Festivali “Rock për Rock”, një pikë referimi për entuziastët e rockut në Kosovë, transformoi me të 22-tin edicion hapësirat e teatrit ODA në një realitet euforik, ku valët e tingujve të kitarave elektrike, perkusioneve e vokalit përplaseshin me energjinë e adhuruesve të rockut.
Një ambient i mbuluar nga tymi i dendur skenik me nota të aromës së birrës në atmosferë, u bë një hapësirë e denjë për entuziastët e vërtetë të rockut në Prishtinë. Me ndriçim pulsues të zhytur në terrin e muzikës rock, vëreheshin vetëm siluetat e muzikantëve në skenë dhe turma që vallëzonin frenetikisht duke shijuar tingujt e bendeve pjesëmarrëse për këtë edicion. Grupi nga Ferizaj, "7me7" qe overtura e këtij edicioni përmes një rikthimi simbolik në këtë Festival, në edicionin e parë të të cilit kishin qenë ata vetë si djelmosha të rinj që e kishin hapur, ndërkaq tani u rikthyen si një bend i etabluar në skenën e rock muzikës në Kosovë, me vite eksperiencë mbi supe.
Vetë vokalisti i "7me7" Betim Bekteshi, me nostalgji pak para hapjes së Festivalit, në një tavolinë në foajeun e teatrit me pjesëtarët e tjerë të grupit foli pak për KOHË-n mbi ndryshimet që ka pësuar rock skena në Kosovë.
“Publiku atëherë ka qenë i uritur për rock, andaj kur kemi dalë na në skenë, ka pasur shumë shpirt te publiku, ka dhe sot, por disi është ngushtuar skena, është kthyer në miniaturë", ka thënë ai
Ndërkaq Agim Berisha, rock-legjenda kosovare, njëherësh organizator i Festivalit ka thënë se e ka të vështirë ta besoj se kanë kaluar 22 vjet nga edicioni i parë, por ndihet i lumtur që skena e këtij Festivali ka qenë adresë afirmimi për talentet të rinj.
“Kurrë s’kemi pritu t'u japim rastin të rinjve me shprehë talentin, interesimi edhe në publik çdo vit ka qenë i kënaqshëm, shpresoj që të kemi shëndet dhe mbështetje më të madhe institucionale që të vazhdojmë me këtë festival", ka thënë Berisha, duke theksuar trendët e reja në rockun që prezantohet në këtë festival, ku format më të vrazhda të rockut si metal po mbizotërojnë te prurjet e reja.
Audienca, si një det i dalldisur fansash, lëvizte në sinkronizim me ritmin e fuqishëm të rockut duke iu dorëzuar forcës tërheqëse të muzikës e cila me frekuencat e saj të larta jepte përshtypjen se po vibronte dyshemeja e gjithçka përreth. Pas "7me7", në skenë u ngjitën “Teli i kput” me këngët e tyre si “Me thy” e “Autoshkolla” të cilat elektrizuan publikun me tingujt dhe tekstet sarkastike. “Pathogen” qe grupi tjetër që performoi duke mbajtur tempon në nivel të lartë si pararendësit e tyre, duke u lënë radhën bendeve të tjera si "Solar Flare", "Sand Castle", e "Pikë n’3". I përbërë nga djelmoshat Art Agani në bas, Art Bekolli në vokal e kitarë, Robert Pira në kitarë e Zog Berisha në bateri “Pathogen” premton shumë duke u nisur nga entuziazmi e muzika e tyre.
“Pasi që bëjmë rock metal dhe dy nga pjesëtarët e grupit janë programerë, e kemi bërë këtë lidhje mes virusit dhe muzikës dhe kështu ka lindur emri ‘Pathogen’”, ka treguar Berisha. Ata kishin debutuar edicionin e kaluar në “Rock për rock” si bend i ri, ndërsa që nga atëherë ata numërojnë 7 këngë origjinale ku veçojnë “Frizerin” dhe “Torment” si më të suksesshmet. “’Frizeri’ është një këngë sarkastike e cila flet për dikë që dëshiron t'i presë flokët e gjatë se nuk po i duron më, ndërsa ‘Torment’ paraqet historinë e një njeriu në një spital mental dhe dilemës së tij për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhet", ka thënë Robert Pira.
Rock-muzikën ata e shohin si një medium nga e cila marrin kënaqësi, për të cilën siç thonë ata do të vazhdonin ta bënin edhe nëse nuk paguhen, sepse dëshira e tyre është shumë më e madhe se synimet për të përfituar nga ajo. “Osht’ një mënyrë e mirë për t'u shprehur dhe për të shkruar, e cila tregon diçka unike dhe revolucionare” shtoi Arti, basisti i grupit, duke thënë se gjithashtu komuniteti i rock-muzikës në Prishtinë është shumë i ngrohtë dhe bashkëpunues të cilin ai e cilëson si shumë mbështetës.
Edhe pse si inspirim ata e kanë grupin francez “Gojira”, synimi i tyre është të krijojnë një stil unik identifikues që u mundëson atyre të lënë gjurmë në skenën e rockut me krijimtarinë dhe performancat tyre. “Ne mundohemi që me performu lloje të ndryshme të rockut duke fillu nga ‘grunge’ e deri te “heavy metal”. Kemi diçka për gjithkënd", është shprehur vokalisti i grupit Art Bekolli fill pas performancës.
Duket se “Rock për Rocku” është një festë ku rinia e Prishtinës jo vetëm që shijonte tingujt e furishëm të rockut, por gjithashtu përdorë veshjen si një formë të fuqishme shprehjeje, duke kthyer hapësirën e festivalit në një shfaqje dinamike të stilit të tyre të veçantë që e përbënë një identitet subkulturor. Xhaketat e lëkurës, xhinset e shqyera, çizmet “Dr.Martens”, veshjet “vintage” grimi me ngjyra të errëta, aksesorët, e flokët e gjatë qenë detajet që përcaktonin etosin e rockut.
Në këtë edicion çdo tingull i luajtur nga bendet pjesëmarrëse shërben si një deklaratë e pasionit dhe shprehjes së lirë përmes artit. Energjia frymëzuese, entuziazmi dhe talenti i jashtëzakonshëm mbërtheu publikun, si një shfaqje e mos përfilljes në art, duke lënë gjurmë në historinë e rockut në Kosovë sot.
