Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Kolosi i kombit

Fundi i tij s’duhet parë si shenjë modestie, por si revoltë e fundit. A

Fundi i tij s’duhet parë si shenjë modestie, por si revoltë e fundit. Ai i bëri një refuzim filozofik politikës që nuk ia di vlerën kulturës. Testamenti është shkruar më 2016, mirëpo pozita e intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve, filozofëve, profesorëve, shkencëtarëve, nuk ka ndryshuar fare. Ai luftoi gjithë jetën për kulturën e kombit të tij

Rexhep Qosja (1936-2036), njeriu që shkaktonte bujë më shumë se kushdo tjetër anekënd botës shqiptare, e la amanet të përcillej pa u trumbetuar, thjesht dhe i shoqëruar vetëm nga familja e tij, sepse, tek e fundit, jeta është luftë, vdekja është paqe. Sa ishte i gjallë, kurrë nuk shkroi vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin, ndërsa në udhëtimin e fundit vendosi të përcillej vetëm nga familja e tij. Kjo s’do të thotë që i dorëzoi armët. Përkundrazi, ky akt i fundit e ktheu atë vetë në armë për ardhmërinë e vendit

Për Rexhep Qosjen kam folur e kam shkruar shpesh, edhe atëherë kur të shkruaje për të ishte njësoj sikur t’u dilje shigjetave përpara. Megjithatë, më vështirë e kam ta shkruaj këtë shkrim sot, për arsye se profesori nuk është më. E kam pasur profesor, mentor dhe mik. E, sigurisht, edhe shkrimtar të preferuar. Për dallim prej shumë profesorëve, ai nuk na jepte vetëm dije, por edhe guxim. Dhe, si çdo mësues i madh, mësimin nuk na e jepte vetëm nëpërmjet ligjëratave, por edhe nëpërmjet shembullit të vet. Fundja, nxënësit e mirë më shumë ndjekin modelet sesa mësimet.

Çfarë modeli na ofronte figura e tij? Modelin e njeriut që rrezikon, modelin e njeriut që nuk nënshtrohet, modelin e njeriut që revoltohet. Revoltë e pastër ishte edhe testamenti i tij, për të cilin isha në dijeni, sepse diçka më kishte treguar profesori, diçka nipi i tij. Nipi më pati thanë “gjyshi e ka shkru testamentin, ka me i befasu krejt”, mirëpo paraprakisht profesori më kishte thënë se donte të largohej pa ceremoni shtetërore, se ishte i indinjuar me mënyrën si ishin sjellë ndaj tij dhe ndaj njerëzve të dijes, dhe prandaj as për së vdekuri nuk i duronte fjalimet hipokrite në varre dhe komemoracione (ata që ia kanë lexuar romanet, e dinë se si tallej ai me fjalimet mortore).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, edhe pse besoja se mua s’do të më befasonte aq sa të tjerët, prapëseprapë kur mëngjesin e 23 prillit mora një thirrje nga një mik që punon në televizionin shtetëror të Kosovës (atje duhej të ishte mesditë, këtu, në Boston, ishte ora gjashtë e mëngjesit) për të më pyetur nëse ishte e vërtetë ajo çka kishte postuar nipi i profesorit, meqë nuk mund ta jepte lajmin pa e verifikuar, u trondita dhe i thashë të më jepte dy minuta kohë, se as s’e dija ku isha, as çfarë kishte ndodhur. Pasi e pashë njoftimin, m’u kujtuan fjalët e të dyve, gjyshit dhe nipit, dhe ia konfirmova se njoftimi ishte i vërtetë. Në atë çast, e imagjinova fytyrën e qeshur të profesorit dhe, si dikush që ishte në dijeni të planit të fundit të tij, thashë me vete: Të lumtë! Ndërkohë, lava sytë, u kthjella, dhe m’u kujtua që ishte 23 prilli, Dita Botërore e Librit, datë kjo e vendosur para tri dekadash nga UNESCO, për nder të Shekspirit dhe Servantesit. Gjiganti i letërsisë shqipe iku për t’iu bashkuar gjigantëve të letërsisë botërore. Në ‘kalendarin kombiar’, Rexhep Qosja gjithmonë do të nderohet nga lexuesit shqiptarë në Ditën e Librit. Për një vdekje si kjo, më shumë se të mërzitesh, mund të ndihesh xheloz. Ishte një fund me fat. S’ka thënë kot Virgjili: fati i do guximtarët.

Kultura e Kosovës 

Në vitet ’50, kur Rexhep Qosja erdhi nga fshati Vuthaj (Malësi, Mal i Zi), Prishtina ishte shkret, sidomos fushat e arsimit dhe kulturës. Nëse kishte ndonjë shenjë të jetës letrare e kulturore, ajo i detyrohej bashkëvendësit të tij, Esad Mekulit, puna entuziaste e të cilit e themeloi letërsinë e Kosovës, ku shkëlqeu Rexhep Qosja, i cili e ka thënë edhe në ditarin e tij se pa shtysën e Mekulit, nuk do të shkruhej, as botohej, romani i tij i parë.

Me kalimin e viteve, Rexhep Qosja u bë një student i dalluar i letërsisë dhe doktori i parë nga kjo fushë. Ai u bë figurë e dalluar në institucionet kryesore shkencore dhe arsimore të Kosovës: drejtor në Institutin e Albanologjisë, profesor në Universitetin e Prishtinës dhe anëtar në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në letërsi, shpërtheu në vitet ’70: ishte kryeredaktor i revistës letrare Jeta e Re, shkroi dramat “Sfinga e gjallë”, “Beselam, pse më flijojnë” dhe “Vdekja e një mbretëreshe”, romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, që mbetet roman unik në letërsinë shqipe të shekullit XX, kurse vitet ’80 i filloi ashpër me librin polemik “Morfologjia e një fushate” për të dominuar si kritik letrar përgjatë gjithë dekadës; në vitet ’90 boton vetëm libra publicistikë e dokumentarë, për t’iu kthyer prozës vetëm pas çlirimit (“I ringjalluri i penduar”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë”, “Bijtë e askujt” dhe “Të fshehtat e treguara”). Me një krijimtari prej rreth 50 veprash, Qosja ka dominuar mbi 50 vjet në jetën kulturore të Kosovës, duke u bërë një figurë me ndikim të madh, aq sa në vitet ’90 delegacionet ndërkombëtare shpesh së pari shkonin në zyrën e tij, pastaj në zyrat e partisë që udhëhiqte politikën e Kosovës, meqë ai ishte bërë shkrimtari dhe intelektuali më i njohur i këtij vendi, duke u botuar nga dy botues të mëdhenj francezë, Fayrad (“La question albanaise”) dhe Gallimard (“La mort me vient de ces yeux-là”). 

Edhe zhvillimi i teatrit dhe kinematografisë lidhet me veprat e tij. Dramat e tij, si tekste dhe shfaqje, kanë qarkulluar dhe janë shpërblyer edhe jashtë vendit, ndërsa filmi “Rojet e mjegullës”, i bazuar mbi romanin e tij të parë, mbetet si filmi kosovar më i mirë i shekullit të kaluar.

Pra, një personalitet kaq i madh, që lidhet me Institutin, Universitetin, Akademinë, revistën kryesore letrare, si dhe me teatrin dhe filmin, apo edhe me politikën, s’ka si të mos kujtohet dhe vlerësohet si një nga shtyllat mbi të cilat mbahet kultura kosovare dhe ajo shqiptare, në përgjithësi. Ai nuk ishte thjesht një nga fytyrat e këtyre institucioneve, por ishte dhe mbetet identiteti i tyre; ato njihen për shkak të tij: Instituti ishte shtëpia e tij e dytë, Universiteti i Prishtinës s’ka pasur një person më të njohur se ai në historinë e vet, Akademia njihej si vend i akademikut. Më duket e çuditshme, por është e vërtetë, që Kosova ka pasur dy persona që janë njohur bashkë me titujt e tyre: Akademik Rexhep Qosja dhe Dr. Ibrahim Rugova. Për ne që marrim vesh në këto punë, e dimë që Qosja ishte gjithashtu doktor dhe Rugova gjithashtu akademik (korrespondent), mirëpo në sytë e të tjerëve, ata mbetën me tituj të ndryshëm. Dhe bënë mirë që mbetën përgjithmonë ashtu, sepse përderisa studimi i letërsisë i bashkonte, vizioni politik i ndante.

Ai përballë të gjithëve

Qosja ka polemizuar me të huajt dhe me shqiptarët. Kur them me të huajt, kuptohet menjëherë që në rastin e Qosjes këto ishin polemika me serbët dhe maqedonasit. Janë sidomos vitet ’80 kur pena e tij u kthye në shpatë për t’i mbrojtur shqiptarët, identiteti dhe ekzistenca e të cilëve rrezikohej nga fqinjët. Janë pikërisht këto polemika të ashpra që i krijuan atij aurën e një mbrojtësi të kombit. Prandaj edhe nisën ta thërrasin Baba i Kombit. Guximi i tij intelektual mobilizoi masat që sollën ‘erë ndryshimi’ në Kosovë. Ato tekste janë shembull i mbrojtjes intelektuale të një kombi. Në polemikat me fqinjët, ishte ai përballë atyre, një kundër të gjithëve, diçka si Davidi kundër Goliatit. Dhe në fund, natyrisht, fitoi Davidi ynë.

Krahas polemikës me të huajt, ai polemizonte edhe me shqiptarët, fillimisht për arsye gjuhësore, letrare e kulturore, më vonë edhe për arsye politike. Për arsyet e para, i kritikoi që kur nisi të publikojë, ndërsa për arsyet e fundit i kundërshtoi dhe luftoi nga vitet ’90. Nuk ishte përballje mes Akademikut dhe Doktorit, por përballje e Akademikut me një mekanizëm mediatik që sa vinte e rritej, duke filluar me të përditshmen (në fakt, me të gërditshmen) “Bota Sot” e deri te gazetat dhe portalet e shumta në Kosovë dhe Shqipëri. Pra, prapë ishte Ai dhe Ata. I vetëm përballë të gjithëve. E thënë me fraza të sotme, pamundësia e mediave për ta mposhtur është ‘storje suksesi’ për të dhe për ne; është shembull frymëzimi.

Për shkak të demonizimit që i bënë mediat, një aparatçik pacifist, kur u emërua drejtor i Institutit, gjërat e para që bëri, ishin këto: e theu derën e zyrës së Qosjes, ia hodhi dorëshkrimet dhe librat në thasë plehrash dhe e largoi dhunshëm nga Instituti. Besoj që shumicës i kujtohet kjo ngjarje kur profesori ulej para Institutit, sepse s’e linin të hynte brenda. Pasi vërshuan reagimet nga Kosova dhe Shqipëria, ndërhyri Qeveria dhe e zgjidhi problemin, duke e larguar “drejtorin” dhe duke e futur brenda profesorin. Dhe kjo ndodhi disa vjet pas luftës.

Siç e ka shkruar edhe në ditar, për shkak të qëndrimeve të tij i ka provuar të gjitha: atentatin, sulmet fizike dhe verbale, kërcënimet, por asnjëherë nuk është ndalur. Disa kanë shkruar edhe libra kundër tij, por s’ua ka lexuar askush. Ai me një fjali kundër tyre, i ka bërë qesharakë, aq sa disa kurrë më s’janë marrë seriozisht as në letërsi, as në politikë. Kishte mësuar diçka nga Volteri, dhe jo rastësisht një kritik francez e quan Volter i Ballkanit. Ajo thënia që i atribuohet iluministit francez, i shkon edhe Qosjes: “U luta: O Zot, bëji armiqtë e mi qesharakë! Dhe Zoti më dëgjoi”.

Për shkak të polemikave, reagimeve dhe komenteve politike, edhe pse Rexhep Qosjes direkt s’kanë arritur t’i bëjnë asgjë, i janë hakmarrë te të afërmit e tij, duke ia larguar nga puna. Dhe kjo hakmarrje e ulët sigurisht e ka prekur. Ai nuk i përtonte duelit, veçse e dëshpëronte ulja e nivelit.

Do të ishte mirë për të gjithë që mekanizmat mediatikë tash e tutje të mos i sulmonin intelektualët, por nëse ata vazhdojnë të njëjtin avaz, intelektualët kanë shembullin që mund ta ndjekin. Fundja, letërsia është gjithmonë më e fuqishme se gazetaria, si nga mendja, ashtu edhe nga zemra.

Në polemikë, Qosja ishte Konica i kohës sonë. Nuk numërohen kundërshtarët e Konicës, as të Qosjes. Por të gjithë ata i kujtojmë vetëm si numra, kurse këta kanë mbetur emra.

Fama, shteti dhe kombi

Rexhep Qosja u përkthye në disa gjuhë para viteve ’90, mirëpo vetëm pas interesimit të botuesve të mëdhenj francezë, i trokiti fat në derë. Ai mund të ulej dhe të shkruante romane tashmë që kishte gjetur botues evropianë, por nuk e bëri. Në vend se t’ia hapte derën fatit të tij, u çua për t’ia mbyllur derën fatkeqësisë së kombit të tij. Në vend të romaneve, shkroi publicistikë. Në njëfarë mënyrë, e flijoi famën e garantuar ndërkombëtare për çështjen kombëtare. Nuk shqetësohej, sepse, fundja, letërsia s’është gazetari. Nuk vjetrohet brenda dite. Kurdo që të përkthehen romanet e tij të shkruara pas luftës, sidomos “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”, do të gjejnë lexues nëpër botë.

Rexhep Qosja mbeti figurë kombëtare, ndryshe nga Ismail Kadare që u bë figurë ndërkombëtare. Ishte zgjedhje e tyre, jetonin në rrethana të ndryshme. As Ibrahim Rugova nuk u bë figurë ndërkombëtare. Le t’i quajmë zgjedhje të vetëdijshme të tyre. Rugova mbeti figurë shtetërore, Qosja –  figurë kombëtare. Pra, janë modele të ndryshme dhe është gabim t’i krahasojmë. Projekti për të cilin punoi Rugova, u finalizua nga Thaçi. Projekti për të cilin punoi Qosja, mund të realizohet një ditë, por nuk e dimë se kur dhe nga kush. Ngjashëm me një titull të Habermasit, projekti madhor për të cilin Qosja punoi gjithë jetën mund të quhet “Bashkimi Kombëtar, projekt i pakryer”.

Pra, Rugova mbetet i figurë e rëndësishme shtetërore, edhe pse ëndrrën e tij e realizoi rivali i tij politik më 17 shkurt 2008. Qojsa mbetet figura më e rëndësishme kombëtare bashkëkohore, si Kolosi i Rodosit, sepse kombin e vuri para çdo gjëje dhe shkroi projektin për bashkim, e s’ka rëndësi se kush do ta realizojë. Ndërsa, Kadare është figura më e madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë.  Shteti, kombi dhe ndërkombëtarizimi kanë emrat e tyre, dhe janë projekte dhe identitete të dobishme dhe të ndryshme.

Një polemikë e heshtur mund të quhet puna e dy kosovarëve, Doktorit dhe Akademikut, paksa si Haveli me Kunderën. Ndërsa polemika e famshme Kadare-Qosja, tregon se i pari ishte idealist (do të ishte ideale, sipas tij, që shqiptarët të ishin të krishterë, sepse Evropa, edhe kur deklarohet si sekulare, krishterimin e ka pjesë të kulturës), kurse i dyti ishte realist (nënteksti i polemikës së tij thotë se ndoshta është mirë të jemi të krishterë, por s’jemi, dhe duhet të pajtohemi me fatin). Kadare flet si shkrimtar që mund të konstruktojë realitete, Qosja si shkencëtar që duhet ta pranojë realitetin. Në dëshira janë të njëjtë, sigurisht, por në argumente janë të ndryshëm.

Përplasja e tyre ka qenë më e bujshmja në historinë tonë, mirëpo, pavarësisht përshtypjes që kanë lënë tek lexuesit, ata kanë qenë miqtë më të mirë. Këtë e di mirë, sepse disa herë në takimet me ta, i kam pyetur për njëri-tjetrin. Për humor, Qosja preferonte Agollin, Kadare Shkrelin, por për të diskutuar çështjet më të ndjeshme ata dy zgjidhnin njëri-tjetrin. Kjo ngjan pak a shumë si historia e dy Ivanëve të Gogolit, dhe shkrimtarëve u kanë hije sjelljet e tilla. 

Për shkak të kësaj ‘skizme’ të madhe, kur mbrojta masterin për prozën e Qosjes, më etiketonin si ‘adhurues i Qosjes’ dhe ‘armik i Kadaresë’. Pastaj, kur mbrojta doktoratën për Kadarenë, kujtonin se i kam prishur punët me Qosjen. Dikur u dorëzuan, sepse s’e kuptonin me kë isha, dhe s’ua merrte mendja se mund t’i vlerësoja të dy. Viteve të fundit çuditen pse s’flas kundër Rugovës, madje kur kam kohë, them edhe fjalë të mira për të. S’mund të jesh edhe me Rugovën, edhe me Qosjen, edhe me Kadarenë, thonë. Pse jo?, them. Me raste, mund ta kenë kundërshtuar njëri-tjetrin, por të tre i kanë dashur, si idealistë të papërmirësueshëm, shtetin, kombin dhe gjuhën. Në një intervistë të viteve ’90, nga letërsia e Kosovës, Rugova e veçonte romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Po në vitet ’90, Kadare shkroi parathënien për botimin frëngjisht të këtij romani, duke e konsideruar Qosjen si Kafka i Kosovës.  

Qosja në polemikën me Kadarenë ishte realist, por në politikë ishte idealist. Ai nuk mund ta kuptonte sesi komunistët ktheheshin brenda nate në demokratë, sesi shërbëtorët e regjimit të djeshëm ishin kthyer në udhëheqës të sotëm të vendit, i cili ishte ndarë me luftë nga ai regjim. Ai nuk e kuptonte se si tradhtari bëhej atdhetar, se si analfabeti bëhej akademik, se si ateisti predikonte fenë, se si viktima e puthte xhelatin, se si frikacaku shiste trimëri, se si çlirimtari s’kishte liri, se si i korruptuari luftonte korrupsionin, se si hajnia çmohej si zotësi. Shumë gjëra të tilla s’i kuptonte Rexhep Qosja dhe pikërisht për këtë “paaftësi”, e çmoja. Po të parafrazojmë një thënie të njohur, mund të themi se politika ishte një ballo me maska ku Rexhep Qosja kishte shkuar me fytyrën e vërtetë. Ai besonte se politika ishte për të na e rregulluar jetën, jo për të na e bërë lëmsh. S’e dinte që politika, në shumicën e rasteve, është për t’u dhënë rrogë atyre që s’vlejnë as për rrogëtarë. Nuk e dinte, apo nuk donte ta besonte, që në politikë më e rëndësishme është dredhia sesa dija. Në një shoqëri si e jona s’është e lehtë të pranohet një logjikë si e tij.

Për fund, fundi i tij s’duhet parë si shenjë modestie, por si revoltë e fundit. Ai i bëri një refuzim filozofik politikës që nuk ia di vlerën kulturës. Testamenti është shkruar më 2016, mirëpo pozita e intelektualëve, shkrimtarëve, artistëve, filozofëve, profesorëve, shkencëtarëve, nuk ka ndryshuar fare. Ai luftoi gjithë jetën për kulturën e kombit të tij. Me aktin e fundit të realizuar sipas testamentit të tij, Rexhep Qosja nuk i dorëzoi armët, por u kthye vetë në armë për ardhmërinë e artit dhe kulturës në vendin e tij. Ndryshe nga romanet tradicionale që në fund i mbyll dhe s’i prek më, tipi i romanit që shkruante ai, fillon të marrë kuptim pasi mbaron, prandaj një nga shkrimtarët dhe teoricienët e tij të preferuar e quante ‘vepra e hapur’. Njësoj mund të thuhet për jetën e tij. Jeta e pavdekshme e Rexhep Qosjes fillon tash pas mbylljes, si një ‘jetë e hapur’, me mesazhe të fuqishme. Largimi i tij ashtu ishte një befasi e madhe, mirëpo qëllimi i një largimi të tillë ishte që të linte një Porosi të Madhe.