Ministri në detyrë, Nenad Rashiq, vlerëson se Kuvendi nuk është i konstituuar. Ai pret masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese e nga presidentja e vendit, pret që të mos e mandatojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, derisa të zgjidhet një nënkryetar i Kuvendit nga komuniteti serb
Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, vlerëson se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar, pavarësisht se kryeparlamentari Dimal Basha, më 30 gusht, e shpalli të mbyllur seancën e nisur qysh më 15 prill.
Deputeti ka theksuar nevojën e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb për të përmbyllur këtë proces.
Emri i tij dhe i nëntë deputetëve të Listës Serbe doli në votim nga 3 herë, aq sa lejohet me aktgjykimin e Kushtetueses, por asnjëri në asnjë rast nuk i mori votat e mjaftueshme.
“Unë kam komunikim të mirë me kryeministrin dhe ministrat e tjerë, por megjithatë, prapë të gjithë ne politikanët duhet të jemi objektivë dhe të jemi të përgjegjshëm për punën që e bëjmë dhe ta flasim të vërtetën. Në këtë rast, për mendimin tim, të gjithë politikanët kanë obligim që ta thonë të vërtetën nga këndi që ne shikojmë gjërat. Unë në këtë rast po më duhet të jem më i përgjegjshëm mbi të gjithë ata përfaqësues të Listës Serbe që nuk dinë as të drejtohen në mënyrën e duhur. Unë me çdo respekt që kam ndaj përfaqësuesve të LVV-së, më duhet të tregoj se në këtë rast dhe besoj se do të dëshmohet se nuk është konstituuar Kuvendi, siç është paraparë me Kushtetutë”, ka thënë Rashiqi.
Për mbylljen e seancës pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, Lista Serbe i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese dhe Rashiqi pret që ajo gjatë kësaj jave të vendosë masë të përkohshme në mënyrë që të mos rrjedhë afati për formimin e qeverisë.
Rashiqi, që është edhe ministër në detyrë, është shprehur i bindur se as presidentja Vjosa Osmani nuk do ta mandatojë kandidatin e LVV-së për kryeministër derisa të ketë një vendimmarrje të Kushtetueses pas ankesës së Listës Serbe.
Presidentja Vjosa Osmani ka takuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në fillim të kësaj jave dhe nga Presidenca është bërë e ditur se ekipi ligjor i saj po e analizon situatën e krijuar në Kuvend.