Pretendimet se mikroplastikat po grumbullohen në tru dhe po kërcënojnë seriozisht shëndetin e njeriut mund të jenë ekzagjeruar, paralajmërojnë gjithnjë e më shumë shkencëtarë, ka raportuar TIME.
Vitet e fundit, studime të ndryshme kanë gjetur se grimca plastike mikroskopike janë gjetur në organe si mëlçia, veshkat, gjaku, testikujt dhe placenta.
Madje, disa tituj alarmues kanë pohuar se truri i njeriut mund të përmbajë “mikroaplastike në sasi të një luge gjelle”.
Këto pretendime kanë ngritur shqetësime për lidhje të mundshme me sëmundje të zemrës, infertilitet apo dëme në zhvillim.
Por ekspertët po bëjnë thirrje për kujdes.
Doktori Frederic Béen nga Vrije Universiteit Amsterdam ka thënë se, ani se ka pak dyshim që plastika gjendet në trupin e njeriut, metodat aktuale nuk janë mjaft të sakta për të përcaktuar sasinë reale.
“Ka studime që, pa qëllim të keq, ndoshta kanë probleme metodologjike”, ka thënë ai, duke shtuar se nevojitet më shumë punë për të verifikuar rezultatet.
Edhe Leon Barron, profesor i shkencave mjedisore në Imperial College London, paralajmëron kundër përfundimeve të nxituara.
“Duhet të ndalemi pak dhe të shohim pikat e dobëta në testimet laboratorike para se të nxjerrim përfundime”, ka thënë ai, duke theksuar se mjetet si mikroskopët dhe drita infra të kuqe duhet të përdoren së bashku për rezultate të besueshme.
Kritika më e ashpër erdhi nga doktori Dusan Materic, nga Helmholtz Centre for Environmental Research në Gjermani, i cili iu referua si “shaka” një studimi për rritjen e shpejtë të sasisë së mikroplastikës në tru.
“Ai punim është vërtet shumë i dobët dhe është e lehtë të shpjegohet pse është i gabuar”, u shpreh ai.
Një studim i botuar në Nature Medicine ka raportuar se plastika ishte gjetur në përqendrime më të larta në tru sesa në mëlçi apo veshka, por më vonë ekspertë të tjerë paralajmëruan se grimcat mund të jenë futur gjatë analizës laboratorike.
Revista i shtoi studimit një sqarim zyrtar, duke theksuar pasigurinë e rezultateve.
Një problem kyç është metoda Py-GC-MS, e cila identifikon plastikën duke e ngrohur mostrën derisa të shpërbëhet. Kritikët thonë se yndyrat njerëzore, sidomos në tru që është rreth 60 për qind yndyrë, mund të prodhojnë sinjale kimike të ngjashme me plastikën, duke çuar në rezultate të gabuara.
Doktoresha Cassandra Rauert nga Universiteti i Queenslandit ka theksuar se kjo metodë “nuk është aktualisht e përshtatshme për identifikimin e saktë të disa llojeve plastike”
“Njerëzit ekspozohen vazhdimisht ndaj mikro dhe nanoplastikës, por ende dihet shumë pak për fatin e tyre në trup”, ka thënë ajo.
Sipas llogaritjeve të ekipit të saj, për të arritur nivelin minimal që mund të zbulohet në gjak, një person do të duhej të konsumonte rreth shtatë gramë plastikë në ditë, “pothuajse sa dy kredit kartela”, gjë që studiuesit e quajnë “krejtësisht joreale”.