Lifestyle

Si t’i mbani ushqimet në frigorifer që të zgjasin më shumë

ushqime

Foto: Associated Press

Pas përzgjedhjes me kujdes të produkteve më të freskëta në treg, njerëzit më pas përballen me më shumë pyetje në shtëpi – kur bëhet fjalë për ruajtjen e perimeve, frutave, mishit dhe produkteve të qumështit – për të ndihmuar në zgjatjen e freskisë.

Ka disa metoda se si të ruhen ushqimet, të tilla si konservimi, ngrirja e ushqimeve tepricë dhe ruajtja e ushqimit në frigorifer. Edhe pse mbajtja në frigorifer është efektive dhe shumica e shtëpive e aplikojnë, ekspertët thonë se shumica e familjeve thjesht e lënë ushqimin aty dhe e harrojnë.

“Ruajtja në frigorifer e artikujve ushqimorë që prishen është hapi i parë, por është e domosdoshme të jemi të vetëdijshëm për kohën kur janë përgatitur disa ushqime, kur janë ekspozuar ndaj ajrit, dhe kur janë futur në frigorifer. Artikujt në frigorifer janë ende në gjendje të krijojnë myk dhe mikroorganizma të rrezikshëm si listeria, Salmonella dhe E. Coli, kështu që konsumuesit duhet të jenë vigjilentë dhe të marrin masat paraprake”, ka thënë Emily Hilliard, zëdhënëse në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së.

Kjo veçanërisht është e rëndësishme gjatë sezonit të festave, kur njerëzit blejnë më shumë dhe presin që ushqimet të zgjasin. Planifikimi i recetave, blerja e më pas produkteve dhe të qenit kreativë me tepricat ushqimore mund të ndihmojnë në zvogëlimin e shkuarjes dëm të ushqimit, ka thënë Diane Beckles, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë.

Qëndrueshmëria e ushqimeve në frigorifer

Ruajtja e duhur e ushqimit në frigorifer është më shumë se thjesht futja e produkteve në një frigorifer. Futja në mënyrë të duhur e produkteve si mishi dhe ato të qumështit mund të ndihmojë në zgjatjen e freskisë, zvogëlimin e prishjes dhe parandalimin e sëmundjeve që vijnë nga to.

Për shembull, produktet e qumështit janë të prira të prishen nëse nuk ruhen siç duhet. Djathi nuk duhet të vendoset në raftin e sipërm ose në dyer. Kosi mund të ruhet në raftin e sipërm.

Mishi duhet të ruhet në raftin e poshtëm për ta parandaluar kontaminimin e kryqëzuar – bakteret të kalojnë nga një ushqim në tjetrin.

Vezët duhet të ruhen në kuti kartoni në raftet e mesit ose prapa.

Buka dhe drithërat nuk mbahen në frigorifer.

Tepricat ushqimore mund të mbahen në raftet e sipërme.

Salcat, erëzat dhe lëngjet mund të ruhen në derë.

Përdorni rafte për të ndarë frutat dhe perimet. Mbështillni perimet e gjelbra për të parandaluar prishjen. Disa produkte mund të ruhen në temperaturë dhome.

Ekspertët thonë se mënyra e duhur e ruajtjes së ushqimit fillon para se produktet të arrijnë në frigorifer. Ndiqni udhëzimet e trajtimit dhe vendosni ushqimet në frigorifer brenda dy orësh nga momenti që janë në temperaturë dhome. Departamenti i Energjisë rekomandon mbajtjen e temperaturës së frigoriferit mes 1.7 – 3.3 gradë Celsius.

Rrjetet sociale kanë ofruar këshilla pafund për t’i bërë ushqimet të zgjasin më shumë, si larja e frutave para futjes në frigorifer dhe ruajtja e të gjithave nëpër enë plastike apo qelqi. Por, ekspertët thonë se nuk ekziston një mënyrë e duhur për të ruajtur si duhet shumë ushqime.

Sipas profesorit Wyatt Brown, ruajtja e ushqimeve varet nga temperatura dhe lagështia. Pas kësaj, ai thotë se ruajtja bëhet më e rafinuar duke përfshirë hapësirën ku ruhen ushqimet, koha e vakteve dhe preferencat personale.

Frutat dhe perimet

Shumica e produkteve, përfshirë frutat, perimet dhe barishtet, janë të freskëta. Ekspertët thonë se ruajtja e tyre në frigorifer mund të ngadalësojë prishjen, nëse bëhet si duhet.

Ekspertët rekomandojnë përdorimin e rafteve të frigoriferit për të ndarë frutat dhe perimet për të kontrolluar lagështinë. Mbajini manaferrat të thata dhe lajini pak para se t’i hani. Vendosni brokolin, karotat dhe fasulet në frigorifer, dhe ruajini perimet me gjethe jeshile në qese plastike apo letre për të parandaluar vyshkjen.

Disa produkte, si domatet, dardhat dhe mollët, lëshojnë gaz etilen ndërsa prishen, duke bërë që frutat dhe perimet përreth të piqen më shpejt. Kështu që, ekspertët rekomandojnë të hiqni ato që prishen nga ato që janë të freskëta. Qepët, hudhrat, mollët, nektarina, frutat agrume dhe kungulli mund të lihen jashtë frigoriferit.

Mishi, vezët dhe fasulet

Mishi i pagatuar nuk duhet të lihet në temperaturë dhome për më shumë se dy orë. Kur vendoset në frigorifer, mishi duhet të mbahet në fund për të parandaluar kontaminimin me produktet e tjera.

Udhëzimet nga Departamenti i Ushqimit sugjerojnë që vezët të mbahen në mes ose raftet e pasme, jo në dyer ku temperatura është më e ngrohtë.

Produktet e qumështit

Qumështi, jogurti dhe djathi duhet të futen në frigorifer. Ekspertët thonë se jogurti mund të mbahet në raftet e sipërme të frigoriferit. Djathi nuk duhet të mbahet sipër ose në dyer të frigoriferit ku qarkullimi i ajrit mund ta thajë. Ekspertët thonë se qumështi i sojës, kokosit dhe i lajthisë duhet të mbahen në frigorifer, por varësisht nga paketimi i tyre mund të mbahen edhe në temperaturë dhome deri kur hapen.

Buka, drithërat dhe orizi

Buka në frigorifer thahet dhe bëhet më bajate. Megjithatë, frigoriferi ngadalëson krijimin e mykut dhe ngrirja e plotë mund ta ruajë deri në gjashtë muaj bukën. Ushqimet që nuk prishen si orizi, makaronat dhe mielli mund të ruhen në temperaturë dhome.

Të tjera

Ushqimet e gatshme dhe tepricat mund të mbahen në raftet e sipërme për qasje të shpejt, ndërsa salcat, erëzat dhe pijet jo-qumështore mund të mbahen në derë ku është më ngrohtë. Tepricat mund të mbahen në frigorifer për 4 deri 4 ditë ose të ngrira plotësisht për 3-4 muaj. Ruajtja e alkoolit varet nga lloji, nëse është e hapur dhe nëse përmban produkte qumështi apo fruta. Vera e hapur duhet të mbahet në frigorifer në njërën anë për të ngadalësuar oksidimin dhe për ta mbajtur tapën të lagësht.