Filmi i parë i metrazhit të gjatë të regjisorit shqiptar Fisnik Maxville, Toka brenda meje”, e ka nisur mbarë rrugëtimin e tij duke u shpërblyer me çmimin, “Filmi më i mirë debutues,” në një festival të kategorisë A. Në një intervistë për emisionin “Nëpër Film”, regjisori u shpreh i befasuar me triumfin dhe njëkohësisht i lumtur për këtë arritje.
“The Land Within Me” apo “Toka brenda meje”, premierën botërore e shënoi pikërisht në festivalin prestigjioz “Tallinn Black Night” në Estoni. Fisniku bashkë me një pjesë të ekipit të filmit, përfshirë këtu aktorët kosovarë Florist Bajgora dhe Armend Smajli, ishin të pranishëm në këtë ngjarje.
Filmi ka për personazh kryesor Remon i cili pas shumë vjetësh në mërgim, kthehet nga Gjeneva në vendlindjen e tij, në Kosovë. Dashuria e tij e parë, Una, e thërret për ta informuar për vdekjen e kryefamiljarit dhe për hapjen e një varri masiv. Kthimi nuk është i lehtë. Remos i duhet të përballet me të kaluarën dhe të tashmen e tij.
Sipas regjisorit, rrugëtimi i filmit nëpër festivale do të vazhdojë tutje, duke mos e harruar as premierën për publikun shqiptar.
Xhirimet e filmit nisën më 8 shkurt të 2021-s dhe përfunduan pas tre muajsh. Ai është realizuar me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Federal Office for Culture, Cinéforom, Loterie romande, Media Desk Suisse, Suissimage dhe FOCAL, në bashkëprodhim me Radio Télévision Suisse. Për producent e ka Valon Bajgorën, Yll Ukën, Britta Rindelaub dhe Thomas Reichlin, dhe është prodhuar nga “Ikonë-Studio” dhe “Alva Film”.
Përveç Florist Bajgorës dhe Armend Smajlit, në film luajnë edhe aktorët, Luàna Bajrami, Luan Jaha, Irena Aliu, Kumrije Hoxha, Meli Qena, Çun Lajçi dhe të tjerë.