LAJMET E MBRËMJES

KDI: MSH-ja shpenzoi vetëm gjysmën e buxhetit më 2021

Instituti Demokratik i Kosovës ka evidentuar telashe me menaxhimin e parasë publike në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar gjatë periudhës së përballjes me pandeminë COVID-19. Në analizën e procedurave të prokurimit publik mbi shpenzimet publike në këto dy instanca, KDI-ja ka gjetur se në vitin 2021 Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar vetëm 54-përqindëshin e buxhetit

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka shpenzuar vetëm 54 për qind të buxhetit të saj gjatë vitit 2021, ka treguar të martën një studim i publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që ka evidentuar probleme serioze në shpenzimin e parasë publike në këtë instancë.

Në shpalosjen e gjetjeve nga analiza mbi procedurat e prokurimit publik të shpenzimeve publike në këtë ministri dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK), përfaqësues të KDI-së kanë potencuar se buxheti i shpenzuar nga Ministria e Shëndetësisë përbën një ulje prej 9 për qind krahasuar me shpenzimet e një viti më parë.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere projektesh në këtë institut, ka thënë të kenë gjetur probleme me menaxhimin e parasë publike në këto dy institucione.

“Një theks i veçantë bie mbi shpenzimet e financimit përmes huamarrjes, ku në dy linja të financimit kjo ministri kishte shpenzuar vetëm rreth 39 për qind të këtyre mjeteve. Për këto mjete të pashpenzuara, taksapaguesit e Kosovës paguajnë interes të huamarrjes, ndërkohë që në vazhdimësi u është dashur t’i sigurojnë vetë barnat e nevojshme për trajtim shëndetësor, përfshirë trajtimin për COVID-19”, ka thënë ajo.

Gjatë këtij prezantimi janë listuar mangësi edhe në hartimin e planit të prokurimit nga SHSKUK-ja, si dhe mospublikimi i kontratës me UNOPS-in dhe çmimi i vaksinave të blera nga “Pfizer”.

“Plani i Prokurimit nuk është bërë sipas kërkesave të Ligjit për Prokurim Publik. Plani i Prokurimit për vitin 2022 dhe për vitet e mëhershme është një dokument i formatit Excel dhe përmban vetëm nëntë rreshta, ndërsa të gjitha furnizimet janë grumbulluar në një vend. I gjithë furnizimi me barna kundër COVID-19 është grumbulluar në një rresht të vetëm. Vlera e parashikuar është mbi 21 milionë euro”, ka thënë Diana Metushi-Krasniqi.

Sipas saj, UNOPS-i si menaxhuese e fondeve të destinuara për blerjen e produkteve të pandemisë nga kredia e Qeverisë së Kosovës me Bankën Botërore, ka dështuar disa herë që të arrijë vlerën më të mirë për paranë e shpenzuar.

“Në katër raste produktet janë blerë më shtrenjtë nga UNOPS-i sesa nga SHSKUK-ja dhe MSH-ja. Çmimi i këtyre produkteve është nga 2 – 200 për qind më shtrenjtë. UNOPS-i gjithashtu ka shpërblyer me kontrata kompaninë e cila ka qenë ne listë të zezë. Kontrata nëpërmjet MSH-së dhe UNOPS-it nuk është e qasshme për publikun. KDI-ja ka arritur të sigurojë informacion të pjesshëm lidhur me këto prokurime nga portali i UNOPS-it për publikimin e tenderëve, si dhe disa informata të pranuara nga UNOPS-i”, ka thënë menaxherja e KDI-së.

Disa nga problemet sistematike me të cilat është shoqëruar prokurimi publik në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, sipas gjetjeve të Institutit, janë edhe planifikimet e dobëta dhe joadekuate kundrejt nevojave të kohës, vendime të pambështetura dhe të paarsyetuara të cilat kanë shkaktuar vonesa dhe humbje të parasë publike, kontroll i dobët në menaxhimin e kontratave, si dhe mosrespektimi i Ligjit për COVID-19 nga Qeveria e Kosovës.

Këto gjetje u vlerësuan brengosëse nga deputetë të opozitës që njëkohësisht janë anëtar të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Shemsedin Dreshaj, deputet i AAK-së, ka thënë se kostoja e barnave gjatë pandemisë ka pësuar lëvizje dhe keqpërdorime.

“Nuk është kaq e thjeshtë sa është prezantuar. Sikur ju të ishit pjesë klinike e trajtimit të pacientëve, nuk është bari me kosto më të lartë Remdesiviri. Kemi barna shumë më të shtrenjta që janë përdorur në trajtimin e pacientëve. Fatkeqësisht shumë shpesh Pertuzumabinin është dashur që ta blejnë pacientët tanë. Ai ka një kosto 10 herë më të madhe ose 20 herë”, ka thënë Dreshaj.

E deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thanë se është vjedhur nga buxheti i pacientëve dhe se si komision disa gjetje i kanë dorëzuar në Prokurori. Ai ka kërkuar auditim edhe të kontratës me UNOPS-in.

“Bazuar në dokumentacionin e MSH-së, në periudhën e parë të pandemisë ka menaxhuar dhe centralizuar prokurimin publik për blerjet për COVID-19 për periudhat që kanë qenë në atë periudhë kohore e që në këto blerje është abuzuar prej dorëzave e dezinfektuesve deri tek blerjet e thasëve për kufomat e COVID-19”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me kritikat për abuzim me çmimet e barnave nga operatorët ekonomikë gjatë pandemisë, sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi, ka thënë të kenë adresuar shkresa në Polici dhe në Autoritetin për Konkurrencë.

E për gjetjet për marrëveshjet me UNOPS-in tha se nuk mund të mbajnë përgjegjësi.

“Marrëveshjet me UNOPS-in është cekur se disa prej tyre kanë siguruar produkte për sektorin e shëndetësisë me vlera më të shtrenjta. Kanë shpërblyer me aktivitete të prokurimit me tender për kompanitë të cilat kanë qenë në listën e zezë që vërtet tash e dëgjoj për herë të parë, ndërsa që marrëveshja nuk është e publikuar unë mund t’ju them se janë disa marrëveshje me UNOPS-in në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, mirëpo që nuk janë dokumentet të klasifikuara dhe ashtu siç e ceku deputeti në momentin që bëni kërkesë mund ta ndajë me ju. Dhe nuk mund të jetë përgjegjësi e MSH-së kur aktivitetet e prokurimit nuk i ka zbatuar UNOPS-i si institucion”, ka thënë Bardiqi.

Një ndër rekomandimet për MSH-në dhe SHSKUK-në që janë dhenë gjatë prezantimit, është krijimi i mekanizmave për rimbursim të qytetarëve të cilët janë detyruar që të sigurojnë barna në mungesë të stokut. Pastaj SHSKUK-së iu rekomandua mbledhja e informacioneve nga të gjitha njësitë e saj në lidhje me sasinë e produkteve që nevojiten të blihen gjatë vitit 2023, dhe të përgatisë një plan të detajuar të prokurimit, që do t'i shërbente menaxhimit më efikas të furnizimeve dhe shpenzimeve.

Në tryezë u diskutua edhe fakti se çmimi i vaksinave të blera nga kompania “Pfizer” vazhdon të mbetet sekret dhe se blerja është realizuar jashtë Ligjit për prokurimin publik.