Kulturë

Treshja e ASHAK-ut refuzoi bashkëpunimin për Fjalor sa për sy e faqe

Treshja e ASHAK-ut refuzoi bashkëpunimin për Fjalor sa për sy e faqe

“Nga parashtresat e ndryshme brenda këtij teksti mund të shihet se synohet që mbi bazë të fjalorëve të hartuar më parë tani të hartohet një ‘Fjalor i madh i gjuhës shqipe’ me diku thuhet 100.000 fjalë, diku 90.000 fjalë. Synimi kryesor është të ndiqet përvoja e deritashme në hartimin e fjalorëve, metodat e punës... pra në pikë të fundit të bëhet një fjalor i ngjashëm me të mëparmit me një rritje fizike të lëndës së parashtruar”, shkruhet në letrën e marsit të vitit 2021 të akademikëve Rexhep Ismajli, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi

Foto: Driton Paçarada

Gjuhëtarët e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës s’kanë pranuar t’i bashkohen projektit të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ku në bazë të fjalorëve të hartuar më parë të dilet me një fjalor më voluminoz. Shkurt: të bashkohen fjalorët e mëparshëm duke shtuar disa fjalë të reja. Kjo është njëra prej arsyeve që thekson treshja e akademikëve Rexhep Ismajli, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi. “Siç kemi mundur të shohim nga kjo parashtresë dhe nga deklarimet në mjete të informimit, nisma nuk është përkufizuar në mënyrë të qartë, nuk është e qartë kush do të jetë bartës i projektit dhe në çfarë cilësie e kompetence kërkohet bashkëpunimi nga institucionet e tjera, konkretisht nga ASHAK-u”, ishte paralajmëruar që në fillet e projektit

Publikimi i Fjalorit të madh të gjuhës shqipe dhe mospërfshirja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në këtë projekt ka nxjerrë në publik dallime të mëdha në qasjen që kanë akademikët e Kosovës për studimet gjuhësore në raport me ata të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Gjuhëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës s’kanë pranuar t’i bashkohen një projekti të ASHSH-së, ku në bazë të fjalorëve të hartuar më parë të dilet me një fjalor më voluminoz. Shkurt: të bashkohen fjalorët e mëparshëm duke shtuar disa fjalë të reja. Çështja, është parimore. Akademikët Rexhep Ismajli, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi – midis pikëpyetjeve të shumta – s’kanë pranuar t’i bashkohen një projekti që ka ndjekur përvojën e deritashme në hartimin e fjalorëve ku bëjnë pjesë mënyra e selektimit të fjalëve për parashtrim, mënyra e paraqitjes dhe përshkrimit të fjalëve, parimet e normëzimit dhe të standardizimit.

KOHA në raportimin e parë pas publikimit online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, ka raportuar se në këtë projekt nuk ka marrë pjesë Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe gjuhëtari, akademik Bardh Rugova ka sqaruar shkurt arsyet e mospërfshirjes, sipas të cilit pa përcaktimin e parimeve të punës dhe zgjidhjes së dilemave, kryesisht për çështjen e leksikut, nuk kanë pranuar të përfshihen në projektin e Fjalorit. Në tekstin e dytë kanë paraqitur qëndrimet e sqarimet e tyre, dy udhëheqësit e akademive, akademik Skënder Gjinushi i cili prej vitit 2019 drejton ASHSH-në dhe Mehmet Kraja i cili prej vitit 2019 deri në fund të 2025-s ka drejtuar ASHAK-un. Siç ka raportuar KOHA, ndarjet në parime të punës do të nisnin qysh në Këshillin Ndërakademik për Gjuhën, forum i dy akademive që daton prej vitit 2004 dhe ndër vite qe jofunksional edhe pas tentimit për rithemelim më 2020.

Në këtë tekst, KOHA ka marrë përgjigje nga akademik Rexhep Ismajli e po ashtu edhe qëndrimin zyrtar – të vitit 2021 – me shkrim të treshes së gjuhëtarëve të ASHAK-ut ku kanë renditur arsyet e mospërfshirjes në projektin e Fjalorit.

Akademik Mehmet Kraja kishte sqaruar situatën bazuar edhe në leximin që u ka bërë ai procesverbaleve të mbledhjeve të mbajtura në ASHAK sa i përket kësaj çështjeje. Po ashtu, në përgjigjet e tij ka përmendur telashet e mosfunksionimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, forum i dy akademive.

Akademik Rexhep Ismajli ka thënë se nuk sheh dobi nga komentimi i asaj që ka ndodhur 6 vjet më parë. Sipas tij, historiku i punës së Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe mund të bëhet në bazë të dokumenteve që janë ruajtur, siç ka thënë ai, aq sa janë.

“Vrojtimet e aktorëve të drejtpërdrejtë apo të atyre që kanë pasur ndonjë njohuri për segmente të caktuara të asaj veprimtarie mund të kenë vlerë vetëm si të tilla. Pas kaq vitesh më vonë nuk shoh arsye të merremi me vrojtimet fragmentare”, ka thënë Ismajli, njëherësh anëtar i Akademisë Evropiane të Shken­cave dhe të Arteve me seli në Salzburg. Sipas tij, e vërteta është se në punën e Këshillit të themeluar më 2004 ka pasur zhvillime të ndryshme, aktivitete më pak a më shumë të rregullta, ndërprerje të kushtëzuara nga proceset brenda akademive përkatëse, ndërprerje në kohën e pandemisë, e të tjera. Sa i përket botimit të materialeve të KNGJSH-së ka thënë se ka procesverbale dhe dokumentacion tjetër që mund të shihet. Ka shtuar se materialet arkivore të dorëzuara kanë rezultuar jo mirë të sistemuara dhe janë konstatuar dhe mungesa, disa prej të cilave i kanë plotësuar ndërkohë.

“Sistematizimi i tyre është një punë që do bërë. Në Seksion jemi vetëm 4 gjuhëtarë, ndërsa secili ka dhe angazhime të tjera”, ka thënë Ismajli, i cili po ashtu është anëtar i “Linguistic Society of America” dhe anëtar i ndërkombëtar i nderit i Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave. Më pas ka konfirmuar se sa u përket diskutimeve për vendimmarrjen lidhur me bashkëpunimin në hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe është diskutuar në vitin 2021, konkretisht në Mbledhjen e Seksionit Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK të datës 5 mars në kuadër të diskutimeve për propozimet për bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, konkretisht lidhur me hartimin e platformave për Enciklopedinë Shqiptare, për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe dhe të Kuvendit të studimeve albanologjike.

“Me kërkesë të Kryesisë së ASHAK-ut ishte shtruar kërkesa për caktimin e grupeve të punës për hartimin e platformave. Ishte bërë vërejtja se formulimi duhej të ishte ‘shqyrtimi i propozimeve për projektet në fjalë, e jo caktimi i përfaqësuesve’, ndërsa Sekretari i Seksionit kishte ndërhyrë me shpjegimin se formulimi i atillë kishte ardhur nga Kryesia, sepse projektet në fjalë ishin nga protokolli. Ishte caktuar grupi R. Ismajli, B. Rugova e Sh. Munishi si ‘përfaqësues të Seksionit për pjesëmarrje në grupin punues për hartimin e platformës për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe’”, ka sqaruar Ismajli. Lidhur me mospjesëmarrjen e gjuhëtarëve të ASHAK-ut në projektin e Fjalorit, Ismajli ka konsideruar se shpjegimi më kuptimplotë jepet në letrën e titulluar “Raport lidhur me propozimin për të marrë pjesë në hartimin e projektit ‘Fjalor i madh i gjuhës shqipe’” të marsit të vitit 2021 të hartuar nga grupi i propozuar. Këtë letër të cilën e përmend edhe akademik Mehmet Kraja, Ismajli ia ka nisur KOHË-s të plotë.

“Kuptohet që kjo nismë i ka lënë pasojat e veta edhe në zhvillimet e mëtejme lidhur me KNGJSH, i cili në rrethanat e pandemisë edhe ashtu nuk mund ta vazhdonte punën”, shkruhet në fund të përgjigjeve të Ismajlit.

Treshja, akademik Rexhep Ismajli dhe asokohe anëtarët korrespodentë të Akademisë, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi, në letër i kanë bërë një analizë të hollësishme Propozimit për të marrë pjesë në hartimin e projektit të Fjalorit. Treshja në letër ka shkruar se pasi kanë lexuar materialet e parashtruara dhe raportet në media nga propozues të projektit në Tiranë dhe angazhimet e ndryshme në Prishtinë, dhe pasi kanë analizuar gjendjen në Seksion dhe në Akademi lidhur me punët leksikografike kanë ardhur deri te përfundimet.

“Projekti parashikohet të jetë Projekt i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë (edhe pse kjo nuk thuhet në mënyrë eksplicite)”, shkruhet në letër që është e ndarë në pesë-pjesë dhe një tjetër si “Përfundim”.

“Për realizimin e këtij projekti të madh propozohen këta bartës të mundshëm: Projekti i Departamentit të leksikologjisë dhe të Leksikografisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike; i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me hartues të pavarur (punonjës të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, Tiranë, Leksikografë profesionistë në pension, Leksikografë nga IAP (Kosovë), Leksikografë nga universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni; Të krijohet Institut leksikografik me të paktën 15 leksikografë dhe 5 forca ndihmëse. Në të gjitha versionet nga institucione brenda Republikës së Shqipërisë”, shkruhet në letër.

Në propozimin e Tiranës për bashkëpunim parashikoheshin Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universitetet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kozencë e Palermo.

“Siç kemi mundur të shohim nga kjo parashtresë dhe nga deklarimet në mjete të informimit, nisma nuk është përkufizuar në mënyrë të qartë, nuk është e qartë kush do të jetë bartës i projektit dhe në çfarë cilësie e kompetence kërkohet bashkëpunimi nga institucionet e tjera, konkretisht nga ASHAK-u”, shkruhet në letër. Aty qartësohet: “Në grupin e hartuesve janë parashikuar 31 emra në Shqipëri nga Shqipëria (18), nga Kosova (IAP 3, ASHAK 1, Universiteti i Prishtinës 1), nga Maqedonia e Veriut 3, nga Mynihu 1, nga Greqia 1, nga Italia 1 (Palermo). Asnjëri nga 2 anëtarët e ASHAK-ut (R. Ismajli, B. Rugova) nuk janë konsultuar paraprakisht as për projektin as për mundësinë eventuale të angazhimit në të. Janë parashikuar dhe 5 forca ndihmëse (1 nga IAP në Prishtinë)”. Treshja tregon se nuk ka specifikim të obligimeve të punës që do të merrte mbi vete konkretisht ASHAK-u, pra as obligimet pos atyre dhe nuk ka specifikim të të drejtave institucionale të një anëtari bartës të bashkëpunimit institucional.

“Nga ASHAK-u kërkohet që përmes një anëtari të saj të marrë mbi vete tërë barrën e punës në 5 vjetët e ardhshëm...”, shkruhet në letër duke qartësuar se kjo pjesë themelore të projektit nuk është konceptuar mbi bazë të çfarëdo konsultimi paraprak me anëtarët e Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të ASHAK-ut, as me institucionin. Letra qartëson se ndër objektivat imediate të projektit janë: hartimi dhe diskutimi i “Parimeve e i kritereve të fjalorit”, diskutimi rreth tipit të fjalorit, teknologjisë e teknikës leksikografike, caktimi i redaksisë shkencore të Fjalorit dhe përcaktimi i mënyrës së punës hartuese, i mënyrës së komunikimit e bashkëpunimit midis hartuesve dhe midis hartuesve e redaktorëve me kryeredaktorin. Propozimi parashihte krijimin e kartotekës Kombëtare të leksikut të shqipes, pa të cilën nuk mund të fillojë puna në hartimin e veprës dhe në këtë punë kërkohej ndërhyrja e shtetit.

“Të gjitha detyrat nga këta ‘Objektiva’ kërkojnë nga bashkëpunuesit angazhim të tërë energjive që kanë në dispozicion. Për asnjë prej pikave të përmendura anëtarët e ASHAK-ut nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë nuk kanë pasur mundësi as të bisedojnë me askënd nga propozuesit dhe me askënd tjetër”, shkruhet në letër. Sa i përket konstruksionit financiar për realizimin e projektit kërkoheshin 15 profesorë për 48 muaj me rroga mujore; 5 forca ndihmëse për 48 muaj me rroga mujore; shpenzime për takime jashtë Shqipërisë; bazë materiale: 15 kompjuterë, tre printerë, dy skanerë, etj; botimi dhe efektet financiare prej tij. Po ashtu edhe shpenzimet për hartimin e zërave, për përfshirjen në kompjuter, për korrekturë teknike, për redaktim letrar, për redaktim shkencor, për formatin dhe për recension.

“Supozojmë se këto forca pune kërkohen për qendrën në të cilën do të vendoset projekti në Tiranë, ndërsa për të tjerat nuk saktësohet asgjë. Por në arsyetimin e kostos financiare për 4 vjet kërkohen që Kosova të marrë pjesë në Projekt me 75.000 euro, pa specifikim se përmes cilit institucion do të siguroheshin ato mjete”, shkruhet në letrën drejtuar sekretarit të Seksionit, Eqrem Basha. Treshja në këtë rast nxjerr një përfundim.

“Përfundim: mendojmë se i tërë konstruksioni është në fazë jo mjaft të menduar dhe të specifikuar. Ka paqartësi themelore që lidhen me bartësin e projektit, me organizimin e punës, me statusin e institucioneve bashkëpunuese dhe me infrastrukturën e tyre organizuese e institucionale”, shkruhet në letër. Por treshja duket se telashet kryesore i ka pasur me metodologjinë e punës.

“Nga parashtresat e ndryshme brenda këtij teksti mund të shihet se synohet që mbi bazë të fjalorëve të hartuar më parë tani të hartohet një ‘Fjalor i madh i gjuhës shqipe’ me diku thuhet 100.000 fjalë, diku 90.000 fjalë. Synimi kryesor është të ndiqet përvoja e deritashme në hartimin e fjalorëve, metodat e punës (vjelja, mënyra e selektimit të fjalëve për parashtrim, mënyra e paraqitjes dhe përshkrimit të fjalëve, parimet e normëzimit dhe të standardizimit), pra në pikë të fundit të bëhet një fjalor i ngjashëm me të mëparmit me një rritje fizike të lëndës së parashtruar”, shkruhet në letër. Sqarohet se deri në atë kohë anëtarët e Seksionit nuk kanë pasur mundësi të jenë pjesëmarrës në asnjë veprimtari që do të shqyrtonte çështje të kësaj natyre, pos në kuadër të diskutimeve të pakta dhe pa shumë rezultat konkret në kuadër të Këshillit Ndërakademik të Gjuhës Shqipe.

Treshja në letër edhe e vlerëson projektin.

“Projekti në vetvete si ide e si synim meriton respekt dhe vlerësim. Projekti si projeksion i realizimit të objektivave të vendosur nuk është menduar mjaftueshëm, ka nevojë për plotësime dhe qartësime themelore. Projektimi i pjesëmarrjes së ASHAK-ut në këtë punë kaq themelore nuk është aspak i qartë: do të jetë bashkautor i Projektit, ndihmës nga jashtë, apo thjesht një emër në listën e atyre që e legjitimojnë projektin”, shkruhet në letër. Sipas treshes, për përcaktimin e rolit të ASHAK-ut në një projekt të këtillë, që do të kërkonte angazhim të burimeve të saj njerëzore dhe financiare në shkallën që do të linte anash të gjitha projektet e tjera, nëse është ndier nevoja e këtij bashkëpunimi, kanë qenë të domosdoshme diskutime thelbësore paraprake.

“Sa dimë ne, në asnjë rast nuk është diskutuar ndonjë nga çështjet e përmendura. Mendojmë se me parametrat e paraqitur, me paqartësitë lidhur me bartësin e Projektit, e elementet e tjera të veçuara më sipër, Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut nuk ka mundësi të përfshihet ashtu si është parashikuar”, shkruhet në letër.

Pa përfshirjen e gjuhëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokaj, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët: Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjo­valin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj.