Takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e subjekteve politike në Kosovë nuk ka prodhuar zgjidhje për krizën institucionale. Në rast se nuk ka ndryshim të qëndrimit të partive rreth konstituimit të Kuvendit është paralajmëruar “ndihma” e Gjykata Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese mund të jetë adresë e radhës e liderëve institucionalë e politikë për tejkalimin e ngërçit në procesin e konstituimit të Kuvendit. Propozimi ka dalë nga takimi që presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar të enjten me liderët e katër partive kryesore: Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Takimi që zgjati rreth dy orë nuk ofroi ndonjë zgjidhje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Pas takimit Osmani tha se zgjidhjen për daljen nga situata e krijuar nuk e sheh të pamundur porse, sipas saj, për të arritur atë duhet vullnet politik.
Sipas saj, propozimi që në mungesë të një zgjidhjeje tjetër t’i drejtohet Kushtetueses, nuk është kundërshtuar nga asnjëri prej liderëve pjesëmarrës në takim.
“Do të pres edhe pak që të arrihet numri i nevojshëm i votave për Kuvendin. Nuk mund të jap afat, megjithatë nuk mund të presim përgjithmonë se e përmenda se janë qytetarët dhe Kosova që po dëmtohen... Sfidat janë të mëdha, nuk është që nuk po i pranoj apo që po i injoroj. Sa i përket afatit, unë nuk mundem të jap për momentin afat për shkak se varet shumë se si shkojnë zhvillimet. Nëse arrihen numrat për konstituimin e Kuvendit shpejt gjatë javëve në vijim, mirë, nëse jo unë prapë do t`i takoj liderët politikë”, ka thënë ajo.
Osmani foli edhe për dëmet që tha se po i pëson Kosova e qytetarët e saj me moskonstituimin e Kuvendit. Ajo përmendi mosdisbursimin e mjeteve financiare nga Fondi i Rritjes së Bashkimit Evropian, humbjen e mundësive për anëtarësim në organizata e iniciativa ndërkombëtare e dëmtimin e imazhit të Kosovës.
“Llogariteni diku 900 milionë euro do të ishte përfitimi i Republikës së Kosovës sikur Kuvendi të ratifikonte instrumentin apo marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së...”.
Sipas presidentes, në takim është diskutuar opsioni i shkuarjes në zgjedhje, por që, sipas saj, edhe ky vendim nuk mund të merret pa konstituimin e Kuvendit.
“Pra pa u pajtu për konstituim të Kuvendit nuk munden me u pajtu për zgjedhje”, ka thënë ajo në konferencën për media, pas takimit me liderët politikë.
Paraprakisht liderët partiakë, përveç kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, ndanë qëndrimet e tyre në lidhje me takimin. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se Kurti duke mos i pasur votat po e mban peng shtetin.
“Ne shkuam në takim me i shprehë qëndrimet tona me i dhënë kontributin për të gjetur një zgjidhje nga kjo situatë, nuk po besoj që ka dalë tym i bardhë, siç po shihet, nuk po e di a po shihni që ka tym najkun”.
Sipas Krasniqit, bllokada me të cilën po përballen është më shumë politike sesa juridike.
“Kërkova që deputeti Kurti ta ndryshojë kandidaten… një gjë e tillë nuk pres që të ndodhë andaj fatkeqësisht jemi në situatën në të cilën jemi”, tha Krasniqi, i cili konfirmoi se mbështet idenë që presidentja t`i drejtohet Kushtetueses kurdo që ajo e konsideron të nevojshme.
E kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u shpreh se takimet e tilla nuk kanë kuptim nëse nuk ka gatishmëri politike për të gjetur zgjidhje, e që sipas tij, mungoi të enjten. “Ne e kishim një ide, kishim një plan përpara, dy partitë e tjera dhanë mirëkuptim për këtë plan, presidentja kërkoi unitet edhe për disa çështje madhore por jo punë, është vështirë që të bëhet pa të parin, pa partinë e parë që i ka 48 mandate”, tha Abdixhiku, i cili shtoi se nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë, nuk është bërë asnjë propozim në takim. “Kryetari i LVV-së ka të drejtën e formimit të shumicës, pretendon se mund ta bëjë, le ta bëjë, ajo çka më habiti shumë ishte fakti që na tha që s`ka asnjë urgjencë, që kjo pritje ishte më shumë çështje mediatike e jo e popullit të Kosovës. E për këtë s`pajtohem fare”, tha ai.
Kurse kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në takim ka përsëritur kërkesën për ndërrimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
“Kemi dhënë idenë tonë si me ecë përpara, pra që do ta votonim kandidatin për kryetar kuvendi një person unifikues në mënyrë që të kalojmë në një etapë tjetër dhe kuptohet e kemi mirëprit këtë mundësi pra të bisedës me presidenten”.
Pas liderëve të VV-së, PDK-së, LDK-së e AAK-së, presidentja Vjosa Osmani priti në takim edhe përfaqësues të partive joshqiptare. Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani ka dëgjuar këndvështrimet e përfaqësuesve të komuniteteve në lidhje me rrugën përpara drejt konstituimit të Kuvendit.
“Presidentja ritheksoi se mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionimi i institucioneve janë prioritete kyç në interes të qytetarëve dhe të stabilitetit të vendit”, thuhet në njoftim.
Takime të ngjashme presidentja ka paralajmëruar se do të zhvillojë edhe gjatë javës së ardhshme.