Shtojca për Kulturë

Stenogram i 1967-s: Formula e “marrëveshjes vëllazërore shqiptaro-serbe”

Prishtinë, 1960 (Foto: Arkivi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve)

Prishtinë, 1960 (Foto: Arkivi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve)

Shënimet stenografike nga mbledhja e 20 marsit të vitit 1967, të thirrur nga kryetari i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito ku morën pjesë Edurad Kardel, Koça Popoviq, Mijallko Todoroviq, Dobrivoje Radosavleviq, Petar Stamboliq, Dragi Stamenkoviq dhe Vllada Popoviq, në rrugën “Uzhiçka numër 20” në Beograd, i përkasin një periudhe të ndjeshme të zhvillimeve politike në Kosovë. Kjo është pjesa e tretë e atij stenogrami, në artikullin e përgatitur nga Skënder Latifi

Vlladimir Popoviq (sekretari gjeneral i kryetarit të RSFJ-së, Josip Broz Tito) e shprehu mendimin se pas Plenumit IV edhe në krahinë erdhi deri te manifestimi i disponimit të masës, shumë më pozitiv se më parë dhe marrja hov që në ndërkohë është manifestuar, është karakteristikë e asaj krahine. Përveç kësaj, Popoviqi shtoi se ka biseduar me një numër të madh të kuadrove të cilët e shprehën ndjenjën se situata është shumë më e mirë se sa më herët. Edhe pse ka reagime, megjithatë proceset e lëvizjeve pozitive janë të hapura dhe ato e kërkojnë forcimin e rolit dhe të autoritetit të Lidhjes Komuniste. Është e nevojshme që si në republikë po ashtu edhe në krahinë gjithçka të bëhet me qëllim të valorizimit të të arriturave revolucionare.

Dobrivoje Radosavleviq më pastaj iu qas jehonës pozitive që do të mund ta kishte marrja e emrave të luftëtarëve dhe datat e historisë të së kaluarës revolucionare shqiptare dhe me to të emërtohen rrugët, ndërmarrjet e të tjera. 

Koça Popoviqi e tërhoqi vërejtjen se afirmimi nuk është punë e keqe vetvetiu, vetëm shtrohet pyetja se një moment të caktuar në çfarë mund të shndërrohet vetë afirmimi. Prandaj, këtu janë të rëndësishme qasjet politike dhe valorizimi gjegjës ndaj vetë disponimit politik.

“Nëse shqiptarët nuk afirmohen duhet pritur eksplodimin e sërishëm të situatës në Kosovë”

Më pastaj, Edurad Kardeli vlerësoi se sa i përket afirmimit të kombësisë shqiptare, duhet të mbështetemi në tendencat pozitive. Secila braktisje e këtij afirmimi, qoftë edhe nga platforma e re, do të na kthente prapa drejt situatës së njëjtë çfarë ishte më herët, por me një eksplodim të ri! Tani është me rëndësi të saktësohet se çfarë duhet pranuar nga e kaluara revolucionare e kombit shqiptar. Për shembull, Kosova dhe Dukagjini le ta ketë festën e vet; më pastaj le të merret një datë që do të shënonte përfshirjen e tyre në luftën tonë nacionalçlirimtare. Më tej Kosovën duhet përfshirë në mënyrë aktive në të gjitha proceset e zhvillimit tonë shoqëroro–ekonomik. Veçmas duhet tërhequr vërejtjen rreth zhvillimit ekonomik, rezultatet dhe perspektivat. Këtu mund të bëhet qasje kritike për të gjithë periudhën e kaluar, me të vetmin kusht që duhet pasur parasysh dhjetë vjetët e fundit. 
Më në fund duhet të shihen se cilat janë problemet e vërteta, e jo të mbyllen sytë, por duhet ulur dhe duhet ballafaqim i hapur me ato probleme. Unë mendoj se kemi shumë shembuj mësimdhënës që na mësojnë për këtë. Ja për shembull, 22 vjet pas çlirimit fillojmë me të vërtetë ta zgjedhim problemin e gjuhës, edhe pse qysh në vitin 1945 e kemi proklamuar barazinë e gjuhëve. Apo ta përmendi rastin e Televizionit Slloven. Qysh para disa vjetëve unë kam thënë që ata duhet të emitojnë më shumë program në gjuhën sllovene. Kam thënë se qytetarët do të revoltohen dhe në mënyrë të mprehtë do ta shtrojnë pyetjen se për çfarë mungon ky program. Dhe tani u dëshmua se dhe kjo çështje është dashur të zgjidhet më herët. 

Rasti i njëjtë tani është edhe në Zagreb me Deklaratën (rreth gjuhës – S. L.). Ne kemi folur mjaft për të drejtat e kombësive, për luftën kundër nacionalizmit, por fatkeqësisht nuk jemi marrë sa duhet me këto çështje dhe me këto probleme. Në raste të tilla duhet sqaruar hesapet dhe duhet të dihet saktë se çka është drejt e çka jo, dhe atëherë në këtë bazë duhet forcuar luftën.

Kur kemi të bëjmë me Kosovën dhe Dukagjinin, duhet përkrahur afirmimin e shqiptarëve, por duhet bërë të ditur atyre se problemet e tyre nuk mund t’i zgjidh federata, por ato mund t’i zgjedhin vetë shqiptarët, serbët dhe malazezët në kuadër të Republikës (Serbisë – S. L.) dhe atje ku jetojnë ata. Përveç tjerash duhet thënë qartë se arritja e çfarëdo suksesi është e pamundur të ndodhë jashtë marrëveshjes vëllazërore midis shqiptarëve dhe serbëve. Duhet thënë dhe të definohet qartë se atje ka shqiptarë të tillë dhe të këtillë, serbë të tillë e këtillë dhe malazezë të tillë e këtillë. Dhe atëherë duhet kërkuar prej komunistëve që të zbatohet politika e tanishme e çrrënjosjes së tendencave të caktuara negative.

Më tutje, unë jam i mendimit që ta pranojmë atë që është e nevojshme, por duhet të jemi të qartë në kërkesa dhe t’ua bëjmë me dije se vetë ata duhet të luftojnë kundër mëllënjve nacionalistë, kundër reaksionit të brendshëm, kundër tendencave të ndryshme nacionaliste.

Kuadrot shqiptare janë të interesuar për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve me Shqipërinë

Koça Popoviq e nënvizoi nevojën për afrimin e mundësive në pikëpamjen e zgjidhjes së këtyre problemeve të cilat i ka krijuar Plenumi IV, edhe atë në kuadër të mbarë Jugosllavisë, kështu që ata (shqiptarët) duhet ta gjejnë vendin e tyre në kuadër të perspektivës së gjerë. Tashmë ka interes që këtë çështje ta vendosim si të plotë, që disi të provojmë të valorizojmë gjithçka pozitive që është krijuar pas Plenumit IV.

Dobrivoje Radosavleviq dëshmoi se shqiptarët në tërësi dhe në veçanti kuadrot shqiptare, janë të interesuara për marrëdhëniet tona me Shqipërinë. Është çështje në vete se çka është këtu reale dhe çka nuk është. Por, një dëshirë pozitive e vendit tonë është që deri diku t’i përmirësojë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe kjo do të pranohej mirë tek ata, sepse atyre u duket se ne nuk jemi duke paraqitur kurrfarë interesimi për këtë çështje, por ndoshta edhe se nuk jemi duke bërë atë që është e mundur ta bëjmë. Ndoshta është e nevojshme që të thuhet diçka edhe rreth kësaj teme. 

Shoku Tito tha se nuk ka menduar që ta përmend këtë çështje. 

Dobrivoje Radosavleviq e tërhoqi vërejtjen se disa prej kuadrove të tyre (Kosovës) duhet përfshirë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me qëllim që ata ta ndjejnë veten të përfshirë konkretisht në sektorin e politikës së jashtme.

Vlladimir Popoviq (1914 – 1972)

Kosova është e izoluar në planin e rrugëve  

Dragi Stamenkoviq e potencoi se ata me siguri që do ta iniciojnë edhe çështjen e rrugëve. Duhet të pranojmë se atje nuk e kemi përfunduar asnjë rrugë të vetme, por edhe hekurudhat nuk janë modernizuar. Këtë gjendje ata e paraqesin këtë si problem në vete dhe të madh. Tani për tani ata nuk kanë lidhje as me Shkupin por edhe me drejtimet tjera. Mirëpo deri në vitin 1970 do të jenë të lidhur me magjistralen e Adriatikut dhe Shkupin. Kuvendi Federativ tashmë e ka aprovuar këtë vendim. Ndoshta do të iniciojnë edhe çështjen e ujit në Kosovë, por tani për këtë nuk duhet të deklarohemi. Jam i mendimit se ata janë të kënaqur me mjetet që iu ndahen nga Fondi i Krahinave të Pazhvilluara. Bile edhe boshnjakët janë të pakënaqur dhe ata e kanë iniciuar çështjen e shpërndarjes së këtyre fondeve. Nga Fondi i Kredive Zhvillimore për Kosovën janë ndarë 246 miliardë. Në prodhimin industrial në dy muajt e parë të këtij viti, ata kanë shënuar rritje për 8 për qind, ndërsa mesatarja jugosllave është 2 për qind. Ata janë duke shkuar shpejt në zhvillimin e tyre. 

Koça Popoviq u interesua për marrëdhëniet e tyre politike me Beogradin – se a ka hapa pozitiv në këtë drejtim dhe paraqitje të përbashkët të problemeve.

Pasi Dobrivoje Radosavleviq u përgjigj pozitivisht, Dragi Stamenkoviq shtoi se kontaktet nuk janë mjaft intensive dhe ndoshta do të mund të ishin më të shpeshta. Shokët nga Kosova kanë kontakte dhe me republikat e tjera.

“I kam porositur përfaqësuesit e Kosovës të mos çepkasin shumë në ngjarjet e së kaluarës”

Kryetari Josip Broz Tito e potencoi se përgjegjësia kryesore u takon komunistëve. Pa Lidhjen e Komunistëve nuk mund të zgjidhen kundërthëniet. Komunistët duhet ta kenë të qartë pamjen se çfarë dëshirohet të arrihet, cilat marrëdhënie duhet të jenë prezente në bashkësinë tonë socialiste dhe ata duhet t’i vënë në pah ato gjëra që nuk mund të tejkalohen.

Ndërsa Edurad Kardeli e tërhoqi vërejtjen se kuadrot shqiptare duhet ta kuptojnë se reaksioni i tyre atje në fakt lufton kundër tyre.

Dragi Stamenkoviq, në fund tha se në Kosovë secila çështje në realitet e ka edhe aspektin kombëtar. Të dyja palët atje duhet të manifestojnë më shumë gjerësi. Ndërsa Lidhja Komuniste duhet t’i vendosë gjërat shumë hollë dhe në mënyrë të diferencuar. Në disa veprime ata mbahen si të shtangur, ndërsa në vetë qendrën e krahinës sadopak ka më tepër centralizëm.

Kryetari Josip Broz Tito, vlerëson se vetë procesin e zhvillimit duhet vendosur në bazë klasore. Momenti klasor duhet të vijë më fuqishëm në shprehje. Fenomenet (kërkesat) që janë paraqitur (manifestuar) atje janë prezentë edhe në republikat e tjera. Një qytet, për shembull mund ta turbullojë gjendjen në republikë, një pjesë e vetë atij qyteti bile vetëm një grup njerëzish mund të fusë huti. 
Dragi Stamenkoviq e bën të njohur se në Administratën e Sigurimit Shtetëror janë bërë ndryshime të mëdha dhe kjo është mirë.

Vllada Popoviq u interesua se a janë gjetur mirë kuadrot e reja dhe a janë vendosur mirë.
Kryetari Josip Broz Tito tha se ua ka bërë me dije delegacionit të Kosovës që mos të çepkasin nëpër ngjarjet dhe gjërat që janë të moçme, të para pesëmbëdhjetë vjetëve e më tepër, veçmas të kohës kur njerëzit na vdisnin në kufi dhe kur kishim të bënim me mbrojtjen e bashkësisë sonë socialiste.
Me këtë u mbyll mbledhja që zgjati rreth një orë.