LAJMET E MBRËMJES

Kirurgu e quan sukses operacionin. Drejtori thotë se mjeku s’kishte përvojë. Pacienti vdiq

Një operacion i rrallë në zemër është kryer mesnatën e së martës për herë të parë në QKUK. Kardiokirurgët përmes publikimit të fotografive në rrjete sociale e kanë vlerësuar si sukses intervenimin kompleks, por pacienti pas rreth tri orësh vdiq. Drejtori i Klinikës i ka quajtur kardiokirurgët jokompetentë dhe të papërvojë për një intervenim të tillë

Një pacient 63-vjeçar ka vdekur tri orë pasi iu nënshtrua një operacioni që më herët nuk ishte kryer asnjëherë në Qendrën Klinike Universitare.

Teksa pacienti ende ishte në gjendje kome, kardiokirurgët e kanë paraqitur si sukses përmes një postimi me disa foto në Facebook.

E pas vdekjes së pacientit, drejtori i Klinikës së Kardiokirurgjisë, Rifat Brahimaj, i ka quajtur jokompetentë e të papërvojë mjekët që kryen intervenimin në zemrën e pacientit. Ai ka kërkuar hetim.

“Duhet të bëhet vlerësim i rastit. Duhet të hetohet pse është kryer një operacion i tillë nga një kirurg i cili nuk ka pasur përvojë. Duhet të shikohet rasti dhe të ndërmerren masa konform rregulloreve. Ka qenë kujdestar dhe personi vetë vendos për çfarë lloj operacioni, por sigurisht duhet të raportojë më pas dhe të hetohet nëse ka pasur shkelje”, ka thënë Brahimaj.

Referuar statusit të kardiokirurgut Kushtrim Shala, në të cilin e quan operacionin kompleks, pjesëmarrës në të ishte edhe kolegu i tij, Endrit Shala.

“Për herë të parë në QKUK në Kardiokirurgji kemi realizuar operacionin David te një pacient me diseksion akut të aortës dhe rupturë në nivel të rrënjës së saj. Operacionet e tilla komplekse kryhen kryesisht në qendra te mëdha me volum dhe eksperiencë afatgjate dhe të specializuara për kirurgjinë e aortës. Njëkohësisht gjatë këtij operimi për herë të parë në raste të tilla është realizuar proteksion i zemrës me kardioplegji Del Nido, njëra ndër kardioplegjitë që ofron proteksion superior të miokardit (ruajtjes së zemrës gjatë operacioneve të tilla)”, ka shkruar Shala në Facebook.

Sipas burimeve të KOHËS, operacioni zgjati rreth 10 orë e Shala përveç fotografive me stafin mjekësor, ka publikuar edhe procedurën kirurgjike derisa po ndërhynin te pacienti, gjë që është e ndaluar me rregullore të ShSKUK-së.

Për mosrespektimin e kësaj urdhërese, SHSKUK ka kërkuar nga drejtori i Klinikës të ndërmarr masa ndaj mjekut.

“Të gjithë drejtorët e klinikave, spitaleve të përgjithshme dhe njësive tjera në kuadër të ShSKUK-së, disa herë janë të njoftuar përmes Urdhëresës, në formë të Qarkores Informative, nga menaxhmentet në të kaluarën, por edhe tani, se kanë ndaluar publikimin e shkrimeve, fotografive dhe materialeve tjera nga institucionet ku punojnë, pa autorizim paraprak nga Zyra për Medie dhe Marrëdhënie me Publikun në ShSKUK, kjo me qëllim që informatat që publikohen të jenë konform kritereve të përcaktuara etike dhe profesionale. Secili drejtor i institucionit, në këtë rast edhe drejtori i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, ka obligim që të ndërmarrë masat konform legjislacionit në fuqi, për mosrespektim të kësaj urdhërese”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Media të SHSKUK-së.

KOHA gjatë së enjtes nuk ka arritur që të marrë një përgjigje lidhur me rastin nga mjeku Kushtrim Shala, ndërkohë mjeku tjetër, Endrit Shala, tha për KOHËN se ai nuk ishte kirurg operator.