Kur Jacques Agbobly mori një email nga Muzeu Metropolitan i Artit, fillimisht nuk mund ta besonte, ka shkruar agjencia e lajmeve Associated Press .
Disenjatorit me bazë në Brooklyn me vetëm pesë vjet përvojë në modë, tani, një nga muzetë më të mëdhenj në botë po i kërkonte dy nga krijimet e tij për ekspozitën “Superfine: Tailoring Black Style”, e cila u hap në kuadër të "Met Galas", një nga ngjarjet më të famshme të modës në botë.
“Jam tronditur nga emocionet. Duhej të kontrolloja disa herë nëse emaili ishte i vërtetë. Dhe pastaj mendova … a më lejohet t’i tregoj dikujt për këtë?”, ka thënë Agbobly për Associated Press.
Agbobly është rritur në Togo, ku nga afër shihte rrobaqepës që punonin në një pjesë të shtëpisë që familja e tij e jepte me qira. Më vonë, duke studiuar modën në New York, ai ndiqte me admirim tapetin e kuq të "Met Galas" dhe ëndërronte të ishte pjesë e tij një ditë.

Ekspozita “Superfine” është e para nga Instituti i Kostumeve të këtij muzeu që fokusohet ekskluzivisht te stilistët afroamerikanë dhe e para pas më shumë se 20 vjetësh që i kushtohet veshjes për burra. Ndryshe nga ekspozitat e kaluara që përqendroheshin tek emra të njohur si disenjatorët Karl Lagerfeld apo Charles James, kjo ekspozitë sjell në pah edhe emra të rinj si Agbobly.
“Përzgjedhja është fenomenale”, tha Monica L. Miller, kuratore e ftuar dhe profesoreshë në Barnard College, autore e librit “Slaves to Fashion: Black Dandyism and the Styling of Black Diasporic Identity”, që shërben si bazë për ekspozitën.
“Është emocionuese të prezantohen krijimet e disenjatorëve të rinj dhe në ngritje dhe të shihet mënyra se si ata kanë reflektuar për përfaqësimin e njerëzve afroamerikanë në kohë dhe hapësirë”, ka thënë Miller për AP gjatë një vizite në ekspozitë, një ditë para hapjes.

Rekord fondesh dhe veshje me mesazh
Drejtori i muzeut Max Hollein, ka njoftuar në konferencën për shtyp se "Met Gala" kishte mbledhur 31 milionë dollarë, për herë të parë duke kaluar shifrën prej 30 milionësh, rekord që theu edhe atë të vitit të kaluar, prej më shumë se 26 milionë dollarësh.
I pranishëm ishte edhe aktori Colman Domingo, bashkënikoqir i "Met Galas", i cili foli me emocion për stilin që ia kishin trashëguar figurat mashkullore të familjes: njerku, babai dhe vëllai. I veshur me kostum të purpurt nga stilisti Ozwald Boateng, ai citoi regjisorin George C. Wolfe:
“Zoti krijoi njerëzit me ngjyrë. Njerëzit me ngjyrë krijuan stilin”.

Çfarë është "dandyizmi"?
Ekspozita përfshin shekuj të tërë të stilit të afroamerikanëve, por e lidhura kryesore është "dandyizmi", formë vetëpërfaqësimi përmes elegancës ekstreme.
Për Agboblyn, "dandyizmi" është “marrje hapësire”.
“Si disenjator afroamerikan dhe queer, shpesh na thuhet si duhet të jemi apo si duhet të sillemi… por 'dandyizmi' i kundërshton të gjitha këto. Është të paraqitesh me versionin tënd më të mirë, të marrësh hapësirë dhe të thuash: ‘Jam këtu’”, ka thënë ai.
Ekspozita hapet për publikun më 10 maj dhe ndahet në 12 seksione konceptuale: pronësi, prani, dallim, maskim, liri, kampion, respektueshmëri, trashëgimi, bukuri, stil dhe kozmopolitanizëm.

Mënyra se si rrobat mund të nënçmojnë por edhe fuqizojnë
Seksioni i “pronësisë” nis me dy uniforma të veshura nga njerëz të skllavëruar.
Njëra, nga Maryland, është kadife vjollce me zbukurime të arta, e dizajnuar për të treguar pasurinë e pronarit, jo individualitetin e të veshurit. Siç thotë Miller, “njerëzit e skllavëruar ishin pjesë e luksit të shfaqur”.
Tjetra, një pallto bezhë, për të cilën AP shkruan se ndoshta është prodhuar nga Brooks Brothers, ishte për një djalë të ri të skllavëruar në Luiziana, para Luftës Civile.
Në kontrast, një veshje moderne nga disenjatorja Grace Wales Bonner shkëlqen me kadife mëndafshi, kristale dhe guaska, që dikur përdoreshin si monedhë në Afrikë.
Në seksionin “maskim”, përfshihen reklama të shekullit XIX që kërkonin kthimin e njerëzve të arratisur nga skllavëria. Shumë reklama përshkruanin persona që ishin “të apasionuar pas veshjes” apo që kishin marrë me vete garderoba të mëdha.
“Të vishesh mbi statusin tënd ndonjëherë ishte çështje jete a vdekje. Rrobat i ndihmonin të fshehnin identitetin apo t’i shisnin për të nisur një jetë të re në liri”, ka shpjeguar Miller.

Klasa e mesme afromaerikane dhe figura historike
Ekzistojnë portrete të burrave afroamerikanë të pasur nga fillimi i shekullit XIX që tregonin për formimin e një klase të mesme dhe të lartë afroameirkane në Amerikë, përfshirë William Whipper, tregtar i suksesshëm.
Përballë tyre qëndrojnë karikatura raciste që i zhvlerësojnë.
“Sapo ata arrijnë të përfaqësohen denjësisht, fillojnë të stereotipizohen dhe poshtërohen”, ka thënë Miller.
Në seksionin “respektueshmëria”, vihen në pah W.E.B. Du Bois dhe Frederick Douglass, të dy të njohur për stilin e tyre.
Du Bois mbante kostume nga Londra e Harlem, dhe janë të ekspozuara fatura të rrobalarëses nga viti 1933.
Ndërsa Douglass, “njeriu më i fotografuar i shekullit XIX”, paraqitet përmes palltos së leshtë, këmishës së qëndisur me “D”, kapelës së lartë, bastunit, dhe syzeve të diellit.
Trashëgimia afrikane dhe kujtimet personale
Në seksionin e trashëgimisë, një nga pjesët më të dashura të Miller është një veshje shumëngjyrëshe e Agbobly-t, e frymëzuar nga ngjyrat e çantave që përdorin emigrantët afrikanë për të bartur gjërat e tyre.
Po ashtu, një kostum xhins me kristale e rruaza është dedikim për sallonet e gërshetimit të flokëve ku kalonte fëmijërinë, por edhe për gjyshen dhe hallat e tij që vendosnin vathë të mëdhenj kur shkonin në kishë.
Agbobly ka thënë se tashmë e ka ndarë lajmin me gjithë botën.
“Të gjithë e dinë. Vazhdoj të bërtas. Po të mundesha, do të bërtisja nga maja e një kodre”, ka thënë ai.