LAJMET E MBRËMJES

Muhamet Alidemaj mohon akuzat për krime lufte në masakrën e Izbicës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë i është lexuar aktakuza Muhamet Alidemajt, të cilin Prokuroria Speciale e akuzon për krime lufte ndaj popullatës civile, të kryera në Izbicë të Skenderajt. Alidemaj u deklarua i pafajshëm e mbrojtësi i tij u ankua se Prokuroria nuk ia ka dhënë shkresat e lëndës në gjuhën serbe. Prokurori tha se, meqë i pandehuri flet gjuhën shqipe, nuk ka asnjë obligim ligjor që shkresat të përkthehen në serbisht.

Muhamet Alidemaj, i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Izbicë të Skenderajt, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të. Deklarimin rreth pafajësisë i akuzuari Alidemaj e bëri në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Ilir Morina.

“I pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Jo 100 për qind, veç 1000 për qind”, është deklaruar Alidemaj.

Mbrojtësi Vaslije Arsiq, teksa mbështeti deklarimin e Alidemajt, pati vërejtje për prokurorinë lidhur me procedurat ligjore.

“Unë si mbrojtës nuk i kam pranuar shkresat e lëndës nga prokuroria. Kjo për arsye se edhe në shqyrtimin gjyqësor në seancën paraprake e kam lutur gjykatën që ta obligojë prokurorinë që në pajtueshmëri me nenin 244 të m’i dorëzojë shkresat në gjuhën të cilën e përdor mbrojtësi i të pandehurit. E ceku faktin që nga gjykata i kam pranuar shkresat e lëndës, por në gjuhën shqipe. Konsideroj që me këto është shkelur e drejta ndaj gjykimit të drejtë”, ka thënë Arsiq.

Por prokurori special, Ilir Morina, tha se mbrojtja e të pandehurit është duke keqinterpretuar dispozitat ligjore, pasi i pandehuri ka ndërruar avokatin dhe barrën e përkthimit e mban vetë.

“Sa i përket çështjes së gjuhës, Kodi i Procedurës Penale dhe standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e obligojnë shtetin në raport me të pandehurin. Në rastin konkret, i pandehuri flet gjuhën shqipe dhe prokurori nuk ka asnjë obligim ligjor për t’i përkthyer dokumentet në një gjuhë tjetër”, ka thënë Morina.

Po e njëjta kërkesë e mbrojtjes kishte shtyrë seancën e 12 prillit, ku avokati Vasilije Arsiq deklaroi se nuk ka pranuar shkresat nga avokati paraprak Veton Rrecaj.

Gjatë seancës së shqyrtimit fillestar, gjykatësi i çështjes, Vesel Ismaili, ka njoftuar të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se kanë të drejtë të ushtrojnë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, brenda afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh.

Prokuroria Speciale më 29 mars 2022 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Muhamet Alidemaj, i cili ishte arrestuar më 31 mars të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë gjendet në paraburgim.

Sipas prokurorit Ilir Morina, gjatë periudhës kohore 24 mars – 11 qershor të vitit 1999, Alidemaj si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe ka shkelur rëndë rregullat e së Drejtës Ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre, në shkelje të nenit 3 të përbashkët për katër konventat e Gjenevës.

Aktakuza e ngarkon Muhamet Alidemajn se gjatë kësaj periudhe, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe me dhunë i kanë ndarë gratë dhe fëmijët dhe i kanë detyruar të shkojnë në drejtim të Shqipërisë. Ndërsa 130 burrat e ndarë nga familjet i kanë ekzekutuar në vend.