Hapja e shkollave e vënia e tyre në dispozicion të qytetarëve për të votuar të dielën është kërkuar nga anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këtë institucion kanë konfirmuar se drejtorët e shkollave serbe në veri nuk janë duke lejuar që objektet të përdoren si qendra votimi, ashtu siç është paraparë për votimin e 21 prillit.
Vetëm 10 qendra nga 43 sosh i ka në dispozicion Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për mbajtjen e votimit të 21 prillit.
Nga ky institucion konfirmuan se drejtorët e shkollave serbe në katër komunat në veri janë duke refuzuar që t`i vënë në dispozicion objektet shkollore.
KOHA ditë më parë ka raportuar se një refuzim i tillë është duke u bërë me urdhër të organeve ilegale atje.
Në mungesë të qendrave të nevojshme, Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së tha se janë në kërkim të lokacioneve alternative.
“Edhe pas vizitave sikurse në përgjigjet që kanë dhënë drejtorët e shkollave, kanë refuzuar t`i japin qasje KKZ-ve në shkollat që do të përdoren si qendra votimi më 21 prill me pretendimet se me datën 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore kulturore e të tjera”, ka deklaruar Ahmetaj.
Hapja e objekteve të parapara në ditën e votimit, përkundër refuzimit të drejtorëve të shkollave, u kërkua nga anëtarët e KQZ-së, derisa u bë thirrje edhe për ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë
“Unë kërkoj që me këtë të njoftohet prokurori, të kërkohet nga kryetarët e komunave që të marrin vendim për hapjen e shkollave dhe që në bashkëpunim me KQZ e policinë ato qendra të hapen ditën e votimit, që qytetarëve të Republikës së Kosovës ti mundësohet votimi”, ka thënë Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së.
“Dhe të ndërmerren të gjitha veprimet e tjera për ndjekjen e tyre, pra ky është një bojkot dhe bllokim i procesit zgjedhor në këtë rast edhe shkelje e ligjit për zgjedhje të përgjithshme dhe duhet të ndiqen penalisht”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së.
Masa u kërkua të ndërmerren edhe ndaj Listës Serbe, e cila, sipas Alban Krasniqit, qëndron pas bllokimit të qasjes në shkollat në veri.
“Mendoj që ka ardhë koha që edhe ne si KQZ t'i marrim edhe masat tona në raport me këtë subjekt politik dhe të ja bëjmë të qartë që kështu qysh është tu vazhdu mundet më u ballafaqu edhe me pezullim… po çregjistrimin ja bënë edhe vet vetes nëse nuk i nal këto veprime antikushtetuese e antiligjore dhe antishtetërore”, ka thënë Alban Krasniqi, anëtar i KQZ.
Refuzimi i drejtorëve për të ofruar qasje në objektet shkollore u bë pas dorëheqjes së anëtarëve të Listës Serbe nga komisionet komunale zgjedhore.
Procesi i 21 prillit, për largimin apo jo të kryetarëve në katër komunat në veri, nga kjo parti është kërkuar që të bojkotohet nga qytetarët serbë.