Kosovës i duhet urgjentisht një korrigjim i Kushtetutës për të shmangur dramat në Kuvend sa herë që zgjidhen qeveria apo presidenti
Tani që drama përfundoi dhe në fund u siguruan votat për zgjedhjen e presidentes së Kosovës, janë dy rrugë: që parlamentarët e Kosovës të vazhdojnë me avazin e vjetër apo të punojnë me konsensus për të korrigjuar Kushtetutën në ato nene e paragrafë që thjesht nuk po mundësojnë zgjidhje, por kaos. Në të kaluarën, sa herë që zgjidhej ndonjë qeveri që s’kishte deputetë të mjaftueshëm, fillonte gjahu për vota. Jo me negociata mirëbesimi dhe në interes të shtetit, por me pazarllëqe, premtime postesh, terminalesh, tenderësh etj.
Së fundi edhe zgjedhja e presidentes së Kosovës ishte një dramë e vogël, një lojë me nerva dhe me 1001 spekulime e supozime. Si të binden 80 burra e gra të qëndrojnë në parlament? Ata që kanë marrë votat për të qëndruar në parlament. Në kakofoninë televizive dëgjoheshin analistë duke e akuzuar Albin Kurtin se ndonëse ka aq shumë fuqi, po tregohet i paaftë të sigurojë votat. Të nesërmen kishte analistë që e akuzonin se po bën pazare. Çka tash? Sigurisht, jo çdo hap i Kurtit ishte elegant, por prej kur vlejnë në politikën e Kosovës rregullat e elegancës? Defekti i Kushtetutës e shtyn pothuaj çdo politikan të notojë në ujëra të turbullta. Pra, duhet të rregullohet defekti sistemor.
Fjala deputet në përkthim domethënë ligjvënës. Qytetarët e zgjedhin deputetin që ai me votën e tij të vendosë për ligje e poste – me po, jo ose abstenim. Nëse deputeti nuk merr pjesë aktivisht në votim [për apo kundër], ky veprim logjikisht është abstenim. Edhe abstenimi është votë dhe do të duhej numëruar. Por hartuesit e Kushtetutës së Kosovës kanë lënë aq shumë vrima në dokumentin themeltar të shtetit, saqë krizat janë përherë të pashmangshme. Për këtë arsye në Kosovë shumë kriza politike kanë përfunduar në tavolinat e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Por kjo gjykatë nuk mund të zgjidhë krejt problemet që i shkakton politika. Kur një kushtetutë dhe procedurat përcjellëse nuk e kalojnë testin e realitetit, atëherë duhet ndërruar, korrigjuar, përmirësuar. Në të kundërtën: drama vazhdon.
Obligimi i deputetëve për të marrë pjesë në seancë duhet të rregullohet me legjislacion. Natyrisht që ka iluministë studiosh që thonë se vullneti i deputetit është i lirë dhe askush nuk mund t’i bëjë presion. Po, e qartë kjo, ama çka i thua një deputeti të një pakice që nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit për shkak se nga Qeveria ka kërkuar pazare: kaq poste, qe vota. Ky është shantazh!
Bllokimi i Kuvendit përmes mospjesëmarrjes në proces, lidhje nuk ka me vullnet të lirë të deputetëve. Kosova nuk ka kulturë të konsoliduar demokratike, rrjedhimisht jo gjithçka mund të kopjohet nga përvoja e vendeve të tjera demokratike. Rrugëdalja e vetme nga kaosi është që deputetët të jenë të detyruar të marrin pjesë në seanca të rëndësisë së veçantë të parlamentit.
Në të vërtetë Gjykata Kushtetuese që në vitin 2011 ka theksuar se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndihen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së punës së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por, mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata”.
Pastaj Gjykata Kushtetuese vazhdon: “Zgjedhja e Presidentit të Kosovës, i ciIi sipas nenit 83 [Statusi i Presidentit] është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e njerëzve të Republikës së Kosovës, është e një rëndësie kaq të madhe, saqë të gjithë deputetët, si përfaqësues të popullit të Kosovës, duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyren...”.
A domethënë kjo se deputetët që bojkotuan seancën kanë shkelur Kushtetutën dhe Ligjin për deputetët? A do të ketë kjo ndonjë konsekuencë? Ata që thonë se edhe Lëvizja Vetëvendosje ka bojkotuar seanca, kanë të drejtë ta përmendin këtë fakt, por kjo nuk domethënë që marrëzitë e VV-së në të kaluarën duhet të shërbejnë si model për të tashmen dhe të ardhmen.
Për aq kohë sa sistemi mbetet i tillë, njollat janë të pashmangshme. Për shembull: kalimi nga PDK në VV i deputetes Adelina Grainca pa dhënë asnjë arsyetim publik vërtet është një perversitet politik. Në fushatën elektorale para 14 shkurtit ajo thoshte se “Kosova ka nevojë për rimëkëmbje në shumë sektorë, në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në sundimin e ligjit dhe në politikën e jashtme” dhe “PDK ka programin dhe ekipin më të mirë që ta kthejë Kosovën në rrugën e duhur”. Çka ndodhi që Grainca braktisi “ekipin më të mirë”? Në fushatë ajo kishte premtuar se “bashkë me kolegun Ramiz Kelmendi kemi prioritet mbështetjen e bizneseve”? A vlen ende ky premtim? Mediat, deputetët kritikë të Kuvendit, shoqëria civile, të gjithë, duhet të vëzhgojnë e hulumtojnë me kujdes nëse në muajt apo vitet e ardhshme katapultimi i Adelina Graincës do të ketë efekte për kompaninë e saj “GZ Group” apo biznese të tjera familjare. PDK ka ngritur akuza të rënda kundër saj dhe kryeministrit Kurti. Është mirë që së pari PDK të prezantojë çdo fakt e dyshim që ka. Nuk është po ashtu shenjë e mirë që Kurti ka emëruar një keqpërdorues serik të parasë publike në postin e zëvendësministrit. Një rrezik shumë i madh për demokracinë e brishtë kosovare do të ishte nëse VV për të krijuar sa më shumë fuqi politike i shpëlan nga mëkatet të korruptuarit.