E portokallta ka qenë ngjyra identifikuese e Koncertit të Femrave të Filharmonisë së Kosovës, salla ngjyrë vjollce, e shumëngjyrëshe kanë qenë veprat njashtu sikurse zërat. Ka pasur një emërues të përbashkët: thirrjen kundër dhunës ndaj grave. Se muzika është e fuqishme në përcjellje mesazhesh e ka dëshmuar koncerti, i cili është fuqizuar prej veprave kuptimplota
Nën një harmoni të kuruar mes muzikës dhe avokimit, Kori i Femrave i Filharmonisë së Kosovës, nën udhëheqjen e dirigjentit Hajrullah Syla, i ka sjellë ofruan audiencës artdashëse një koncert me plot mesazhe, si pjesë e fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve kumboi edhe një herë këtë fundvit, por kësaj radhe përmes repertorit të zgjedhur me finesë nga dirigjenti ku mes tingujsh u përçuan dhe vuajtje, histori të trishta, e mesazhe që përshkojnë fatin e gruas.
Para fillimit të koncertit, salla është kapërthyer nga emocionet e pritjes për një ngjarje të veçantë. Krahas programit të koncertit për të pranishmit u dhuruan edhe pamflete që përkojnë me shkakun e ngjarjes të premten mbrëma. Në to synohet vetëdijesimi për ngacmimet seksuale ndaj grave dhe vajzave si një hyrjeje në realitetin e tyre të vrazhdë, duke bashkuar fuqitë kundër saj. Një përpjekje për të krijuar një atmosferë të veçantë të bashkëpunimit dhe solidaritetit qe e dukshme me faktin se të gjitha gratë në audiencë ishin pajisur me shami portokalli. Disa të vendosura mbi supe plot elegancë, disa të lidhura në grykë paraqisnin figurativisht unifikimin e të gjitha grave në sallë përballë kauzës kundër dhunës. Ky moment para koncertit qe një tregues i radhës se solidariteti përmes muzikës sjell një harmoni të vërtetë mes tingujve muzikorë dhe përkushtimit të pashtershëm për një botë më të mirë.
Hajrullah Syla, dirigjent i Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se repertori i këtij koncerti është përzgjedhur me kujdes të madh duke marrë parasysh natyrën e mbrëmjes teksa ndan mesazhin e tij rreth kësaj kauze.
“Ne si muzicientë mesazhin më të mirë e japim me perfomrancat që bëjmë, andaj është e rrugës që thjesht ta respektojmë gjininë femërore dhe të kemi kujdes ndaj tyre”, ka thënë Syla.
“Shkoj e vij’ flutrim si zogu” e përpunuar nga Fahri Beqiri ka qenë e para këngë që shërbeu si hapje. Është kënga popullore si përkushtim për atributet e një gruaje dhe dhimbjes së madhe që shkakton mungesa e saj. Duke e intensifikuar ndjeshmërinë e veprave të performuara, “She Weeps Over Rahoon” e Eric Whitacre me vargje drithëruese nga poetika brilante e James Joyceit rrëqeth që në notat e para. Të përcjella nga Andi Duraku në piano dhe Shkumbin Bajraktari në klarinetë kanë shënjuar këtë performancë me një efekt të magjishëm koral, ku një pjesë e këngëtareve këndojnë tekstin e shkruar në stilin pianissimo, krejt butësisht, dhe gjysma tjetër pëshpërit tekstin duke krijuar një atmosferë mistike në sallë.
Kënga “Ain’t No Grave Can Hold My Body Down” (Asnjë varrezë nuk mund të mbajë trupin tim) theu natyrën e ndjeshme nga pjesët paraprake të luajtura duke sjellë një frymë “gospel” afro-amrikane. Teksti i saj paraqet bindjen se as vdekja nuk ka fuqi për ta mundur shpirtin njerëzor. Refreni i përsëritur, “Ain't no grave can hold my body down”, bëhet një brohoritje triumfuese e fitores mbi vdekjen krahas rrahjes së shuplakave si një intermezzo e shkurtër pas çdo refreni. Ndërthurja e elementeve të muzikës gospel, bluesit dhe folkut, me një ritëm të vazhdueshëm dhe shumë aktiv, kjo këngë shtoi energjinë në sallë.

Prurje unike në këtë repertor të veçantë qe edhe kënga popullore bullgare e quajtur “Ergen Deda”, e cila sjell me vete plot emocion. Të shquara si këngë të një stili të veçantë përmes melodive të ndërlikuara diatonike, harmonive të forta e vokalit të përdorur në kapacitetin e vet maksimal, Ergen Deda nga zërat e Korit të Femrave të Filharmonisë së Kosovës dhe Patris Berisha në perkusione erdhi si një performancë që mori duartrokitje të gjata.
Pjesë e veprave të performuara ishin edhe dy pjesë kushtuar kompozitorëve shqiptarë bashkëkohorë: “Trëndelinës” së Thoma Simakut dhe Rafet Rudit me “Një tokë, një kokë”.
Fill pas atyre, programi vazhdoi tutje me “America” të Leonard Bernstein, e cila veçohet nga tempi më e gjallëruar, e cila përtej performancës vokale ofroi për të pranishmit një skenë mjuziklli, në të cilën ka edhe elemente teatrale. Tema e këngës eksploron pikëpamjet e ndryshme të personazheve, portorikanes dhe amerikanes që jetojnë në New York. Me performancë të arrirë të sopranos Fjolla Gashi dhe mexosopranos Dea Xhemaili ky akt u përmbyll me përfshirje të të gjitha vajzave të Korit teksa qeshnin me njëra-tjetrën duke krijuar një kakofoni të këndshme, e cila solli fundin e performancës.
“Kuulin äänen” nga Laura Jēkabsone shërbeu si një rikthim në lëngimin përmes vokaleve të ndjeshme, për ta paralajmëruar performancën e fundit nga Kori i Femrave të Filharmonisë së Kosovës për këtë koncert.
Zgjedhja e dirigjentit për ta përmbyllur koncertin me një vepër grandioze i shërbeu mirë kauzës për të cilën ishin mbledhur.
Paraqitja e këngës “Song of the Universal” të Ola Gjeilo, kompozitorit norvegjez, skenës së mbuluar nga ndriçimi i butë i dha një atmosferë idilike. Qysh në notat e para, audienca u ftua të përqafonte harmonitë e pasura të luajtura mjeshtërisht nga Kuarteti i Harqeve të Filharmonisë së Kosovës me katër instrumentistet Mërgime Sadiku në violinë të parë, Erlinda Gashi në violinë të dytë, Vesa Doli në violë dhe Fjolla Asllanaj në violonçel. E zërat e Korit kanë përqafuar butësisht vargjet e poezisë së Walt Whitman duke ofruar një përshtypje se përmes ndërthurjes së sopranove, mexosopranove e altove po krijohet një peizazh tingullor, i cili ngre skenën.
Gjersa akordet e fundit po zhbëheshin në ajër, u rikujtua edhe një herë se ato shërbyen si një sfond i ndjeshëm për kauzën e rëndësishme të nderuar në atë mbrëmje.
E të pranishmit lanë sallën e koncertit, duke bartur me vete jo vetëm notat muzikore, por edhe një ndjesi të fortë të përkushtimit ndaj një qëllimi të lartë, kundër padrejtësisë.
Sopranoja e Filharmonisë së Kosovës, Selvije Marteti, e emocionuar pas performancës u shpreh e përmbushur nga ky koncert.
“Ishte mrekullia vetë. Ishim të gjitha gra, nëna, motra. Shpresoj që edhe publiku të jetë i kënaqur nga performanca jonë”, ka thënë duke reflektuar mbi vështirësitë e gruas në ditët e sotme duke dhënë mesazhin që ajo të duhet dhe të respektohet.