Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Opinion

Bixhozi politik i opozitës

Në politikë, momentet vendimtare rrallë janë produkt i një racionaliteti të pastër linear. Ato përcillen me kthesa të forta, ku ambicia, kalkulimi dhe egoja përplasen në një terren me mjegull. Ajo që po ndodh në Kosovë, dështimi për zgjedhjen e presidentit dhe shkaktimi i zgjedhjeve të reja, nuk është thjesht një krizë politike apo institucionale. Është një bast i madh politik i bërë nga opozita, një përpjekje për të rishkruar rregullat e lojës në mes të garës politike. 

Opozita ka zgjedhur të mos luajë me kartat dhe fuqinë politike që ka, por të përmbysë tavolinën duke bërë një bast politik, një “hedhje të zareve” në një terren ku probabilitetet nuk janë kurrë plotësisht të llogaritshme. Ky nuk ishte vetëm refuzim për t’u bërë pjesë e zgjidhjes së ngërçit presidencial, por më tepër një strategji me rrezik të lartë. Në thelb, është një përpjekje për ta relativizuar rezultatin e 28 dhjetorit 2025, ku Lëvizja Vetëvendosje mori 51.1% të votave, dhe për ta ndalur konsolidimin e një hegjemonie politike që lehtë mund të kthehet në normë politike. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kjo lëvizje mund të mbartë një paradoks: duke synuar ta dobësojë fuqinë politike të VV-së, veprimet e opozitës mund ta forcojnë atë tutje. Sepse nëse elektorati i lexon veprimet e opozitës si bllokadë të qëllimshme, ajo rrezikon të shndërrohet nga alternativë në fajtore e shkaktimit të zgjedhjeve të reja dhe nëpërkëmbjes së vullnetit demokratik të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Në politikë, perceptimi është monedhë më e fortë se argumenti. 

Në këtë sfond, LDK-ja po luan një lojë të dyfishtë: nga njëra anë, duke qenë në unison me PDK-në dhe AAK-në kundër VV-së; nga ana tjetër, tentativa për fuqizim politik përmes afrimit me Vjosa Osmanin. Rikthimi i saj në LDK po shihet nga lidershipi i partisë si mundësi për zgjerim të mbështetjes së votuesve pas rezultatit katastrofik të dhjetorit. Megjithatë, edhe ky veprim mbart rrezikun e thellimit të tensioneve dhe përplasjeve të brendshme, duke ditur qëndrimet e ish-kryeministrit Avdulla Hoti apo ish-ministres Hykmete Bajrami. Osmani është ndërtuar si figurë larg ndikimit nga lidershipi i partisë së saj mëmë dhe rikthimi i saj në LDK e rrezikon këtë kapital simbolik, përderisa ajo nuk është në krye të partisë. Nëse elektorati e percepton këtë si kooptim, jo si bashkim vlerash, transferimi i votës mund të mos ndodhë. 

Në anën tjetër të spektrit, PDK-ja operon me një logjikë më të ftohtë veprimi. Për të, zgjedhjet e reja janë një mundësi për të rikthyer veten si pol i pashmangshëm i pushtetit. PDK-ja nuk e ka luksin e qëndrimit të vazhdueshëm në opozitë; ajo ka nevojë për një rikonfirmim elektoral që e vendos si aktor kyç në çdo formulë qeverisëse. Mbështetja e një skenari që çon në zgjedhje të reja nuk ishte vetëm kundër VV-së, por edhe për rikonstruktimin e vetes si alternativë qeverisëse me peshë. 

Por këtu hyn dimensioni më i ndërlikuar: rireshtimet para zgjedhjeve. 

LDK-ja dhe PDK-ja përballen me një dilemë klasike të politikës: të garojnë veçmas për të ruajtur identitetin apo të bashkohen me parti të tjera për të synuar rezultat më të madh. Një koalicion parazgjedhor i tyre me AAK-në apo Nismën do të kishte logjikë aritmetike, por do të përballej me barrën e memories politike dhe mosbesimit të ndërsjellë. Alternativa më realiste mbetet koordinimi i heshtur mes partive opozitare para zgjedhjeve, në veçanti mes PDK-së dhe LDK-së, si dhe një strategji e sinkronizuar e veprimit politik pas zgjedhjeve. Por këto parti mund të vendosen në pozitën e pamundur që, pas zgjedhjeve, të varen nga votat e Listës Serbe për të krijuar shumicë qeverisëse, e cila megjithatë do të ishte e pamjaftueshme për ta zgjedhur presidentin e ri. Duke ditur koston e lartë politike që bart për elektoratin një bashkëpunim i tillë i mundshëm, ato rrezikojnë të ndëshkohen rëndë nga votuesit në zgjedhjet e radhës në vjeshtë, nëse i futen një aventure të tillë politike. Ky skenar fuqizon pozicionin e VV-së karshi partive opozitare, dhe ato janë të vetëdijshme për një rrezik të tillë.

AAK-ja, ndërkohë, është në një pozitë më delikate. Pragu prej 5% nuk është thjesht barrierë; është vijë mbijetese politike. Garimi i vetëm mbart rrezik real, duke parë rezultatin e dhjetorit 2025. Në këtë kontekst, një afrim me një nga blloqet opozitare bëhet jo vetëm opsion strategjik, por pothuajse domosdoshmëri për të shmangur margjinalizimin politik dhe humbjen e statusit të partisë parlamentare për herë të parë që prej se garon në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. 

Ndërkohë, ideja e një fronti të gjerë anti-VV apo rirreshtimet politike e partiake brenda kampit opozitar mund të kenë sens në letër, por jo domosdoshmërisht edhe në praktikë. Politika nuk është vetëm matematikë mandatesh; është edhe simbolikë dhe legjitimitet. Çdo konfigurim që perceptohet si koalicion kundër dikujt, dhe jo për diçka, rrezikon të jetë jetëshkurtër. Historia politike e Kosovës e ka provuar këtë disa herë. Këtu vlen të përmenden koalicionet heterogjene dhe jofunksionale VLAN apo PAN. 

Në këtë lojë, VV hyn me avantazh të dyfishtë: numerik dhe narrativ. VV-ja e mban këtë pozicion jo si privilegj të dhënë, por si produkt të 51.1%-it. Ky kapital politik është i vështirë të shterohet brenda një cikli të vetëm zgjedhor. Andaj, VV-ja mund ta kthejë këtë krizë në referendum ndaj “bllokadës opozitare”. Nëse arrin ta artikulojë këtë me disiplinë, me motivim të votuesve e strukturës partiake dhe pa arrogancë, e ka terrenin në favor. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, do të ballafaqohet me humbje të mbështetjes qytetare nën 52 apo 53 deputetë, çka do t’ia pamundësonte krijimin e qeverisë së ardhshme e vetme dhe do ta detyronte të negocionte me njërën nga partitë opozitare për ta formuar qeverinë. Elektorati kosovar e ka treguar se e ndëshkon arrogancën po aq sa edhe korrupsionin dhe paaftësinë. 

Në fund, lojtari vendimtar mbetet votuesi. Ai nuk është spektator; është arbitri që do të japë vlerësimin përfundimtar dhe ndaj si përfitimet, ashtu edhe kostot e bixhozit politik që lidhen me krizën e fundit politike. Votuesi e ndien drejtpërdrejt koston e këtij bixhozi: institucione të bllokuara, vendime të shtyra, ekonomi në pritje dhe miliona euro të shpenzuara për zgjedhje që mund të ishin shmangur. 
Në këtë kontekst, opozita po luan një lojë me probabilitete të pasigurta dhe që nuk i ka në kontroll të plotë, duke shpresuar në gabimin e kundërshtarit. Por në politikë, si në çdo bixhoz, nuk fiton ai që shpreson më shumë; fiton ai që lexon më mirë terrenin. 

Andaj, këtu qëndron edhe mësimi më i rëndësishëm i këtij momenti: zaret mund të hidhen, por pasojat nuk do të bien mbi lojtarët politikë njësoj. Ato do të bien edhe mbi shtetin, mbi institucionet dhe mbi qytetarin. Dhe këtë faturë Kosova nuk e ka luksin ta paguajë pa fund.