Peggy Gou, emër i njohur i muzikës elektronike për hite energjike, do të jetë një prej emrave kryesorë që do të performojnë në edicionin e sivjetmë të festivalit “Sunny Hill”.
Në një komunikatë për media, ky festival ka njoftuar se do të jenë gjashtë artistë kryesorë sivjet dhe emrat e performuesve të tjerë do të zbulohen në ditët në vijim.
Sipas njoftimit, pos yjeve ndërkombëtare, do të performojnë edhe 60 artistë të tjerë vendorë e të huaj. Në njoftim është theksuar se ka ndryshime edhe në skena, që sipas organizatorëve, janë më të mëdha se të edicionit të kaluar.
Peggy Gou është artiste nga Koreja e Jugut. Hiti kryesor i saj është “(It Goes Like) Nanana”. Po ashtu ajo njihet për hitet “It Makes You Forget (Itgehane)” dhe “Starry Night”.
Ajo është personazh viral edhe në TikTok.
Peggy Gou do të performojë në skenën e njohur si “C4”, që u inaugurua vitin e shkuar.
Edicioni i sivjetmë i “Sunny Hillit” mbahet më 1, 2 dhe 3 gusht në Bërnicë të Epërme.