Kulturë

“Veç shiu na ka pshtu” ngjall rrëfimet e refugjatëve të luftës në Kosovë

Rrëfimet janë të trishta, secili që e ka përjetuar luftën gjen pikat e përbashkëta, por zymtësia e tyre thyhet me ngjyrat e veprave të Rina Krasniqit, e cila historitë reale i shndërron në ilustrime. Kjo nuk bëhet për efekte kontrastesh – historitë reale vetëm ngjyra s’kanë – por për ta dokumentuar e për të përjetësuar një kapitull, i cili përditë e më shumë rrezikon të harrohet

“Veç shiu na ka pshtu”, nuk është thjesht një varg, por në kontekstin e një çerekshekulli më parë merr kontekst krejt tjetër. Është realitet, konstatim i gjendjes, frikës dhe fatit. Në “Javën e të Drejtave të Njeriut” – që shënon dekadën e parë nën organizmin e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – është edhe titull ekspozite. Është hapur në ditën e dytë të “Javës...”.

Frymëzimin e gjen te historitë e refugjatëve në Muzeun Virtual të Refugjatëve, një platformë e cila për shumë vjet ka ofruar një hapësirë për përkujtimin dhe dokumentimin e përvojave të të dëbuarve si pasojë e luftës, nëpërmjet audiotregimeve.

Ekspozita e hapur prej të enjtes mbrëma e dërgon atë në një dimension krejt të ri si shpërfaqje ilustrative e pesë përvojave personale, duke përdorur fuqinë e artit dhe të ngjyrave për t’iu dhënë një karakter përjetësie përmes shprehjes artistike nga artistja Rina Krasniqi. Një hapësirë ekspozuese në katin e dytë të Muzeut Kombëtar të Kosovës iu dedikua këtyre vizatimeve, që pavarësisht ngjyrave të hareshme pasqyrojnë kujtime e realitete që krijojnë një raport dikotomie.

“Ilustrimet e mia janë më të gëzueshme, por këto histori pasi që i kam lexuar e kam kuptuar se sa të dhimbshme janë. Jam munduar të gjej shpresë në to, dhe e kam gjetur pasi që jam fokusuar në anën humane të këtyre rrëfimeve. Duke u fokusuar në detaje të vogla të cilat përbëjnë momente të mëdha”, ka thënë Krasniqi për vizatimet që në thelb ruajnë autenticitetin e rrëfime prej ku e kanë zanafillën – përjetime reale të refugjatëve.

Aty zbërthehen detaje shënjuese të përjetimeve. Në njërën nga to ilustrohet historia e një refugjati, ku paraqiten një traktor dhe dy qerre të ngjitura pas tij si kolonë refugjatësh drejt kufirit me Shqipërinë.

Një tjetër ilustrim paraqet dy duar teksa luajnë “Tetris” si paraqitje figurative e një rrëfimi të një refugjati, i cili pas kthimit të tij në Kosovë gjatë rrugës luante me të si për të refuzuar të ballafaqohet me realitetin e ri të fshatit të tij të shkatërruar nga lufta.

Pjesë e këtij kompozicioni ishte dhe një ilustrim mjaft i ndjerë që përshkruan dy duar që mbajnë një copë buke me një qiri në të. Është ilustrimi i një përvoje drithëruese të një fëmije, i cili kishte ditëlindjen gjatë kohës si refugjat dhe si i uritur, për ditëlindje kërkonte vetëm një copë bukë.

Bjeshkë Guri, koordinatore në YiHR, ka thënë se ekspozita synon një sensibilizim karshi njohjes së eksperiencave të refugjatëve.

“Arti është shumë përndjellës për audiencën, kështu që ballafaqimi me të kaluarën dhe historitë dhe përjetimet e njerëzve gjatë luftës së fundit në Kosovë janë goxha të rënda emocionalisht, andaj ne jemi munduar që përmes artit t’i ilustrojmë ato me ngjyra, që me qenë më e lehtë për t’i absorbuar edhe për audiencën, sepse dihet që shumica e njerëzve janë të traumatizuar nga lufta, andaj është e rëndësishme, sepse e bën më lehtë të qasshme edhe njohjen e përvojave të civilëve rreth përjetimit të luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Veç shiu na ka pshtu” u shënua dhe me një moment të veçantë me prezencën e një mysafireje të posaçme. Një refugjate dhe gazetare afgane ka ndarë me audiencën e pranishme përvojën e saj të freskët me ngjarjet e fundit në Afganistan. Përmes rrëfimit të saj, ajo ka vënë në pah realitetin e papritur dhe sfidat e refugjatëve në vendin e saj.

Nadia Gulabzada ka folur për gjendjen në Afganistan duke falënderuar të pranishmit, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës për pranimin e saj dhe ofrimin e mundësisë që si gazetare të kontribuojë nga Kosova për vendin e saj.

“Po bëhen dy vjet nga gjendja e vështirë në Afganistan, vajzat në moshë shumë të re po detyrohen të martohen, talebanët po urdhërojnë që jeta të rregullohet nga shumë gjëra që janë të papranueshme për popullin”, ka thënë Gulabzada duke ndier afërsi edhe me ekspozitën dhe motivin e saj.

Prania e saj ka qenë perspektivë e drejtpërdrejtë nga një person i prekur nga ngjarjet aktuale, por jo vetëm. Nëpërmjet saj zbërthehet edhe kuptimit i rëndësisë së angazhimit të artit në shërbim të kujtesës dhe ndërgjegjësimit shoqëror.

Adrian Berisha, ish-drejtor i kulturës në Komunën e Prishtinës, i pranishëm në ekspozitë, ndau ndjeshmërinë e tij rreth temës. Ka rikujtuar kohën e tij si refugjat me familjen e tij në Maqedoni.

“Ka qenë përjetim kolektiv e personal që ka lënë gjurmë të tmerrshme në psikikën tonë. E përgëzoj ekipin e YiHR-së dhe artisten që kanë arritur në mënyrë brilante t’i shfaqin përjetimet tona. Ne që e kemi përjetuar këtë tmerr duhet të solidarizohemi edhe me situatën në Ukrainë, Palestinë e në vendet e tjera të botës. Sonte në mendjen time është një ilustrim i një mozaiku të tmerrshëm, por shpresoj që në të ardhmen për të rinjtë të ketë në mendjet e tyre mozaik më të bukur”, ka thënë ai.

Përmes vizatimeve dhe rrëfimeve prekëse, artistja Rina Krasniqi ka arritur të sjellë në sipërfaqe një pasqyrim autentik të vuajtjeve të refugjatëve nga lufta, duke e bërë këtë ekspozitë një ngjarje të rëndësishme për kujtesën dhe ndërgjegjësimin.

“Veç shiu na ka pshtu” shërben si një thirrje për solidaritet, është ftesë për reflektim dhe shprehje e fuqishme e të drejtave të njeriut përmes artit. Tek hedh dritë mbi historinë dhe ecurinë e njerëzve në këto kohëra të turbullta, ekspozita përfundon me një kujtesë të përhershme për nevojën e vazhdueshme për respekt dhe mbështetje ndaj të drejtave themelore të njeriut. Vjen në kohën kur ende mungon konkretizimi i një projekti për memorializimin dhe dokumentimin e këtyre rrëfimeve të cilat mbesin të heshtura në mungesë të një hapësire për t’u dëgjuar.