikanët. McNeil nuk e ka përdorur këtë fjalë në asnjë artikull të tij, ai e përdori këtë fjalë jo për të fyer dikë, por për të sqaruar diçka. Në një letër dërguar kolegeve dhe kolegëve të tij ai tha se gjatë vizitës në Peru ndërsa po hanin darkë, një nxënëse kishte pyetur McNeil se a është dashur të përjashtohet një shoqe e saj nga shkolla për shkak se si 12-vjeçare në një video kishte përdorur fjalën “Nigger”.

McNeil, tipik gazetar, deshi të dijë saktë si e kishte përdorur vajza këtë fjalë: si fjalë fyese për një person të caktuar, si fjalë artistike nga një këngë e repit apo si citat? Duke i shtruar këto pyetje, McNeil e përdori edhe fjalën “Nigger”. Një fjalë e gabuar – si dënim me vdekje. E thënë më 2019, dhe më 2021 autori i ndien pasojat: përjashtohet nga puna. Pas disa raportimeve të mediave të majta amerikane reagoi edhe “New York Times”. Në të vërtetë 150 kolegë të McNeil nënshkruan një letër protestuese, e cila e shtoi presionin kundër kryeredaktorëve për ta larguar nga puna McNeil. Më parë kryeredaktorët kishin thënë se atij do t’i jepej një shans për të vazhduar punën.

Rasti i Donald McNeil dëshmon se si lufta legjitime kundër diskriminimit mund të humb kuptimin kur keqpërdoret nga ata ose ato që duan ta shndërrojnë në shpatë për të mos toleruar mendim ndryshe, për të imponuar një të folme me kode, për të instaluar një polici mendimi. Çka synon kjo fushatë? Që njerëzit tani kur të flasin përherë duhet t’i marrin me mend edhe gërshërët imagjinare në kokë, të cilat presin fjalët para se ato të marrin botën dhe të vihet në veprim guerilja e Twitterit. Fjala “nigger”, natyrisht, nuk duhet të përdoret për të diskriminuar, por të ndalohet edhe kur një arsimtar, një gazetar, një profesor e përdor për të shpjeguar një kontekst aktual apo historik?

Një shembull nga Gjermania: Beng Rüstemeier është një politikan i ri socialdemokrat në Berlin. Ai i përket organizatës së të rinjve të Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Së fundi ai u lavdërua se studentët nuk guxojnë të marrin fjalën në parlamentin studentor nëse në listën e folësve nuk gjendet edhe emri i një gruaje. “Nëse nuk lajmërohet një grua, atëherë as burrat s’guxojnë të flasin”, thotë Beng Rüstemeier. Domethënë: liria e shprehjes duhet të ndalohet nëse atypari nuk qëllon një grua apo nuk dëshiron të flasë. Kështu nuk luftohet as për barazinë e grave, as për lirinë e shprehjes.