Leximi, gazeta, digjitalizimi, cilësia, cektësia dhe shpërqendrimi. Një ftesë për lexim nga një shkrimtar austriak.
Leopold Federmair është shkrimtar austriak. Është edhe përkthyes dhe profesor universitar. Jeton në Hiroshimë të Japonisë. Në një ese për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» Leopold Federmair ka shkruar mbi rëndësinë e gazetave dhe librave të shtypura - përkundër ortekut dominues të mediave digjitale. Në vijim një përmbledhje e disa mendimeve të vlefshme të Leopold Federmair. Ai shkruan: si 16-vjeçar e bleja në stacion të trenit gazetën «Die Zeit», një pako e madhe letre të shtypur. Ndoshta e bleja për t'u bërë përshtypje të tjerëve, sepse intelektualisht më sfidonte. Megjithatë, isha i bindur se kjo gazetë ishte gjëja e duhur që duhet të lexoj.
Leopold Federmair ka jetuar në vende të ndryshme të botës. Në Francë, thotë ai, lexoja «Le Monde» dhe «Libération», në Itali (parajsë e gazetave!) i lexoja: «Corriere della Sera», «La Repubblica», «Il manifesto» (që ende e quan veten: «quotidiano comunista»), «La Stampa» dhe «La Sicilia». Në Argjentinë, nënvizon Federmair, lexoja: «Página/12», «Clarín» dhe «La Nación» (ku Jorge Luis Borges botonte për herë të parë disa nga tekstet e tij).
E tash? Tash kanë ndryshuar hesapet, shkruan Leopold Federmair. Dhe Federmair nuk është i vetmi. Tash lexuesi i ka në dispozicion disa botime online, shumica «përmbajtjen» ta ofrojnë gratis, disa të tjera, me përmbajtje serioze, kushtojnë, lexuesi duhet të paguajë (apo redaksia i lutet lexuesit të paguajë). Aty ku s'paguan asgjë, aty lexuesin vazhdimisht e pengon diçka, për shembull reklamat që të kërcejnë e vallëzojnë para syve orë e çast dhe të joshin të klikosh për të të çuar në moçale komerciale.
(Një fusnotë: ka edhe projekte mediale që funksionojnë pa reklama, vetëm me paratë e lexuesve - për shembull «Republik», një medium zviceran. Ngjashëm funksionon edhe një gazetë franceze e internetit. Me 170 mijë parapagues).
Nuk duhet idealizuar kohërat e shkuara, mediat digjitale kanë gjithsesi edhe përparësi. Shpejtësinë, për shembull. Por këtu qëndron një defekt: lexuesi është bërë «user» (juzer), i cili bombardohet me informacion në takt sekonde dhe minute. Më shumë se informim ky është argëtim me potencial varshmërie. Shpesh argëtim i qullët. «Gazeta e shtypur zakonisht botohet njëherë në ditë, ka një numër të kufizuar faqesh, rubrikat e saj janë të ndara qartë, dhe kur lexoj aty, e di në çdo çast se ku gjendem», shkruan Leopold Federmair. Kush paguan për informacion, e ndjen një shtytje të brendshme të lexojë me koncentrim. Kush s'paguan, rëndom fluturon nga titulli në paragrafin e tretë - dhe ditën e mirë. Çka ofrohet falas, e bart njollën e diçkaje të pavlerë, madje edhe kur është me vlerë.
Shkrimtari Leopold Federmair ankohet: kur e lexoj një artikull online, në tekst përballem me shumë vegëza (links, siç quhen në anglisht). Këto vegëza të çojnë te artikuj të tjerë, e artikujt e tjerë te artikujt e tjerë... kështu kjo punë s'merr fund, ndërsa vëmendja, përqendrimi, kujdesi bie dukshëm dhe si lexues ne shohim shkronja, por s'e kapim kuptimin. Vegëzat mund të jenë të dobishme, por shpesh e frenojnë koncentrimin e lexuesit, i cili e humb rrugën në hipertekstualitet, i cili s'është gjë tjetër përveçse një dyqan, një supermarket i informacionit, i përzier me argëtim, senzacion, cinizëm, deformim. Ekonomi e zemërimit, i thonë kësaj pune. Epilogu? Lexuesi ëshë më shumë i shpërqendruar se sa i informuar.
Leopold Federmair tregon një shembull se si funksionon koncentrimi i vërtetë në gazetë. «Kur jam në Tokio apo Osaka, e blej ‹Japan Times›, e cila vjen bashkë me edicionin ndërkombëtar të ‹New York Times›. Zë vend, shpesh në një kafeteri, dhe thellohem. Gazeta më çon në pjesë të ndryshme të botës, por jo vazhdimisht dhe njëkohësisht në të gjitha pjesët e botës, dhe për t'u kthyer në pikënisje, te vetja ime, te vendi im këtu në kafeteri, nuk e kam vështirë. Në internet, ndërsa lexoj edicionet online të gazetave të njëjta, nga njëra anë kam përshtypjen se më ofrohet më shumë, për shembull vegëzat dhe tërë arkivi i kësaj gazete, nëpër të cilin më grah makina e kërkimit, nga ana tjetër kam përshtypjen se më ofrohet më pak, një dije e tëholluar, një fishekzjarr i elementeve që shfaqen me zhurmën pllum-pllum, të cilat nuk përputhen tamam me njëri-tjetrin, pastaj shpejt e shpejt zhduken nga kujtesa ime dhe nuk prodhojnë aftësi gjykimi».
Leopold Federmair apelon: për të ruajtur atë që e kemi trashëguar nga humanizmi, na duhen libra dhe gazeta të shtypura. Njoftimet në Twitter në vend të konferencave për shtyp, vokabulari monoton i mediave digjitale keqdashëse, reflekti copy-and-paste i redaktorëve dembelë që përtypin postimet e yjeve të jetës publiko-politike - të gjitha këto mund të zhdukin kureshjen njerëzore të bazuar në humanizëm - një kureshtje që synon të kuptojë dhe dallojë të mirën nga e keqja, rrenën nga e vërteta, interesin cinik personal nga interesi i përgjithshëm publik. Mediat sociale dhe mediat digjitale me redaktorë dembelë apo pa redaktorë fare shquhen për «spontanitet pa vetëdije për përgjegjësi, mjegullim përmes informacionit në vend të iluminizmit dhe kognitivitetit, ku - në fund të fundit - fiton më i fuqishmi, më i zhurmshmi, më sanzacionalisti, por jo dashuria për të vërtetën».