Shtojca për Kulturë

Një irlandez në Trieste

Ditari i Adriatikut: Gjurmëve të James Joycet në metropolin multikulturor italian

S’ka asgjë më të vjetër se gazeta e ditës së djeshme. Kështu thonë jo vetëm armiqtë e leximit dhe të gazetave. Por, shpeshherë e kundërta është e vërtetë. Disa artikuj janë përherë aktualë, pa marrë parasysh kur janë shkruar.

Më 22 tetor 1971 gazeta e përjavshme gjermane “Die Zeit” shkruante: “Trieste është zemra e Evropës – nëse nuk besoni, merrni një atlas dhe bëni me kompas një rreth prej 2000 kilometrash rrotull qytetit: në Perëndim ai arrin të përfshijë majën e hundës portugeze të damës së moshuar dhe në Lindje cepin me ngjyra të fustanit të saj nga Moska në Ankara. Në Trieste ndërlidhen romakët, gjermanët, sllavët për t’u bërë popullsi e re, evropiane. Të përqafuar me njëri-tjetrin, ju aty do të gjeni ngrohtësinë dhe përzemërsinë e jugut, zellin e ndjeshëm të veriut, butësinë e përgjumur të Orientit dhe një aktivizëm shumë perëndimor”.

Çfarë është thënë më 1971 vlen edhe sot. Trieste është simbol i multikulturalizmit. Por, në fillim të shekullit ‘20 nuk ishte shoqëria shumetnike e Triestes që e tërhoqi irlandezin James Joyce të vinte këtu për të jetuar. Erdhi për të kërkuar punë. Në të vërtetë, autori që do të bëhej i famshëm me romanet dhe novelat e tij “Ulysses”, “Zgjimi i Fineganit” (“Finnegans Wake”), “Portreti i artistit në rini” së pari erdhi në Zürich me premtimin e një agjenti letrar se do të gjente punë si mësues i anglishtes. Premtimi doli i rrejshëm, por drejtori i shkollës së gjuhëve “Berlitz” e dërgoi James Joycen në Trieste për të punuar në përfaqësinë e atjeshme të “Berlitz”. As këtu Joyce nuk pati fat, një vend pune si mësues i anglishtes nuk ekzistonte. Kështu irlandezi përfundoi në Pula, në Kroacinë e sotme, ku Joyce mes viteve 1904-1905 u dha mësim para së gjithash oficerëve të marinës.

Më 1905, në qytet u zbulua një rrjet spiunazhi dhe Joyce si i huaj qe i detyruar ta braktisë qytetin. U kthye në Trieste. Këtu gjeti punë si mësues i anglishtes dhe u hodh në jetën e kafeneve të qytetit dhe gjeti inspirim në shtëpinë publike në Via della Pescheria. (Mjeku amerikan John J. Ross, i cili ka bërë një studim mbi vuajtjet e letrarëve të rëndësishëm, shkruan se Joyce ishte i fiksuar në teknikat anale). Ka kritikë letrarë që mendojnë se Joyce ia ka kushtuar romanin e tij “Ulysses” Triestes dhe jo Dublinit.

Sidoqoftë, ai vazhdon të jetë i pranishëm në këtë qytet. Në urën mbi Canal Grande të Piazza Ponterosso gati çdo vizitor ndalet për t’u fotografuar me James Joycein e bronztë. Natyrisht, në Trieste nuk mungon as një hotel i quajtur James Joyce dhe një kafe me po të njëjtin emër. Mbi urë duket që koha është ndalur: pranë kanalit një burrë me moshë mesatare mendohet nëse do t’ia fillojë t’i bjerë violinës apo të presë edhe pak, kur numri i kalimtarëve të shtohet dhe me këtë edhe gjasat të marrë ndonjë metelik, ndërsa barkat dhe anijet e vogla lëkunden nga era e famshme e Triestes.

Ashtu siç lëkundej dhe lëvizte edhe James Joyce mes kulturave. Te “Zgjimi i Fineganit” Joyce përdor fjalë nga mbi 40 gjuhë – mes tyre edhe shqip: vetë, hangër, sot, odë, ftohtë, karrige, voe, got’, portokall, buk’, sofër, motra, nipat, mesat dhe Dalbania. Dalbania? A thua kjo lojë fjalësh ishte një përpjekje e James Joycet për të ndërlidhur Shqipërinë, Albaninë, me Dublinin e tij? Një detyrë për hulumtuesit e letërsisë në botën shqiptare. – Joyce vdiq në vitin 1941 në Zürich.

Lexoni edhe: