LAJMET E MBRËMJES

Misioni vëzhgues i BE-së: Fushata zgjedhore, subjekt i ndërhyrjes nga Serbia dhe SHBA-ja

Në raport thuhet se zgjedhjet parlamentare ishin të qeta dhe konkurruese, porse procesi u ndikua nga organizimi i dobët nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe vonesa kritike në shpalljen e rezultateve. Po ashtu u theksua edhe ndërhyrja nga jashtë gjatë fushatës

Fushata zgjedhore ishte subjekt i ndërhyrjes nga Serbia dhe administrata e SHBA-së, e procesi zgjedhor u ndikua nga organizimi i dobët i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është theksuar në raportin përfundimtar të misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian.

Raporti është publikuar të enjten dhe në të janë dhënë 19 rekomandime.

“Fushata ishte dinamike pa incidente të mëdha. Megjithatë, retorika negative, sulmet e ashpra verbale dhe gjuha nxitëse ishin të përhapura gjatë ngjarjeve të fushatës. Përveç kësaj, fushata ishte subjekt i ndërhyrjes së jashtme nga Serbia dhe administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raportin e misionit vëzhgues të BE-së.

E shefja e misionit për vëzhgimin e zgjedhjeve, Natalie Loiseau, gjatë publikimit të raportit për zgjedhjet e 9 shkurtit ka thënë se është vërejtur edhe politizim i institucioneve kyç të përfshira në këtë proces. Ka dhënë edhe disa vërejtje të tjera.

“Fushata ka qenë dinamike, por kemi vërejtur një rritje të pluralizmit politik. Periudha dinamike e fushatës në njëfarë mënyre u njollos nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse. Ne kemi vëzhguar raste të ndërhyrjeve të huaja në procesin zgjedhor. Ne po ashtu kemi marrë raport mbi votuesit në zonat me shumicë serbe. Ne kemi vërejtur politizim të institucioneve kyç të përfshira në zgjedhje. KQZ-ja fillimisht dështoi të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet dhe për të aprovuar financimin e partive me kohë”, ka thënë Loiseau.

Loiseau është shprehur se personat me aftësi të kufizuara sërish u përballën me pengesa për të votuar në mënyrë të pavarur e gratë me gjuhë të urrejtjes. 

“Gratë gjithashtu ishin në mënyrë të veçantë të shënjestruara nga gjuha e urrejtjes. Hapësira për komunitetet joshumicë, veçanërisht ato më të vogla, po ngushtohet. Edukimi i votuesve nuk u ofrua në mënyrë të qëndrueshme në gjuhët e komuniteteve joshumicë. Personat me aftësi të kufizuara vazhduan të përballen me pengesa për të votuar në mënyrë të pavarur, duke përfshirë edhe vendvotimet që nuk janë të qasshme”, ka thënë Loiseau.

Si një prej 19 rekomandimeve të dhëna në raport është edhe realizimi i një auditimi të pavarur e gjithëpërfshirës të listës së votuesve.

“Të forcohen masat mbrojtëse ligjore në lidhje me anëtarët dhe sjelljen e zyrtarëve të zgjedhjeve për të garantuar paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore. Të kufizohen dhe specifikohen më tej përgjegjësitë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Sekretariatit të KQZ-së dhe komisioneve komunale zgjedhore për të decentralizuar vendimmarrjen e administratës së zgjedhjeve aty ku është e përshtatshme dhe për të siguruar efikasitet dhe veprim me kohë të operacioneve të saj. Të bëhet një verifikim gjithëpërfshirës i pavarur i listës së votuesve, duke përfshirë përmes analizës së brendshme të proceseve të regjistrimit dhe testimit statistikor dhe në terren, në konsultim me palët përkatëse të interesit, për të adresuar shqetësimet mbi saktësinë e saj dhe për të rritur besimin e publikut”, janë disa nga rekomandimet e dhëna në raport.

Gjatë së enjtes raporti i është dorëzuar edhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, i cili priti në takim shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, Nathalie Loiseau.

Sipas njoftimit nga Kryeministria, Kurti ka shprehur mirënjohjen për angazhimin e misionit të BE-së në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe ka theksuar rëndësinë e rekomandimeve të raportit për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve demokratike në vend.

Ai ka ngritur disa çështje që lidhen me procesin zgjedhor. Kurti i është ankuar Loiseaut për siç ka thënë, mungesë verifikimi të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore. 

“Gjatë diskutimit, ai ngriti disa çështje me rëndësi që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë: -mungesën e verifikimit nga gazetarët hulumtues profesionistë të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore nga përfaqësues të partive politike, veçanërisht nga kandidatët për kryeministër, të cilat rrezikojnë të cenojnë besimin e qytetarëve dhe dëmtojnë demokracinë; -financimin e fushatave zgjedhore të partive politike, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë të burimeve të financimit dhe kontributeve të marra gjatë fushatës; dhe -stërzgjatjen e numërimit të votave”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Po ashtu, Kurti ka folur për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor. Ai ka përmendur përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si "RT Balkans" dhe "Sputnik Srbija" që, sipas tij, kanë shpërndarë mbi 60 artikuj me synim manipulimin e komunitetit serb në Kosovë.