Me plot entuziazëm dhe energji të mirë e nisin çdo herë ditën vajzat e reja por entuziaste të Llapit, që të merren me volejboll.
Duke u përgatitur kështu për garat që organizohen nga Federata e Volejbollit të Kosovës, e që do të zhvillohen në fillim të sezonit.
Kështu veprojnë tash e pesë vjet 16-vjeçaret e klubit të volejbollit “Llapi”.
Trajneri Fetah Gashi, i cili e ka përcjellë zhvillimin e tyre profesional që nga fillimi thotë që interesimi për t’u marrë me këtë sport nga vajzat është i madh.
Edhe duke marrë parasysh barrierat që kanë përpara, ato po vazhdojnë që të punojnë fort për t’i realizuar ëndrrat e tyre.
“Këtu bashkë me juve jemi duke e përcjellë stërvitjen e zakonshme, të cilën e mbajmë zakonisht me grupin e volejbollit “Llapi”. Jemi duke bërë vrapime, disa ushtrime të lehta trupore, nxehjet me top, por edhe disa goditje prej zonës “katër”, këto pra janë elementet kryesore të cilat ne i ushtrojmë gjatë një stërvitje. Mirëpo këto ushtrime nuk janë të njëjta gjithmonë sepse ne në varësi prej gjendjes së lojtarëve që i kemi e ndërrojmë edhe stërvitjet. Garat tani realisht ka përfunduar dhe ngarkesa fizike është më e lehtë sesa kur fillojnë përgatitjet për kampionatin, që fillon një jave para garave që i organizon federata”, thotë Gashi.
Ai tregon se klubi “Llapi” ka filluar punën para pesë vjetësh.
“Rezultatet e klubit tonë janë goxha të mira. Vetëm tri vjet pas themelimit, kemi arritur ta kalojmë ligën e parë dhe të garojmë në Super ligen ‘B’. Në grupin që ne kemi garuar kemi qenë në vendin e parë, mirëpo në garat vazhduese nuk kemi pasur fat sepse lojtarja jonë kryesore dhe më e mira na është lënduar gjatë lojës dhe kjo ka qenë goditje për ekipin tonë”, thotë ai.
E vështirësitë na i rrëfen edhe lojtarja Fatime Bahtiri, e cila udhëton nga fshati i saj, Dumnicë çdo herë kur ka stërvitje.
“Unë udhëtoj nga fshati Dumnicë çdo herë për të ardhur në stërvitje. Kjo gjë po më paraqet problem sepse nuk kemi transport të rregullt ne si fshat, po obligohet familja që të na e sigurojë transportin. Unë ka pesë vjet që merrem me volejboll”, tregon Bahtiri.
Përkrahja nga shteti iu mungon, thotë edhe Epriota Plakolli.
Epriota planifikon që të vazhdojë edhe në të ardhmen të luajë volejboll.
“Volejbolli është një sport shumë i veçantë për mua. Vullneti nuk më mungon sepse besoj se me punë dhe angazhim mund të arrish punë shumë të mira dhe të realizosh ëndrrat e juaja. Ne nuk kemi shumë përkrahje nga shteti. Unë merrem qe 2 vjet me volejboll, nuk kam vendos që ta lë volejbollin, do të merrem me këtë sport”, tregon Plakolli.
E Njomëza Rrahmoni e kujton gëzimin e saj të parë si lojtare e këtij klubi.
Sipas saj, asnjëherë nuk mund të jetë pengesë vendi se ku jeton në realizimin e synimeve të të rinjve kosovarë.
“Volejbolli më ka pëlqyer më shumë sesa sportet e tjera, unë e kam gjetur veten këtu. E kujtoj gëzimin më të madh që e kemi pasur si klub, është kur kemi marrë pjesë në ligën e parë. Kurse sa u përket sukseseve, mendoj që varet më shumë nga puna e secilit sesa nga vendi ku ndodhemi në Kosovë apo jashtë saj”, tregon Rrahmoni.
Aktualisht në këtë grup po luajnë 30 vajza juniore U16, mirëpo edhe shumë të tjera që tanimë janë seniore.
E me të cilat trajneri Gashi mendon që të marrë pjesë edhe në gara të volejbollit, jashtë Kosovës.