Opinion

Fitorja që s’erdhi nga perfeksioni, por nga mungesa e alternativës

Fitorja e Vetëvendosjes dhe humbja e partive opozitare më tepër se një rezultat i një dite votimi, janë përmbledhje e një viti të tërë sjelljeje politike, vendimesh të gabuara dhe një shkëputjeje të thellë të opozitës nga vetë ideja se politika ka për detyrë ta mbajë shtetin në ritëm. Vota nuk u dha si shpërblim për përsosmërinë e qeverisë gati 5-vjeçare të Kurtit,  por si kërkesë për normalitet. Dhe pikërisht ky instinkt për normalitet, jo për ideal, e përcaktoi verdiktin politik të së dielës.

Vetëvendosje fitoi, sepse arriti të paraqitet si forca që, pavarësisht mangësive dhe tensioneve të brendshme, garantonte të paktën një minimum stabiliteti institucional. Nuk fitoi sepse gjithçka shkoi për mrekulli gjatë mandatit 4-vjeçar, fitoi sepse alternativa që ofronin kundërshtarët ishte edhe më e paqartë dhe më kontradiktore. Përballë obsesionit për ta ndalur një njeri dhe mungesës totale të një plani të tyre, elektorati u orientua drejt mesazhit që dukej më koherent dhe më i lexueshëm në raport me realitetin politik.

Në një vit të shënuar nga Kuvendi i bllokuar, raunde të pafundme votimi për çështje procedurale dhe negociata politike që dështonin po aq shpejt sa niseshin, ideja e “normalitetit” po zhdukej nga horizonti politik. E kur normaliteti mungon, ai shndërrohet në vlerë politike më vete. Në këtë klimë, stabiliteti qoftë edhe minimal u përkthye në kapital elektoral. Dhe Vetëvendosje arriti të jetë adresa ku një pjesë e madhe e votuesve e projektoi këtë pritje.

Kësisoj, humbja e opozitës, në këtë kuptim, nuk ishte rastësi. Ajo u ndërtua ngadalë, me vendime që mund të duken taktike në afat të shkurtër, por që rezultuan shkatërruese në planin strategjik. Pas zgjedhjeve të shkurtit, kur Vetëvendosje doli forcë e parë pa shumicë të mjaftueshme, opozita kishte një mundësi reale për ta kthyer peshën e saj parlamentare në ndikim politik. Mund të negocionte marrëveshje bazike shtetërore, të vendoste standarde për qeverisjen, të përdorte nevojën për koalicion si hapësirë për reforma të domosdoshme. Por, zgjodhi rrugën tjetër, atë të refuzimit të plotë. Duke e reduktuar gjithë veprimin politik në një mohimin e tjetrit, opozita e ngushtoi vetveten dhe e humbi mundësinë për të treguar se mund të ishte faktor shtetformues.

Kjo zgjedhje e varfëroi opozitën në dy drejtime. 

Së pari, e privoi nga gjuha e alternativës. Publiku dëgjoi pafundësisht pse Kurti nuk duhej të qeveriste, por pothuajse kurrë se si do të qeverisnin të tjerët. Së dyti, e zhveshi opozitën nga përgjegjësia për pasojat e bllokadës. Kur Kuvendi nuk funksionon, kur vendimet shtyhen dhe buxheti vihet në pikëpyetje, qytetari nuk ka gjasa të bëjë analiza të ndërlikuara kushtetuese, por kërkon fajtorin politik. Në këtë kontekst, partitë opozitare u panë si aktore që refuzonin çdo zgjidhje, pa ofruar asnjë alternativë konkrete. Kështu, ato u perceptuan jo si kundërpeshë e pushtetit, por si pjesë e problemit që pengonte funksionimin normal të shtetit.

Vetëvendosje e kuptoi më shpejt këtë dinamikë. Ajo e ndërtoi narrativën e vet mbi idenë se po pengohej të qeveriste, jo se po refuzonte të bashkëpunonte. Edhe kur kritikat ndaj saj ishin reale  për qasjen konfliktuale, për ritmin e reformave, për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë ato u zbehën përballë një realiteti më të prekshëm, e që dikush duhej ta nxirrte shtetin nga kjo bllokadë. Në këtë kuptim, fitorja e Vetëvendosjes është më shumë votë për rend normal sesa për ideologji. 
Opozita bëri edhe një gabim tjetër, ndoshta më të rëndin. E personalizoi betejën deri në atë masë sa ia dorëzoi gjithë qendrën e skenës kundërshtarit. Duke e kthyer gjithë betejën politike në një referendum kundër Albin Kurtit, opozita  pa dashur vetëm sa e forcoi rolin e tij si figurë qendrore dhe pothuajse të pashmangshme në jetën politike të vendit.

Sa më shumë që Albin Kurti u paraqit si figurë problematike, aq më shumë nisi të perceptohej si opsioni më i qëndrueshëm për të mbyllur paqartësinë politike. Ky është një nga efektet e njohura në politikë, kur kritika nëse nuk shoqërohet me një ofertë të besueshme dhe të qartë, ajo shpesh ka prirjen t’i afrojë njerëzit jo larg, por drejt atij që kritikohet.

Rezultati i zgjedhjeve të së dielës ishte, në thelb, gjykim i sjelljes politike gjatë gjithë krizës. Qytetarët nuk votuan për programe të detajuara reformash, sepse asnjë parti nuk arriti ta artikulojë bindshëm një projekt të tillë. Ata votuan për t’i dhënë fund një cikli bllokade. Dhe në këtë përballje, opozita hyri e dëmtuar nga vetja, e fragmentuar, e paqartë dhe e paaftë për ta kthyer refuzimin në projekt qeverisës.
Kjo nuk do të thotë se Vetëvendosje fitoi sepse qeverisi në mënyrë ideale. Fitoi sepse, në krahasim me një opozitë që e betonizoi mosbashkëpunimin, Vetëvendosje dukej më e aftë për të prodhuar institucione. Në demokraci të brishta, ky perceptim është vendimtar. Qytetarët mund të jenë kritikë, madje të zhgënjyer, por kur përballen me zgjedhjen mes një pushteti të papërsosur dhe një alternative të paqartë, ata shpesh zgjedhin të parën.

Humbja e partive opozitare shkon përtej numrit të votave, është humbje e rolit që ato duhej të luanin në sistemin politik të Kosovës. Në vend që të vepronin si opozitë me funksion shtetformues, ato u dukën thjesht si aktorë që pengonin gjithçka. Nuk e kuptuan se refuzimi i thjeshtë nuk është program politik dhe se kriza institucionale nuk mund të shfrytëzohet si terren për manovra taktike. Kur qytetari sheh se politika po rrezikon stabilitetin, buxhetin dhe shërbimet publike, reagimi është i qartë dhe i njëjtë kudo: ndëshkon atë që e zgjat paqartësinë.

Ka edhe një dimension më të thellë në këtë humbje. Opozita nuk arriti ta shkëpusë veten nga perceptimi i rendit të vjetër politik. Edhe kur kritikat e saj ndaj qeverisë ishin të sakta, ato u shprehën në një mënyrë që nuk tregonte se diçka thelbësore do të ndryshonte po të vinin në pushtet. Pa një vizion reformues të qartë, kritikat dukeshin më shumë si nostalgji për një rend të vjetër që një pjesë e madhe e elektoratit e ka refuzuar prej kohësh.

Nëse ka një mësim nga kjo fitore dhe kjo humbje, ai është i thjeshtë dhe i qartë: në demokraci, nuk mjafton ta kundërshtosh pushtetin por duhet të dëshmosh se je i gatshëm ta mbash atë. Vetëvendosje arriti ta krijojë këtë perceptim në një moment krize. Opozita, përkundrazi, e humbi këtë shans duke e trajtuar politikën si pengim dhe jo si përgjegjësi ndaj shtetit. Zgjedhjet nuk dhanë vetëm fitues dhe humbës, por ato dhanë një paralajmërim të qartë se kush nuk ofron zgjidhje, gjykohet për krizën që krijon. Dhe ky gjykim, siç u pa, mund të jetë i pamëshirshëm.

(Autori është doktor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare)