Gazetari gjerman, Erich Rathfelder, e konsideron masakrën e Reçakut më 15 janar 1999 jo si një befasi, por si një zhvillim të pritshëm. Përmes kontakteve me burime serbe në Sarajevë, ai kishte kuptuar se Millosheviqi po përgatitej të luante gjithçka në një kartë të vetme për të realizuar vizionin e tij për ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës. Masakrën e Reçakut autori e sheh si një përpjekje për të dëbuar shqiptarët nga Kosova, por edhe si pjesë e strategjisë ushtarake për të kontrolluar rrugën Prishtinë–Prizren, një nga arteriet kryesore të vendit. Me librin e tij “Kosova – Historia e një konflikti” ai i jep Kosovës një zë të saktë në histori – një zë që duhet të dëgjohet
Plani “Patkoi” dhe ndërkombëtarizimi i konfliktit
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdryshe nga shumë autorë të tjerë ndërkombëtarë – përfshirë edhe disa gjermanë – Erich Rathfelder pohon se strategjia serbe e tokës së djegur në Kosovë ishte pjesë e një plani të strukturuar ushtarak. Sipas tij, ky plan kishte formën e shkronjës “U” të kthyer nga perëndimi, e cila duhej “mbyllur” nga forcat serbe për të përmbyllur rrethimin dhe pastrimin e Kosovës. Për ta mbyllur këtë “U”, serbët duhej të merrnin nën kontroll rrugën Prizren–Pejë. Shqiptarët nga ana tjetër, duhej ta pengonin këtë synim duke ndërtuar planin e koduar ushtarak “Patkoi“ në Kosovën qendrore, nga ku më pas do të mund të përparonin drejt veriut apo jugut për të ndërprerë lidhjet logjistike serbe dhe për të izoluar trupat e Beogradit në Prizren apo Pejë.
Për ta realizuar këtë strategji, UÇK-ja duhej të mbante të hapur kufirin me Shqipërinë në disa pika kyçe, të mbronte qytezën e Junikut dhe të merrte kontrollin e Rahovecit. Kjo skemë operacionale lidhej drejtpërdrejt me vizitën e emisarit amerikan, Richard Holbrooke, në Junik në qershor 1998, në përpjekje për të hapur kanale dialogu dhe për të përfshirë UÇK-në në procesin politik. Në këtë kuadër, Rathfelder flet për negociatat me afate kohore të përcaktuara, për angazhimin diplomatik të Holbrooke, ambasadorit Christopher Hill, sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Javier Solana, si dhe të ambasadorit austriak në Beograd, Wolfgang Petritsch. Ai analizon gjithashtu rolin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe debatet që filluan në Perëndim për nevojën e ndërhyrjes edhe pa autorizim të OKB-së, në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të situatës.
Ky ishte momenti kur Kosova fitoi një dimension të ri ndërkombëtarizimi. Nën presionin amerikan, Millosheviqi u pajtua të nënshkruante marrëveshjen me Holbrooke për vendosjen e 2.000 vëzhguesve të paarmatosur të OSBE-së – marrëveshje që u pranua edhe nga UÇK-ja. Më 9 tetor 1998, kjo e fundit shpalli një armëpushim të njëanshëm.
Masakra e Reçakut dhe dështimi i marrëveshjes Holbrooke-Millosheviq
Rathfelder e konsideron masakrën e Reçakut më 15 janar 1999 jo si një befasi, por si një zhvillim të pritshëm. Përmes kontakteve me burime serbe në Sarajevë, ai kishte kuptuar se Millosheviqi po përgatitej të luante gjithçka në një kartë të vetme për të realizuar vizionin e tij për ndryshimin e përbërjes etnike të Kosovës.
Masakrën e Reçakut autori e sheh si një përpjekje për të dëbuar shqiptarët nga Kosova, por edhe si pjesë e strategjisë ushtarake për të kontrolluar rrugën Prishtinë–Prizren, një nga arteriet kryesore të vendit.
“Sipas doktrinës ushtarake serbe, forcat speciale vepruan sipas protokollit: fillimisht e goditën fshatin me artileri, pastaj hynë, kërkuan personat që nuk kishin arritur të iknin, ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët, i dërguan burrat në një vend tjetër dhe i pushkatuan – njësoj si në Bosnjë” , shkruan Rathfelder.
Masakra e Reçakut për të shënon gjithashtu dështimin e misionit të OSBE-së dhe të marrëveshjes Holbrooke–Millosheviq. Ky krim tronditi opinionin ndërkombëtar dhe ishte katalizator për fillimin e ndërhyrjes së NATO-s.
Konferenca e Rambouillet – dritare e humbur kompromisi
Konferenca e Rambouillet paraqitet si një moment kyç në përpjekjet ndërkombëtare për të ndalur përshkallëzimin e dhunës dhe për të shmangur një luftë të plotë në Kosovë. Në librin e tij “Kosova – historia e një konflikti”, gazetari gjerman Erich Rathfelder i kushton kësaj konference një analizë të thelluar dhe kritike, duke e cilësuar si pikën vendimtare ku diplomacia ndërkombëtare dështoi në parandalimin e ndërhyrjes ushtarake.
Në stilin e tij të veçantë dhe të angazhuar, Rathfelder ofron një panoramë të qartë të negociatave dhe dinamikave të brendshme që karakterizuan Rambouillet, duke e interpretuar atë si një “dritare të humbur kompromisi” nga ana e Sllobodan Millosheviqit. Për të, refuzimi serb nuk ishte thjesht një akt politik, por pjesë e një strategjie të qëllimshme për të përgatitur fushatën e spastrimit etnik që do të pasonte.
Ai e demaskon narrativën serbe për një “pushtim të planifikuar nga NATO-ja”; si një manovër propagandistike që kishte për synim të legjitimonte refuzimin e marrëveshjes dhe të mobilizonte opinionin e brendshëm serb. Për Rathfelderin, Rambouillet nuk ishte dështim i Perëndimit për të imponuar paqen, por një mundësi e refuzuar nga regjimi serb – një akt që në mënyrë të pashmangshme çoi në ndërhyrjen e NATO-s.
Qëllimi i Konferencës se Rambouilleti, sipas autorit, ishte konceptuar si një model i ngjashëm me Daytonin: përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë do të izoloheshin në një kështjellë pranë Parisit derisa të arrihej një kompromis. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë – përfshirë Albright, Holbrooke, Hill, Cook, Védrine dhe Petritsch – synonin një marrëveshje të balancuar, që do të ndalte luftën dhe do të siguronte një prani të NATO-s për zbatimin e saj.
Rathfelder vë në dukje se delegacioni serb në Rambouillet ishte i dobët dhe jo përfaqësues, i përbërë kryesisht nga zëvendës dhe figura të rangut të ulët, çka dëshmonte qartë se Millosheviqi nuk ishte i interesuar për një zgjidhje politike. Përkundrazi, ndërsa bisedimet zvarriteshin, ai grumbullonte trupa dhe armatim në Kosovë, duke përgatitur terrenin për një ofensivë të re. Libri thekson se marrëveshja e Rambouilletit nuk e cenonte sovranitetin e Jugosllavisë. Serbisë i mbeteshin ende shumë kompetenca mbi Kosovën, ndërsa për shqiptarët ajo përfaqësonte një kompromis të dhimbshëm: kërkohej shpërbërja e UÇK-së, ndërkohë që statusi final shtyhej për më vonë. Megjithatë, marrëveshja parashihte vetëqeverisje të gjerë dhe praninë e forcave të NATO-s si garantuese të sigurisë – çështje kyçe për shqiptarët. Një ndër elementët më të debatueshëm ishte i ashtuquajturi “aneks ushtarak”, që i garantonte NATO-s liri të plotë veprimi në territorin e Jugosllavisë. Rathfelder sqaron se ky aneks u përdor nga propaganda serbe si justifikim për të refuzuar marrëveshjen, ndërsa kritikët e Perëndimit e cilësuan si provë për qëllime hegjemoniste të NATO-s. Megjithatë, duke u mbështetur në analizën e Jens Reuterit, autori argumenton se ky aneks nuk ishte objekt i negociatave reale dhe ishte marrë mekanikisht nga marrëveshja e Daytonit – më tepër si një model teknik sesa si qëllim real për okupim.
Përplasjet brenda delegacionit shqiptar
Rathfelder hedh dritë mbi tensionet dhe hezitimet brenda delegacionit shqiptar, sidomos mbi qëndrimin e Hashim Thaçit, i cili fillimisht refuzoi të nënshkruante. Shumica e UÇK-së ishte për marrëveshjen, por Thaçi hezitonte. Vetëm pas presionit të madh nga diplomatët ndërkombëtarë dhe paralajmërimit të Madeleine Albright se NATO nuk do të ndërhynte pa nënshkrim, delegacioni shqiptar e firmosi marrëveshjen më 18 mars 1999.
Serbia, në anën tjetër, refuzoi ta nënshkruante marrëveshjen, duke vazhduar përgatitjet ushtarake në Kosovë. Ky refuzim, së bashku me intensifikimin e represionit ndaj shqiptarëve, çoi përfundimisht në fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999. Ndërkombëtarizimi i konfliktit të Kosovës dhe bombardimet 78-ditore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe çuan në tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e saj nën mbikëqyrjen civile dhe ushtarake ndërkombëtare. Hyrja e trupave tokësore të NATO-s hapi rrugën për përpjekjet e OSBE-së, UNMIK-ut dhe Bashkimit Evropian për të ndërtuar struktura funksionale administrative në Kosovë.
Rathfelder ofron një analizë të thellë, shpesh kritike dhe të pakompromis ndaj këtij kapitulli të rëndësishëm të historisë moderne të Kosovës. Ai evidenton se në fillim prania e KFOR-it me mbi 50 mijë trupa krijoi një ndjenjë sigurie dhe shprese te qytetarët e Kosovës, të cilët sapo kishin përjetuar një fushatë spastrimi etnik. Paralelisht, UNMIK-u mori në dorë drejtimin e institucioneve dhe jetës publike.
Rathfelder analizon në mënyrë të kujdesshme strukturën e ndërlikuar dhe burokratike të
UNMIK-ut, duke theksuar se përbëhej nga disa komponentë të ndryshëm: administrata civile e OKB-së, OSBE-ja për ndërtimin e institucioneve demokratike, BE-ja për rindërtimin ekonomik, dhe UNHCR për kthimin e të zhvendosurve. Kjo strukturë katërpilare, sipas tij, nuk arriti kurrë të krijojë një komandë të qartë, hierarki efektive dhe vizion afatgjatë për zhvillimin institucional të Kosovës.
Një nga kritikat më të forta që Rathfelder artikulon është ajo ndaj elitës ndërkombëtare të UNMIK-ut, të cilët, sipas tij, pas vitit 2003 u bënë pjesë e një strukture të privilegjuar dhe të shkëputur nga realiteti i popullit kosovar. Ai i përshkruan si “funksionarë të kënaqur me rrogat e larta dhe me jetën në Prishtinë”, që shpesh treguan mungesë vullneti për t’u përballur me sfidat reale të vendit, përfshirë ndërtimin e shtetit ligjor, kthimin e të zhvendosurve serbë, luftimin e korrupsionit dhe ndërtimin e një administrate funksionale vendore. Autori thekson gjithashtu se për shkak të këtij boshllëku, shumë vendimmarrje politike mbetën në dorën e ndërkombëtarëve, ndërsa liderët kosovarë shpesh shfaqeshin më shumë si menaxherë lokalë të një pushteti të importuar sesa si bartës të vërtetë të sovranitetit. Ai evidenton, për shembull, se UNMIK-u, në vend që të përgatiste terrenin për një kalim të shpejtë të kompetencave te vendorët, shpesh i vononte këto procese me justifikime të paqarta. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, misioni i BE-së EULEX zëvendësoi një pjesë të rolit të UNMIK-ut, por sipas Rathfelderit, edhe ky mision trashëgoi shumë nga problemet e mëparshme: paqartësi politike, mungesë legjitimiteti në pjesën veriore të Kosovës, dhe konkurrencë midis aktorëve ndërkombëtarë.
Një zë që duhet të dëgjohet, ruhet dhe studiohet
Libri “Kosova – Historia e një konflikti” i Erich Rathfelder është një nga veprat më të rëndësishme dhe autentike që dokumenton në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjen e Kosovës në fund të shekullit XX dhe në dekadën e parë të shekullit XXI. Rëndësia e tij qëndron jo vetëm në faktin se është shkruar nga një dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, por edhe në qasjen e tij kritike, të paanshme dhe të thelluar ndaj aktorëve lokalë dhe ndërkombëtarë. Rathfelder nuk paraqet vetëm një rrëfim gazetaresk, por ofron një analizë të ndërlidhur të zhvillimeve politike, ushtarake dhe diplomatike që çuan Kosovën drejt çlirimit dhe më pas drejt pavarësisë. Ai ndihmon lexuesin të kuptojë se historia e Kosovës nuk është thjesht histori lokale, por pjesë e ndërgjegjes politike dhe morale evropiane, në të cilën janë përplasur vlerat e drejtësisë, përgjegjësisë dhe ndërhyrjes ndërkombëtare në mbrojtje të popujve të rrezikuar.
Libri “Kosova – Historia e një konflikti” i gazetarit gjerman, Erich Rathfelder, përfaqëson një kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në historiografinë bashkëkohore të Kosovës. I shkruar nga një dëshmitar i drejtpërdrejtë i zhvillimeve politike dhe ushtarake që nga fundi i viteve ’80 e deri te shpallja e pavarësisë më 2008, ky libër përbën një rrëfim të balancuar, të dokumentuar dhe të thellë mbi shkaqet, dinamikën dhe pasojat e konfliktit kosovar në kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë. Me vërtetësi, ndershmëri dhe guxim analitik, Rathfelder i jep Kosovës një zë të saktë në histori – një zë që duhet të dëgjohet, ruhet dhe studiohet.