Padia ndaj Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë ka shpërfaqur përçarje brenda Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Katër kryetarë komunash që vijnë nga radhët e Vetëvendosjes kanë dalë kundër kësaj padie, nëpërmjet së cilës AKK-ja po synon kthimin e 35 milionëve që komunave u janë marrë për pagesat që derivojnë nga kontratat kolektive.
Shpejtim Bulliqi, i cili ka folur në emër të katër kryetarëve, i ka akuzuar përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave se po përmbushin agjenda politike e nuk po i mbrojnë interesat e komunave.
“Ju bëjmë me dije se ne si kryetarë komunash nuk jemi palë në këtë padi, sepse mendojmë që kjo padi do të kishte kuptimin po të bëhej në kohën e duhur dhe në adresat e duhura, që do të duhej t’u ishte drejtuar ndaj atyre ministrave që kanë nënshkruar dhe asnjëherë nuk kanë ndjekur rrugën ligjore për zbatimin e kësaj Kontrate Kolektive. Andaj mendojmë që inicimi i kësaj padie nga ana e Asociacionit të Komunave të Kosovës edhe njëherë dëshmon se ky Asociacion, fatkeqësisht, është kthyer në një vegël politike antiqeveritare dhe larg misionit të saj që duhet ta përmbushë në shërbim të komunave dhe qytetarëve të saj”, tha Bulliqi, që është kryetar i Podujevës.
Bulliqi ka theksuar se janë të interesuar që të gjejnë zgjidhje për zbatimin e kontratave kolektive me institucionet e nivelit qendor, porse, sipas tij, kjo nuk është forma që e ka zgjedhur Asociacioni i Komunave.
“Shtrohet një pyetje e thjeshtë, ku ka qenë ky Asociacion në atë kohën kur janë nënshkruar këto kontrata dhe cili ka qenë reagimi i këtij Asociacioni deri në këto momente lidhur me moszbatimin e këtyre kontratave kolektive? Nuk është Qeveria Kurti ajo e cila ka nënshkruar kontrata të tilla. Dihet cilat qeveri i kanë nënshkruar këto kontrata dhe sigurisht në kohën e nënshkrimit të këtyre kontratave në këtë Asociacion kanë qenë po këta njerëz të cilët menaxhojnë dhe udhëheqin me të dhe ju e dini shumë mirë që asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin për të mundur ta zgjidhin këtë problem”, tha Bulliqi.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, ndërkaq është arsyetuar duke thënë se janë marrë veprime në vazhdimësi për zbatimin e kontratave kolektive. Porse, ka shtuar se kjo çështje nuk ka qenë në fokus gjatë pandemisë.
“Asnjë veprim i Asociacionit të Komunave të Kosovës, asnjë veprim sepse vendimet i merr bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës, nuk ka pas natyrë politike, por ka pas natyrë profesionale dhe gjithnjë ka shkuar në vazhdën e mbrojtjes së interesave të komunave. Po e ritheksojë këto 35 milionë euro nëse kthehen në nivelin lokal, ato do të shkojnë drejtpërdrejt, shumica e tyre në zbatimin e projekteve kapitale, ku me zbatimin e projekteve kapitale, të mirat e këtyre projekteve i sheh qytetari, i vlerëson qytetari, i prek qytetari, pa dallim politik apo etnik”, tha Ibrahimi.
Ndërkohë, Shpejtim Bulliqi ka bërë me dije se pakënaqësi ndaj AKK-së kanë shprehur edhe më herët, sa i përket Kuvendit të fundit zgjedhor, por edhe menaxhimit të buxhetit të brendshëm të këtij Asociacioni. Megjithatë, ka thënë se tash për tash nuk është temë diskutimi dalja nga ky institucion.