Pas një pune rreth pesëvjeçare, në shtator të vitit 2024, Admovere dhe Integra botuan librin tim “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Libri paraqet në mënyrë kronologjike masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, në tri gjuhë (shqip, sërbisht dhe anglisht), të ilustruara me afro 200 fotografi nga fotografët dhe agjencitë më të njohura të botës. Ai është diskutuar në një sërë qendrash akademike e kulturore në Europë dhe Amerikë (Cyrih, Gjenevë, Grac, Vjenë, Shtutgart, Berlin, Luksemburg e Nju Jork) dhe është vlerësuar lart nga personalitete vendore e ndërkombëtare.
Ky projekt u prezentua si ekspozitë, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, më 24 mars 2026, në përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave policoro-ushtarake sërbe-jugosllave. Ekspozita paraqiste një përzgjedhje të materialeve, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e hapësirës publike. Si pjesë e të njëjtit projekt, është planifikuar edhe krijimi i një uebfaqeje dedikuar dokumentimit të masakrave. Këto tri forma – libër, ekspozitë dhe uebfaqe – përbëjnë një tërësi të ndërlidhur dokumentimi të masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoReagimet fillestare ndaj ekspozitës ishin jashtëzakonisht pozitive. Megjithatë, në fund të ditës së katërt të ekspozitës, më 27 mars 2026, reagoi deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së z. Enver Dugolli, i mbijetuar i Masakrës në Burgun e Dubravës. Ai kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së kësaj masakre, veçanërisht sa i takon numrit të të masakruarve dhe statusit të tyre (civilë përkundrejt formacione të armatosura / ushtarë).
Kështu u hap një debat publik dhe lindi nevoja për një sqarim mbi burimet dhe metodologjinë e përdorur. Mirëpo, për fat të keq, pas këtij reagimi, filloi një fushatë linçuese, kryesisht nga eksponentë të partive politike opozitare dhe nga një mori mediash. Ne si organizatorë të ekspozitës, Admovere dhe Integra, reaguam me sqarime, shprehëm keqardhje dhe u kërkuam falje të sinqertë për situatën e krijuar të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës dhe të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë. Por, reagimet tona nuk u botuan nga shumica e këtyre mediave, e në disa raste edhe kur u botuan, u interpretuan në mënyrë të pasaktë.
Le ta sqarojmë edhe një herë tërë situatën pikë për pikë duke shpresuar që tash do të mund të diskutojmë në mënyrë të qetë e racionale:
1. Për përpilimin e listave të të masakruarve për libër dhe për ekspozitë është përdorur si burim lista e të vrarëve e organizatës Humanitarian Law Center (HLC), të udhëhequr nga znj. Nataša Kandić. Arsyeja është e thjeshtë: deri më sot kjo listë është burimi më gjithëpërfshirës për personat e vrarë gjatë luftës në Kosovë, ndonëse jo domosdoshmërisht burimi më i saktë në çdo nënkategori. Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është botimi i parë që, për të gjitha masakrat e evidentuara deri tani, i referohet kësaj liste.
2. Në parathënie të librit është bërë e qartë që kjo listë e HLC-së përmban pasaktësi, veçanërisht në lidhje me kategorizimin e statusit të viktimave, pasi që në disa raste, persona të vrarë si civilë, në këtë listë figurojnë në kategorinë formacione të armatosura përkatësisht ushtarë.
3. Shembulli më eklatant i regjistrimit të civilëve të vrarë si formacione të armatosura përkatësisht si ushtarë është Masakra në Burgun e Dubravës. Sipas listës së HLC-së të znj. Kandić, në Masakrën në Burgun e Dubravës, nga 19 deri më 23 maj 1999, janë vrarë gjithsej 106 veta: prej tyre 58 civilë e 48 formacione të armatosura përkatësisht ushtarë. Ndërkaq i mbijetuari i kësaj masakre, Enver Dugolli, thotë se numri i të vrarëve është 116, kurse një tjetër i mbijetuar i kësaj masakre, Shaban Beka, thotë 160. Prandaj, për t’u bërë plotësimi përfundimtar, debati publik mbi këto çështje është i nevojshëm dhe i dobishëm për të zgjidhur mospërputhjet e këtilla.
4. Është e vërtetë se HLC i ka bërë dy lista. Por, lista e parë është përmbajtësisht e ngjajshme me listën e dytë. Në listën e parë statusin e viktimave ajo e ndan në civilë dhe formacione të armatosura, kurse në listën e dytë kategoria civil mbetet civil, e kategoria formacione të armatosura bëhet ushtar.
5. Zonja Kandić në paraqitjet e saj televizive lidhur me ekspozitën ka deklaruar se unë nuk paskam ditur t’i lexoj të dhënat sepse të vrarët në Masakrën në Burgun e Dubravës nuk janë formacione të armatosura e as ushtarë, ngaqë statusi i tyre ka pushuar në momentin kur janë arrestuar. Ajo ka deklaruar se statusi civil, ushtar apo formacion i armatosur nuk ka të bëjë me statusin e viktimës në momentin e vrasjes. Mirëpo, këtë gjë ajo nuk e ka shpjeguar askund në asnjërën listë. Për më shumë, si në libër ashtu edhe në ekspozitë te rasti i Masakrës në Burgun e Dubravës thuhet se prej 106 të vrarëve, 48 figurojnë pjesëtarë të formacioneve të armatosura, që do të thotë se askund nuk thuhet se kanë qenë të armatosur, por se në listën e HLC-së figurojnë pjesëtarë të formacioneve të armatosura.
6. Duhet theksuar se këto dy lista janë të qarta për t’u kuptuar nga çdo përdorues, porse do të ishte e nevojshme që znj. Kandić ta sqaronte se përse në të dy listat, si në të parën, ashtu edhe në të dytën, 48 persona të vrarë nga forcat sërbe në Masakrën në Burgun e Dubravës, figurojnë si formacione të armatosura përkatësisht si ushtarë. Si është e mundshme që këta të burgosur, civilë e të paarmatosur, të vrarë nga forcat sërbe në Masakrën në Burgun e Dubravës, figurojnë njëjtë sikurse ushtarët shqiptarë të vrarë nëpër beteja të armatosura, ta zëmë në Prekaz apo në Koshare? Për shembull, në të dy listat e HLC-së së zonjës Kandić, figurojnë si formacione të armatosura / ushtarë edhe Halit Sadri Ademaj i vrarë më 22 maj 1999 në Masakrën në Burgun e Dubravës, edhe Adem Shaban Jashari, i vrarë më 7 mars 1998 në Prekaz duke luftuar me forcat sërbo-jugosllave.
7. Janë dy dokumente që e shpjegojnë metodologjinë e përdorur në përpilimin e listave nga znj. Kandić, të hartuara nga ekspertë të angazhuar nga vetë ajo. Këto dokumente e thonë të kundërtën e asaj që ajo ka thënë gjatë këtyre ditëve në paraqitjet televizive se: statusi civil, ushtar apo formacion i armatosur nuk ka të bëjë me statusin e viktimës në momentin e vrasjes.
- Dokumenti i parë është “The Kosovo Memory Book Database”, i botuar nga RECOM (Regional Commission Tasked with Establishing the Facts about All Victims of War Crimes), strukturë e lidhur me HLC-në, në faqen 6 të të cilit, në temën “Online Registry of Human Losses in Connection with the War in Kosovo”, qartë theksohet se lista përmban statusin e viktimës në kohën kur viktima është vrarë ose zhdukur. Kjo do të thotë se kategorizimi si civil apo anëtar i një formacioni të armatosur apo ushtar nuk i referohet një statusi të mëparshëm, por statusit në momentin e vrasjes ose zhdukjes:
“Regjistri përmban të dhënat personale të gjithsej 13,517 viktimave të luftës (emri, emri i babait, emri i nënës, mbiemri; data e lindjes, vendi i lindjes, vendbanimi; data dhe vendi i vdekjes ose zhdukjes; si dhe statusi i viktimës në momentin e vdekjes ose zhdukjes, përkatësisht civil apo anëtar i një formacioni të armatosur).”
- Këtë e konfirmon edhe dokumenti i dytë, raporti i ekspertëve të angazhuar po ashtu nga vetë HLC-ja, për vlerësimin e listës. Në këtë raport të titulluar “Evaluation of the Database of the Kosovo Memory Book” me autorë dr. Jule Krüger dhe dr. Patrick Ball, në faqe 11 shkruan: “Nuk mungon asnjë informacion lidhur me statusin individual të viktimave të luftës në momentin e vdekjes/zhdukjes së tyre.”. Pra, sipas vetë ekspertëve, databaza e HLC-së e regjistron statusin individual të viktimës pikërisht në kohën e vrasjes ose zhdukjes.
8. Pikërisht për shkak të këtyre arsyeve të përmendura më sipër, në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, në parathënie theksohet: “Për të përpiluar listën e masakrave në këtë libër, mora për bazë listën e të vrarëve nga ‘Libër Kujtimi i Kosovës’ të HLC-së. Edhe pse bëhet fjalë për një burim të etabluar referencial, ai përmban pasaktësi në lidhje me masakra të caktuara, pasi disa individë të masakruar figurojnë aty të regjistruar si persona të armatosur, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin bërë rezistencë.”.
Duke pasur parasysh këto që u thanë më sipër, znj. Nataša Kandić, punën e të cilës e kam çmuar dhe vazhdoj ta çmoj, do të ishte e nevojshme që ta përmirësonte listën e saj me personat e vrarë gjatë luftës në Kosovë, jo vetëm sa i takon 48 të vrarëve në Masakrën në Burgun e Dubravës, të cilët ajo i ka regjistruar si formacione të armatosura përkatësisht ushtarë, por edhe sa i takon disa masakrave të tjera. Ta zëmë, për Masakrën në Reçak, ku më 15 janar 1999 forcat sërbe vranë 45 civilë shqiptarë, në listën e znj. Kandić, 8 prej 45 të vrarëve figurojnë si formacione të armatosura përkatësisht ushtarë. I ngjajshëm është edhe rasti i Masakrës në Kotlinë, ku më 24 mars 1999 forcat sërbe vranë 26 civilë shqiptarë, por në listën e znj. Kandić, 11 prej 26 të vrarëve figurojnë si formacione të armatosura përkatësisht ushtarë.
Pikërisht për shkak të këtyre gabimeve është e domosdoshme që Kosova ta ketë listën e saj zyrtare ku shmangen të gjitha pasaktësitë e sipërpërmendura. Pasi që znj. Kandić ta korrigjojë listën e saj, unë, duke ju referuar listës së saj të përmirësuar, do t’i përmirësoj të dhënat e të vrarëve në libër, në ekspozitë e në uebfaqe.
Natyrisht, libri im mund të ketë gabime që edhe nuk lidhen me këtë listë, por, për fat të keq, në tërë këtë fushatë, ata që kanë reaguar deri më tani, nuk kanë argumentuar asnjë gabim serioz në substancë të librit. Megjithatë, mbetem i gatshëm të korrigjoj çdo pasaktësi të argumentuar që mund të ketë në libër, por kritikët fillimisht duhet ta lexojnë librin, mandej t’i gjejnë gabimet, e në fund unë t’i përmirësoj duke i falënderuar. Pikërisht ky edhe është qëllimi i uebfaqes për masakrat në Kosovë, në mënyrë që prezentimi i tyre të përditësohet vazhdimisht.
Duhet thënë se, fatkeqësisht, znj. Kandić, për mua për arsye krejt të paqarta, me ndërhyrjet e saj publike, në vend se ta qartësonte metodologjinë e saj, e përforcoi klimën e sulmeve ndaj meje, të cilat kishin për qëllim ta delegjitimonin punën time për “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e jo të evidentonin ndonjë gabim apo pasaktësi që mund të ketë libri. Fillimisht kritikat kundër meje në Kosovë ishin se i kam marrë të dhënat për viktimat nga një organizatë që udhëhiqet prej një sërbeje, por pas reagimit të znj. Kandić kundër meje, për orkestruesit e fushatës linçuese, u bë e parëndësishme përkatësia e saj etnike.
Edhe po të ishte e vërtetë se unë i kisha lexuar gabimisht të dhënat e saj, si aktiviste për të drejtat e njeriut, znj. Kandić do të duhej ta dënonte fushatën dhe përndjekjen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ashtu siç e dënuan historianë të shquar ndërkombëtarë që merren me historinë e Ballkanit, si: Florian Bieber, James Pettifer, Konrad Clewing, Krisztián Csaplár-Degovics, Sir Noel Malcolm, Robert Pichler, Oliver Jens Schmitt e Ger Dujizings.
Sidoqoftë, krejt në fund, përtej librit dhe ekspozitës, kalimi nga debati shkencor e publik në presion politik dhe penal janë tregues shqetësues i gjendjes së demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Kosovë, si dhe i drejtimit që ajo mund të marrë në të ardhmen: një realitet ku një deputet i pushtetit kërkon hetim për një ekspozitë, kryetari i kryeqytetit e hedhë atë në kamionët e mbeturinave, deputetë të opozitës tentojnë ta dënojnë me rezolutë, dhe, mbi të gjitha, Prokuroria Speciale e heton autorin e ekspozitës. Uroj që ky rast të shërbejë si alarm orientues për shtetin dhe shoqërinë tonë për ruajtjen dhe zhvillimin e demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
Shkëlzen Gashi është autor i librit dhe ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”.
KOHA ia ka ofruar z. Gashi mundësinë për përgjigje ndaj deklaratave të palëve të tjera qysh në fillim të raportimit, por ai nuk e ka shfrytëzuar.
Për shkak të rëndësisë dhe përmasave të këtij debati, KOHA inkurajon të gjitha palët që përmes shkrimeve brenda standardeve etike, të kontribuojnë në sqarimin, përmirësimin dhe plotësimin e te vërtetës.