Para se të dilnin në treg ilaçet e reja për obezitetin, GLP-1, që janë për diabet, pothuajse askush nuk përdorte termin “food noise” - zë i brendshëm që të shtyn të hash (përkthim i përshtatur), ka shkruar The New York Times.
Shkencëtarët që studionin barna si Ozempic, Wegovy, Mounjaro dhe Zepbound fokusoheshin te dozat, efektet anësore, humbja në peshë dhe përmirësimi i sëmundjeve si diabeti apo problemet me zemrën.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPor mendimet e vazhdueshme për ushqimin, çka të hash, kur të hash, si të rezistosh, nuk ishin pjesë e studimeve.
Ndërkohë, njerëzit që i përdornin këto barna kishin diçka shumë të rëndësishme për të thënë: për herë të parë në jetën e tyre, “zëri i brendshëm që të shtyn të hash” ishte zhdukur.

Njerëzit që luftojnë me peshën shpesh përshkruajnë një dialog të brendshëm të pandërprerë për ushqimin.
Lena Smith Parker, 53 vjeçe, e përshkruan kështu: “Ti e di që ka tortë në kuzhinë. Hej, ka tortë në kuzhinë. A nuk e do tortën?”
Një zë tjetër:
“Nuk e do sallatën. Nuk i do karotat. Ti do tortën” dhe një tjetër, më i ashpër: “Je shumë e shëndoshë. Nuk të duroj dot”.
Këto mendime e shtyjnë njeriun të hajë, edhe kur nuk ka uri reale.
Pse ndodh kjo? Teoria e “set point”
Studiuesit besojnë se kjo lidhet me konceptin “set point”, një peshë që trupi tenton ta mbajë natyrshëm.
“Set point” është pesha “e programuar” e trupit.
Është një nivel peshe që trupi përpiqet ta ruajë automatikisht, përmes oreksit (sa shpesh dhe sa shumë të hahet), metabolizmit (sa shpejt djeg kalori) dhe hormoneve që kontrollojnë urinë dhe ngopjen.
“Obeziteti vjen nga rritja fillestare e ‘set point’ në një nivel jonormal”, ka shpjeguar doktori Lee Kaplan.
Kur një person përpiqet të bjerë shumë nën këtë nivel metabolizmi ngadalësohet, trupi kërkon më shumë ushqim dhe “zëri i brendshëm që të shtyn të hash” rritet.
Kjo është arsyeja pse dietat shpesh dështojnë në afat të gjatë.

Kur truri “qetësohet”
Kur Lena mori pjesë në një studim me ilaçin tirzepatide, ajo përjetoi diçka të papritur: mendimet për ushqimin u zhdukën.
“Mendova me vete: prit pak… truri im është bosh”, ka thënë ajo.
Por kur ndaloi ilaçin, ajo tha se “zëri i brendshëm që të shtyn të hash” u kthye edhe më i fuqishëm se më parë dhe rifitoi peshë shumë shpejt.
Si funksionojnë këto ilaçe?
Sipas specialistes, Ania Jastreboff, këto barna mund të “rivendosin ‘set pointin’” në një nivel më të ulët.
Kjo do të thotë se njerëzit ende ndiejnë uri, por nuk kanë më atë dialog të vazhdueshëm në kokë që i shtynë të hanë pa ndalim.
Megjithatë, efekti duket se zgjat vetëm sa kohë që përdoret ilaçi.
Profesori Rudolph Leibel e krahason këtë me efektin që ka aspirina.
“E ul temperaturën, por nuk shëron shkakun”, ka thënë ai.
Pyetja e madhe
“Kjo është pyetja miliona apo miliarda dollarëshe”, ka thënë endokrinologu, Daniel Dricker, një nga shkencëtarët kryesorë që ka kontribuar në zhvillimin e ilaçeve moderne për obezitetin (GLP-1)
Pra, si e ndryshojnë këto ilaçe “set pointin”? Dhe pse disa njerëz e kanë këtë nivel kaq të lartë?
Këto janë pyetje të cilave shkenca ende po përpiqet t’u përgjigjet.
Përvoja që ndryshon gjithçka
Edhe gazetarja e mirënjohur, Oprah Winfrey, ka folur për këtë fenomen.
“Befasia më e madhe ishte të zgjohesha dhe të mos mendoja për gjënë e parë që doja të haja…”, ka thënë ajo.
Endokrinologu Dicker ka thënë se ata që nuk e kanë pasur këtë problem gjykojnë të tjerët, pasi nuk e kanë idenë se si është kjo ndjenjë.
“Njerëzit që nuk kanë probleme me peshën shpesh gjykojnë… sepse nuk e kanë përjetuar që truri i tyre t’i shtyjë në këtë mënyrë”, ka thënë Dricker.
Ky fenomen po ndryshon mënyrën se si kuptohet obeziteti. Sipas shkencëtareve, nuk është vetëm çështje vullneti, por edhe mënyra si truri dhe trupi komunikojnë me njëri-tjetrin.