Sport

Familja shqiptare gjobitet me mbi 2500 franga për “selfien” e të riut me Granit Xhakën

Xhaka

Basel, 29 prill (Blick) – Është 18 nëntori i vitit 2023. Ekipi nacional i Zvicrës luan ndaj Kosovës në “St.Jakob-Park” të Baselit. Përkundër posedimit prej 77 për qind dhe dukshëm më tepër gjuajtjeve në portë të Zvicrës, ndeshja përfundon 1:1.

Driton Sedaj (40) nga Bieli është në stadium me djemtë e tij, Luanin (13) dhe Florianin (10). Kur arbitri jep sinjalin për fundin e ndeshjes, Dritoni shkoi te tezgat e ushqimit. Specialisti i logjistikës nga Bieli befasohet me atë që ndodhë ndërkohë.

Floriani papritur vrapon në fushë, duke kaluar pjesëtarët e shërbimit të sigurisë. Shkon te kapiteni Granit Xhaka. Synimi i tifozit të ri të futbollit: të marr fanellën e lojtarit të tij të pëlqyer. Djaloshi vrapoi drejt në duart e yllit të Zvicrës dhe pjesëtarët e sigurimit janë tashmë aty. Ai nuk mori fanellën, por të paktën bëri një “selfie” me Xhakën.

Më pas Floriani u shoqërua jashtë fushës. Skena u zu edhe nga kamerat e SRF-së.

Në tribunë Florianin e pritnin babai dhe vëllai, Luani. Forcat e sigurisë e njoftuan babain se djaloshi do të marrë një vërejtje dhe duhet të jap të dhënat personale. Jo gjë e madhe, mendonte Driton Sedaj. Në disponim të mirë dhe me një “selfie” me Xhakën në telefon, familja u nis për në shtëpi. Ishte një mbrëmje e suksesshme futbolli.

Disponimi i mirë nuk është më. Të premten e javës së kaluar, një email nga Federata e Futbollit të Zvicrës arriti papritur.

Për veprimin e paautorizuar për “selfie”, Driton Sedaj duhet të paguaj 2597.17 franga si gjobë.

“Isha i shokuar” i tha ai “Blickut”.

“Nuk kishte kërcënim, askush nuk ishte i kërcënuar. Një djalosh 10-vjeçar nuk paraqet rrezik”, është i bindur ai.

Ai asnjëherë nuk e ka menduar se gjoba do të jetë aq e lartë.

“Federata e Futbollit e Zvicrës ka mjaftueshëm para. Nuk mendoj se gjoba prej 2500 frangash është e drejtë apo sportive. Sidomos pasi kemi paguar 60 franga për hyrje”.

Ai fajëson forcat e sigurisë.

“Po, Floriani është i shpejtë, por qartë jo më i shpejtë se rojat e sigurisë. Ata do të duhej të ishin të të kujdesshëm”.

Por familja nuk dëshiron të ankohet për gjobën. Dënimi për “selfie” shihet si mësim për jetë. Edhe prindërit e Florianit mësuan shumë nga ngjarja.

“2500 franga për një ‘selfie’ me Xhakën është padyshim çmim i lartë për mua. Pavarësisht nëse është Xhaka apo Ronaldo, asnjë fëmijë nuk i meriton këto gjoba. Çështja duhet të jeë mësim për të gjithë prindërit. Mbani një sy te fëmijët tuaj”, tërheq vërejtjen ai.

“200 franga do të ishte dënim i drejtë. Do të ishte kompromis i mirë”.

Çka ka të thotë federata zvicerane për këtë? “Blick” e ka pyetur zyrën për media. Adrian Arnold, drejtor për komunikim, thotë se gjoba i është kaluar SFV-së nga UEFA.

UEFA nuk bën dallim në rastet e “pushtimit” të fushës.

“Gjoba na erdhi dhe ne e përcjellim atë tek autori apo prindërit e tij”, thotë Arnold për “Blick”.

Një gjobë e tillë ndahet një herë apo dy herë në vit.

“Për hyrje në fushë ne përcjellim gjobat në çdo rast. Sa herë që mund të identifikojmë autorët”, sqaron Arnold.

Ndryshe nga ndalesa për të hyrë në stadium, apeli nuk është i mundur për rastet e hyrjes në fushë. Sa i përket marrjes së mundshme të përgjegjësië, Arnold thotë: “Duhet pasur parasysh që SFV-ja nuk pagua mijëra franga kur dëmi shkaktohet nga individët”.

“Blick” i ka shkruar edhe UEFA-s, që i është referuar një pike në njërën nga rregulloret e saj: “Klubet vizitore dhe shoqatat nacionale janë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë brenda dhe jashtë stadiumit, para, gjatë dhe pas ndeshjeve”.

Shkurtimisht: Federata e Futbollit të Zvicrës është përgjegjëse për sjelljen e keqe të tifozëve, por mund t’ua përcjell gjobat e vendosura nga UEFA tifozëve përgjegjës.