Shtojca për Kulturë

Pesëdhjetë ditët e pavarësisë së arbëreshëve – histori e harruar trishtimi

Artistja arbëreshe, Genny Pettrotta, me “Mëma më fal – Mamma perdonami” i sjell skenës bashkëkohore artistike të Kosovës një video- instalacion i cili pasqyron historinë e trishtë të arbëreshëve për të cilën dihet shumë pak. Janë ditët kur Hora e Arbëreshëvet shpalli pavarësinë, Giacomo Petrotta e udhëhoqi Republikën, u torturua keqas, por historia nuk përfundon këtu

Në dimrin e viteve 1944-1945, shpërthyen kryengritje popullore në disa qytete të ndryshme siciliane. Kundërshtohej sistemi feudal që popullatën e privonte nga të korrat. Pasojë qe zia e bukës.

Në Piana degli Albanesi ose në Horën e Arbëreshëvet, më 31 dhjetor 1944, në mes të këtyre kryengritjeve, do të shpallej “Republika Popullore Fshatare e Piana degli Albanesi”, e udhëhequr prej Giacomo Petrottas, një kundërshtar ushtarak që kishte lënë rishtazi Partinë Komuniste Italiane në protestë kundër pranimit të ish-fashistëve dhe individëve bashkëpunonin me mafinë si anëtarë të partisë. Rebelimi shpërtheu me zbulimin e grurit të mbjellë nga fermerët vendas që ishte fshehur nga pronarët e tokave në një hambar publik, i zbuluar nga një polic. Me të dëgjuar lajmin, kryengritësit u mblodhën në sheshin kryesor dhe shpallën Republikën. Ngritën flamurin e kuq duke ndërprerë çdo lloj komunikimi telegrafik dhe telefonik me kryeqytetin, Palermon. Republika Popullore mori kontrollin e bashkisë. Dëboi fashistët e mbetur dhe shpalli sovranitetin. Por Republika qe jetëshkurtër. Zgjati jo më shumë se 50 ditë. Më 20 shkurt 1945, dy mijë oficerë pushtuan Horën e Arbëreshëvet, arrestuan Giacomo Petrotta tek i nënshtruan atë tok me rebelët e tjerë. Torturat qenë të pamëshirshme. Giacomo Petrotta duroi dhjetë ditë torturë, i vendosur në pozicione të dhimbshme në një tip arkivoli me dimensione 1 metër me 80 centimetra. Duart dhe këmbët i kishte të lidhura në qoshet e kutisë me tela të hollë metalikë. I hidhej ujë e kripë gjersa goditej vazhdimisht, si për ta shpaguar dyfish “fajin” e bërë.

Pjesë të dëshmisë të vetë Giacomos janë pasazhe në konceptin e instalacionit të ndjerë e të fuqishëm, “Mëma më fal – Mamma perdonami” i cili të premten mbrëma e ka rikthyer këtë histori në Prizren.

“Ata që kalonin një herë këtë torturë kurseheshin dhe nuk i preknin më, por unë kisha fat tjetër. Dhe për dhjetë ditë të tjera ata vazhduan torturat në trupin tim, por për mua sa vinin e bëheshin më të lehta, sepse trupi im tashmë ishte shndërruar në një leckë”, shkruhet në koncept.

Artistja arbëreshe, Genny Pettrotta, me “Mëma më fal – Mamma perdonami” i sjell skenës bashkëkohore artistike të Kosovës një video instalacion i cili pasqyron historinë e trishtë të arbëreshëve për të cilën dihet shumë pak. Si pjesë e projektit “Residency on the Road”, e mbështetur nga “Allianz Foundation”, ky video-instalacion bëri bashkë artdashësit në “Hangarin” e “Autostrada Biennales” si nikoqire në qytetin historik.

Si një elegji e thurur për fatin hidhur të arbëreshëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo vepër artistike vjen përmes një kompozicioni të pasur dhe unik me video dhe audio. Në hapësirën ekspozuese të “Hangarit” janë të vendosur gjashtë ekrane LED ku në atë më të madhin shfaqet video-materiali ne tërësi i përbërë nga pamje të procesit të punimit të plisit nga zonja Ergyle Gjurgjialo që përcillet me performancë vokale nga Fromba Krasniqi si një përgatitje e ndjeshme për narrativën e fuqishme të “Mamma Perdonami”. Në mesin e ndërhyrjeve artistike të paraqitura në materialin vizuel qe dhe bashkëpunimi me skulptorët Francesco Albano dhe Simone Zanaglia. Një pjesë e gurit me dimensionet e njëjta me "kutinë e torturës" gjersa lëmohet nga dy artistët, shërbeu si një kujtesë e brutalitetit të përjetuar nga të burgosurit gjatë arrestimit dhe burgosjes së tyre në vitin 1945.

Në dysheme ishin të vendosura dy ekrane të tjera të cilat luanin pjesë nga xhirimet kinematografike që kishte bërë Petrotta në punëtorinë “Filigrani” në Prizren gjersa zanatlinjtë Faik Bamja, Bashkim Tejeci, Fatime Baruti e Xhafer Lushaj po shkrinin emrin e ekspozitës në filigran.

Pjesë e instalacionit ishin dhe tri ekrane të vendosura njëra pas tjetrës të cilat paraqisnin pamje të afruara të leshit të tjerrë për përpunimin e plisit, gjersa për krijohej përshtypja se vetë leshi i tjerrë duke lëvizur po merrte frymë e po vajtonte historinë që po mundohej ta rrëfente.

Emri i ekspozitës “Mëma më fal - Mamma perdonami” i punuar në filigran, e ekspozuar nën dritën e qirinjve si pjesë e instalacionit, për artisten përbën një kuptim të shtresëzuar identitar e poetik, përmes të cilit ajo i bën homazh një pjese teatrale të titulluar njësoj e luajtur nga kryengritësit e Horës së Arbëreshëvet, në rrugët e qytetit.

“Ata e luanin këtë pjesë në rrugë duke kërkuar para që pastaj i dhuronin për më të varfrit e komunitetit. E kam pasur të pamundur ta gjejë atë pjesë, andaj jam munduar ta rikrijoj disi, andaj e kam punuar titullin në filigran për t’i dhënë asaj një dimension tjetër vlefshmërie”, ka thënë Petrotta duke treguar përpjekjet e saja që të lidhë këtë histori të arbëreshëve të Sicilisë e cila i përket asaj, por dhe të gjithë popullit shqiptar.

Image
Skenë nga videot e ekspozitës “Mëma më fal - Mamma perdonami”, e hapur në “Autostrada Hangar” në Prizren

Vatra Abrashi, bashkëthemeluese e “Autostrada Biennale”, si nikoqire gjatë ekspozitës u shpreh e lumtur që kjo “Mama më fal” u realizua me sukses në kuadër të projektit “Residency on the road”.

“Qëllimi ka qenë me përfshi pjesëmarrës nga Kosova, Stambolli e Sicilia duke i sjellë fillimisht ata për një javë në Kosovë pastaj në Stamboll e pastaj në Palermo. Ky grup ka qenë shumë divers, ka pasur artistë, dizajnerë, fermerë, kuzhinierë dhe vetë rezidenca është quajtur ‘Dekolonizimi i ushqimit, tokës dhe trashëgimisë’. Kështu që tema ka qenë gjithëpërfshirëse dhe na gëzon fakti që ka pas shumë interesim për me apliku nga Kosova, ku janë përzgjedh tre pjesëmarrës”, ka thënë Abrashi. Sipas saj ekipi ka punuar me entuziazëm rreth procesit të prodhimit të veprës, të cilën ajo e vlerësoi si unike dhe ndërlidhëse me trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Ky video-instalacion shërben si një prolog i projektit të zgjeruar i cili do të zhvillohet dhe në Sicili në fillim të vitit 2024, ku autorja synon ta pasurojë këtë narrativë dhe me elemente të tjera, ndërkaq në fund të muajit qershor synohet që ky projekt të prezantohet si një film i gjatë në Kosovë.

“Unë erdha në Prizren pasi që kam synuar që të lidh këtë histori me historinë e komunitetit këtu, sepse ka diçka që u takon të dyjave dhe komunitetit tim të arbëreshëve ashtu dhe këtu. Jam munduar të krijoj një kompozicion i cili e paraqet këtë eksperiencë, dhe jam shumë falënderuese për bashkëpunimin. Mendoj se kjo është një mënyrë praktike për të rikrijuar një rrëfim. Mundohem ta shkruaj këtë poezi e cila ende nuk ka përfunduar dhe do të isha e lumtur ta ndaja atë si të përfunduar vitin e ardhshëm”, ka thënë Genny Petrotta për KOHË-n.

Të pranishmit pos kthimit prapa në kohë, te një histori pak e njohur, kanë pasur mundësi të rrugëtojnë edhe nëpërmjet muzikës shqiptare. Pas prezantimit të “Mëma më fal” ka pasur një kapitull muzike Yll Megi, DJ nga Shqipëria i cili kishte përgatitur një set me prodhimtari muzikore shqiptare nga vitet ’60 e ’70 të cilat janë luajtur direkt nga pllakat origjinale. Nën tingujt e Fitnete Rexhës, Esat Bicurrit, Xhejlane Gutajt e emrave të tjerë që kanë lënë gjurmë në melosin popullor, të pranishmit i dhanë një përshëndetje të fundit kësaj suareje të këndshme në Prizrenin e filigranit që ishte nikoqir i dhimbjes arbëreshe.

Filigranisti Bashkim Tejeci nga punëtoria “Filigrani” që ka punuar në vepër me kolegët e tij filigranistë, është shprehur i kënaqur që pati rastin ta shihte projektin e përfunduar.

“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për ne pasi që komunikimi ka qenë shumë i mirë dhe ne jemi munduar që t’i shfaqim vlerat tona përmes punës sonë. Shpresoj që dhe pala tjetër në këtë rast ka qenë e kënaqur me atë se çka kemi ofruar”, ka thënë Tejeci.

"Mëma më fal – Mamma Perdonami” jo vetëm që hedh dritë mbi një ngjarje të harruar historike, por shërben gjithashtu si një kujtesë e fuqishme e durimit dhe vendosmërisë së një komuniteti përballë së keqes. Kjo ekspozitë e veçantë përfshiu vizitorët në të kaluarën e hidhur, duke nxitur ata në njohjen e mëtejshme të trashëgimisë kulturore të Horës Arbërshe dhe frymës stoike të njerëzve të saj.