SOT

Mjeshtri i çiftelive të veçanta me drita

Dashurinë për atdheun e shpreh përmes veglave folklorike dhe artit pamor.

Është mjeshtri Sokol Musliu nga Medvegja, i cili prej vitesh jeton në Hajvali të Prishtinës. 
Sa herë kthehet nga Medvegja, kohën e tij e kalon pothuajse tërësisht në punëtorinë e veglave muzikore.

Ai i është përkushtuar punimit të çiftelive dhe sharkive, ndërsa artin e pikturës e ka bërë pjesë përbërëse të mjeshtërisë së tij, një ndihmë e madhe, siç thotë ai, për skicimin e saktë dhe kreativ të veglave.

“Unë jam me prejardhje nga Medvegja, vendi që më mungon sa herë që e lë për pak kohë e vij në Prishtinë. Por fati i mirë është që këtu qëndroj më pak. Punimi i veglave të folklorit më qetëson dhe kur jam këtu te punëtoria nuk hyj brenda në shtëpi me orë të tëra. Përveç çiftelisë e sharkisë, artin e pikturës e kam bë pjesë të përditshme edhe në mjeshtri, sepse paralel punoj në të dyja aq sa më ndihmon edhe me e bë planin e punimit të këtyre veglave”, thekson Musliu.

Ideja për të krijuar çifteli të veçanta, me drita, i erdhi gjatë një udhëtimi për në Medvegjë. Sot, ato janë bërë marka e tij dhe kërkesa, veçanërisht nga mërgimtarët, nuk mungon.

“Isha rrugës për në fshatin tim në Medvegjë dhe kam menduar me vete se çka mund të bëjë unë më ndryshe me punimin e çiftelive. Më ka ardhur ideja që t’iu vendosi aty drita, të cilat edhe i bëjnë më unike, por edhe i ndihmojnë fillestarëve për orientim se si të luajnë në to. Sot kam shumë kërkesa, sidomos nga mërgimtarët”, shton Musliu.

Si mjeshtër i këtyre veglave tradicionale, Musliu ka edhe një mesazh kritik për disa folkloristë që, sipas tij, nuk i trajtojnë me respekt instrumentet.

“Si mjeshtër i këtyre instrumenteve e kam të pamundur të mos jap ndonjë mednim timin sa i përket mënyrës se si disa folklorist i trajtojnë këto vegla. Unë për vete çiftelitë e mia nuk kisha pranu me ja shit folkloristëve që i thyejnë ato, sidomos kur janë të punuara me simbolin e shqiponjës. Andaj për ta kam një apel direkt që të bëjnë kujdes së është gabim i madh thyerja e veglave”, thotë Musliu.

Përveç veglave muzikore, Sokol Musliu është i njohur edhe për pikturat e tij, portrete dhe peizazhe që janë bërë pjesë e pandashme e aktivitetit të tij krijues. Të dy format e artit si veglat, ashtu edhe pikturat i kërkohen më së shumti nga bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.