LAJMET E MBRËMJES

Vitia: Brenda dy javësh do të shqyrtohen kërkesat për kushtet e punonjësve privatë

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ia shprehu katër kërkesa ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një takimi me të cilin e zhvilloi të martën. Dy nga to kanë të bëjnë me shujtën dhe me kthimin e punëtorëve teknikë dhe të sigurimit fizik nën menaxhimin direkt të SHSKUK-së.

“Kemi kërkuar që punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që pagat të cilat i kanë nuk mjaftojnë dhe ministri e mori një obligim që së paku në suaza të kushteve ligjore do të bëjë atë çfarë mund të bëhet në suaza të ligjit. Ia shpjeguam ministrit se gjithherë kur janë bërë stimulimet te punëtorët shëndetësorë, ne kemi qenë të anashkaluar dhe nuk jemi trajtuar ashtu siç duhet”, tha Azemi.

Ministri Arben Vitia nuk dha ndonjë përgjigje konkrete në kërkesa, por

“Ishin gjithsej 4 pika, ishin si kërkesa nga ana e Sindikatës për të cilat ne si ministri dhe unë personalisht mora si obligim që në një afat kohor prej dy ose tre javësh që të kthejmë një përgjigje dhe ato që mund t’i bëjmë do të mundohemi që brenda suazave ligjore, siç u përmend, por edhe ato financiare të bëjmë më të mirën për këta punëtorë të cilët jo vetëm tani, por sidomos në kohën e pandemisë kanë shërbyer krah për krah me punëtorët shëndetësorë”, tha Vitia.

Vitia tregoi se ka kërkuar nga drejtoresha dhe nga Bordi i SHSKUK-së verifikim për numrin e saktë të punëtorëve të sektorit privat, pas supozimeve se paguhen më shumë punëtorë sesa është numri real i atyre që punojnë në institucionet shëndetësore.

Edhe Azemi tha se nuk ka shifër të saktë të tyre, por bëri të ditur se të regjistruar në Sindikatë janë rreth 290 punëtorë.