Rrëfimi për ujin në Kosovë shpesh tregohet përmes infrastrukturës: një rezervuar i ri, një rrjet i ri, një impiant i ri i trajtimit të ujërave të ndotura. Por pyetja strategjike është më e gjerë dhe më e vështirë: si e qeveris një vend i vogël dhe me mungesë uji një resurs që përcakton zhvillimin ekonomik, shëndetin publik, qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe rrugën drejt integrimit në BE?
Urgjenca është reale. Kosova nuk është e pasur me ujë; ajo është strukturalisht e ekspozuar. Pjesa më e madhe e ujit të saj buron brenda territorit dhe varet nga reshjet, ndërsa vetëm një pjesë e kufizuar vjen nga jashtë territorit. Krahasuar me rajonin, reshjet janë më të ulëta, disponueshmëria e ujit të ripërtëritshëm për banor është ndër më të ulëtat dhe kapaciteti i akumulimit për person mbetet dukshëm nën mesataren rajonale. Parashikimet klimatike tregojnë periudha më të gjata thatësire, përmbytje më të forta dhe rritje të stresit ujor në pellgjet lumore. Për një vend me rreth 1.8 milion banorë që varen nga një numër i kufizuar akumulacionesh dhe lumenjsh, një sezon i vetëm i thatë mund t’i detyrojë komunat të vendosin kufizime për amvisëritë, të rrisë presionin mbi fermerët dhe të shkaktojë dëme ekologjike.
Ky realitet e ndryshon ekuacionin e politikave. Kur uji është i paktë, dështimet në qeverisje nuk janë abstrakte, ato shfaqen si kufizime gjatë thatësirave, ngarkesa ndotëse që përqendrohen në prurje të ulëta, kërkesa konkurruese midis qyteteve dhe bujqësisë, si dhe konflikte rreth korridoreve lumore dhe zonave të mbrojtura. Në një kontekst të tillë, Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore (MIRU) nuk është slogan; është disiplina për t’i bërë kompromiset transparente, të ligjshme dhe të zbatueshme.
Kosova ka bërë përparim të matshëm në përvetësimin e parimeve bazë të MIRU-së. Planifikimi sipas pellgjeve po rivendoset si boshti i vendimmarrjes, pas vitesh kur kërkesat ligjore mbetën të pazbatuara. Janë forcuar sistemet e monitorimit dhe të njohurive, përfshirë shërbime më të mira hidrometeorologjike dhe vlerësim më sistematik i resurseve ujore dhe bilanceve ujore në pellgje. Ky është pikërisht lloji i reformës “së heshtur” që rrallë bën bujë, por përcakton nëse politikat bëhen funksionale.
Koordinimi është përmirësuar gjithashtu. Qeverisja e ujit prek mjedisin, planifikimin hapësinor, bujqësinë, ekonominë, energjinë dhe qeverisjen lokale. Pa bashkëpunim, edhe ligjet më të forta shndërrohen në mandate të shkëputura nga njëra-tjetra. Përvoja tregon se koordinimi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i ankoruar politikisht, jo sporadik. Por, edhe nëse drejtimi është pozitiv, nyja kryesore tani është tjetërkund. Sfida kryesore sot nuk është më konceptimi i politikave. Është zbatimi dhe fuqizimi i tyre.
Boshllëqet janë të njohura, dhe të kushtueshme. Zonat e mbrojtura ujore janë të përcaktuara, por ndërtimet pa leje dhe aktivitetet e dëmshme vazhdojnë brenda dhe rreth tyre, shpesh të toleruara për shkak të inspektimeve të dobëta dhe mungesës së ndjekjes. Përparimet në kontrollin e ndotjes nga ujërat e ndotura urbane janë reale, por ndotja industriale mbetet një presion i vazhdueshëm, sepse zbatimi i ligjit dhe detyrimet për paratrajtim nuk janë të njëjta kudo. Vendimet për leje nuk e kanë reflektuar gjithmonë logjikën e plotë të interesit publik për ujin si pasuri shtetërore, sidomos kur prurjet ekologjike, zonat e mbrojtura dhe ndikimet kumulative trajtohen si çështje dytësore, e jo si kërkesa ligjore. Dhe, mbi të gjitha, fuqizimi i ligjit nuk është detyrë e një institucioni të vetëm, por varet nga inspektoratet, komunat, policia, prokuroria dhe gjykatat që të lëvizin në të njëjtin drejtim, me qartësi për rolet dhe pasojat. Thënë thjesht: të kesh rregulla nuk është e njëjta gjë si t’i zbatosh ato, dhe hendeku mes këtyre të dyjave është vendi ku lumenjtë degradojnë dhe besimi publik gërryhet.
Kapaciteti është një tjetër kufizim strukturor. MIRU zbatohet nga njerëz dhe sisteme: njësi të pellgjeve që mund të planifikojnë dhe t’i përditësojnë masat, institucione monitorimi që mund të prodhojnë të dhëna të besueshme, dhe funksione rregullatore që mund të sigurojnë pajtueshmëri. Kur stafi është i pamjaftueshëm, mandatet bëhen aspirata. Kur të dhënat janë të fragmentuara, vendimet kthehen në zgjidhje afatshkurtra. Kur llogaridhënia është e paqartë, shkeljet normalizohen. Edhe përmirësime modeste të performancës, si shkurtimi i kohës nga inspektimi te sanksioni, ose sigurimi që shumica e lejeve kontrollohen rregullisht për pajtueshmëri, mund të ndryshojnë incentivat në tërë sistemin. Këtu ka rëndësi mbështetja afatgjate dhe sistemike e donatorëve, jo si zëvendësim i institucioneve, por si katalizator për ndërtimin e tyre. Zvicra, përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ka qenë partner kyç në reformat e MIRU-së në Kosovë. Vlera ka qenë te vazhdimësia dhe fokusi në qeverisje: mbështetja e institucioneve, forcimi i kapaciteteve të monitorimit dhe analizës, zgjerimi i përfshirjes së palëve të interesit, dhe përforcimi i idesë se qeverisja e ujit është çështje e gjithë shoqërisë, jo një fushë e ngushtë teknike. Programi IWRM-K duhet kuptuar në këtë prizëm: një përpjekje afatgjatë për reformë të qeverisjes, që e ndihmon Kosovën të ndërtojë sistemet e nevojshme për të planifikuar, zbatuar dhe korrigjuar kursin me kalimin e kohës.
Në terma praktikë, IWRM-K, duke punuar me institucionet kombëtare dhe hisedarët e sektorit, tashmë po jep rezultate konkrete. Të katër pellgjet lumore janë tashmë të mbuluara nga procese të përditësuara të Planifikimit të Menaxhimit të Pellgjeve Lumore (PMPL). Programi kombëtar i monitorimit është operacional, i mbështetur nga një rrjet i modernizuar me më shumë se dyzet stacione hidrometeorologjike dhe të cilësisë së ujit që ofrojnë të dhëna në kohë reale për menaxhimin e thatësirave, paralajmërimin e përmbytjeve dhe kontrollin e ndotjes. Institucionet qendrore dhe komunale kanë forcuar kapacitetet e tyre teknike dhe rregullatore. Përmes granteve të fokusuara dhe partneriteteve, organizatat e shoqërisë civile, fermerët dhe grupet profesionale po zbatojnë masa lokale për uljen e ndotjes dhe rritjen e vetëdijes. Po vendosen sisteme digjitale për leje dhe sisteme informative për ujin për të rritur transparencën dhe pajtueshmërinë. Këto mund të duken hapa të vegjël, por janë pikërisht blloqe ndërtuese që e bëjnë qeverisjen të funksionojë nga dita në ditë.
Pra, çfarë kërkon tani kalimi nga konceptimi i reformës te zbatimi në praktikë?
Së pari, zbatimi i ligjit duhet trajtuar si prioritet politik, jo si detyrë administrative dytësore. Pra, rrugë të qarta të pajtueshmërisë, sanksione të parashikueshme dhe veprim të koordinuar ndërmjet inspektorateve, komunave dhe institucioneve të drejtësisë, veçanërisht në zonat e mbrojtura dhe në kontrollin e ndotjes.
Së dyti, planifikimi sipas pellgjeve duhet të lidhet me buxhet. PMPL nuk mund të mbeten dokumente në rafte; ato duhet të shndërrohen në programe të financuara me objektiva të matshme dhe raportim vjetor.
Së treti, sistemi i informacionit për ujërat duhet modernizuar si aset kombëtar. Monitorimi, modelimi dhe të dhënat publike nuk janë “luks”; ato janë shtylla të planifikimit për thatësira, menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet, dhënies së lejeve dhe investimeve të mençura.
Së katërti, zhvillimi ekonomik duhet të harmonizohet me limitet e resurseve ujore. Rritja industriale dhe infrastruktura duhet të respektojnë prurjet ekologjike dhe standardet e cilësisë së ujit.
Së pesti, përfshirja duhet thelluar. Shoqëria civile, komunat, fermerët dhe profesionistët e rinj nuk janë dytësore. Pjesëmarrja rrit legjitimitetin dhe pajtueshmërinë, sidomos kur kompromiset e vështira janë të pashmangshme.
Kosova ka bërë pjesën më të madhe të punës së vështirë konceptuale. Arkitektura e reformës po konsolidohet: logjika e pellgjeve, planifikimi i përafruar me BE-në, monitorim më i fortë dhe strukturat e koordinimit. Testi vendimtar është nëse vendi tani mund të ndërtojë një kulturë zbatimi, ku ligjet zbatohen, planet financohen, institucionet kanë staf të mjaftueshëm dhe të dhënat e udhëheqin vendimmarrjen. Ky moment përfaqëson një mundësi të rrallë që vendi nuk mund ta humbasë. Zgjedhja është e qartë: ta shfrytëzojë mundësinë tani ose të paguajë më vonë.
(Autori është ekspert i ujërave)