Selektori i ri nga Mali i Zi i Kosovës në volejboll, Darko Prebiraçeviq, mezi pret që ta nis aventurën e re.
Prebiraçeviq u zyrtarizua më 17 korrik të këtij viti si selektor i ri i “Dardanëve”, duke e zëvendësuar çekun Martin Nemec.
Dhe që në ndeshjen e parë, Prebiraçeviq ka thënë se synon paraqitje të mirë ndaj një ekipi të fortë si Sllovakia.
Ndeshja që luhet të shtunën në Pallatin e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj nga ora 20:30, i takon Grupit G kualifikues për Kampionatin Evropian që organizohet në vitin e ardhshëm.
“Jam shumë i emocionuar për ndeshjen e nesërme. Kemi bërë punë solide në përgatitje dhe ndeshja ndaj një ekipi të fortë si Sllovakia do të jetë test i vështirë. Këtë verë kemi bërë disa ndryshime, disa lojtarë të rinj do ta kenë shansin të luajnë, kështu që me eksperiencën dhe kualtetin që e ka, Sllovakia është favorite. Megjithatë, e di se ekipi jonë ka kualitet dhe potencial. Besoj se do të luftojmë dhe do të luajmë mirë. Nëse do të jetë mjaftueshëm, mbetet të shihet në ndeshje”, ka deklaruar Prebiraçeviq të premten për KOHËN.
Kosova i ka dy humbje në “EuroVolley 2026”. U mposht nga Letonia në Gjilan dhe nga Sllovakia në Nitra në gusht të vitit të kaluar.
Pas ndeshjes me Sllovakinë, Kosova më 16 gusht luan në udhëtim te Letonia, në ndeshjen e fundit të grupit.