Ditëve të fundit në Kosovë është zhvilluar njëfarë debati i çuditshëm mbi acarimin e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve. Debati po zhvillohet më shumë në nivel të tifozerisë në stadiumin e futbollit: njëra palë verbërisht pro Izraelit, tjetra verbërisht pro palestinezëve. Në këtë mes s’ka vend për nuanca. Por për të kuptuar një konflikt, të domosdoshme janë nuancat. Si në çdo konflikt të madh edhe në konfliktin e Lindjes së Afërt gjërat janë të ndërlikuara. Në vijim disa mendime që ndoshta mund të jenë të dobishme:
1.
Eskalimi i konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve tregon se një konflikt i pazgjidhur nuk mund të heshtet. Nëse provohet të heshtet konflikti, ai një ditë shpërthen – me pasoja të paparashikueshme.
2.
Qe 15 vjet në lagjen Sheikh Jarrah të Jerusalemit zien një konflikt mes banorëve (arabë) dhe nacionalistëve izraelitë, të cilët kërkojnë t’ua marrin pronat dhe kështu të shtrijnë edhe më shumë ndikimin në qytetin e shumë shenjtoreve. Në zgjedhjet e fundit për Knesset (parlamentin izraelit) forcat cioniste dhe fanatikët fetarë izraelitë janë forcuar dukshëm.
3.
Konflikti për çështje pronësore në Jerusalem është shfrytëzuar nga Hamasi, një organizatë palestineze që sundon në Rripin e Gazës, për t’i fryrë zjarrit. Hamasi është organizatë terroriste! E terroristët nuk i kursejnë viktimat civile. Këtë e bën edhe Hamasi. Sulmet e Hamasit me raketa kundër vendbanimeve izraelite janë pjesë e betejës për dominim në politikën palestineze. Hamasi sundon në Rripin e Gazës që nga viti 2007. Kundërshtarët e Hamasit, pra Lëvizja Fatah e presidentit Mahmud Abaz, qeveris në Bregun Perëndimor të lumit Jordan. Hamasi është i izoluar në Gaza – jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga Egjipti. Varfëria në Gaza është e madhe. Hamasi nuk ka ide si të zgjidh problemet jetike të qytetarëve, andaj e kërkon mbijetesën politike me retorikë nxitëse, duke i dhënë hov edhe fanatizmit fetar islamik. Presidenti Abaz prej vitesh refuzon të shpallë zgjedhje nga frika se do të pësojë disfatë edhe në Bregun Perëndimor. Fatahu, që është udhëhequr me dekada nga Jaser Arafati, është një organizatë politike thellësisht e korruptuar.
4.
Një interes të caktuar për të eskaluar situatën e kanë edhe shumë forca politike konservatore në Izrael, përfshirë edhe kryeministrin Benjamin Netanjahu, i cili po kërkon me ngulm partner për të qeverisur dhe po përballet me drejtësinë për shkak të akuzave për korrupsion. Dallimi mes Izrealit dhe vendeve arabe është esencial: në Izrael drejtësia nuk ngurron të hetojë dhe dënojë edhe kryeministra, si për shembull kryeministrin Ehud Olmert.
5.
Ndikimi i kolonistëve hebraikë është i madh në politikën izraelite. Ata s’kanë asnjë interes të gjejnë një zgjidhje të konfliktit me palestinezët. Qëllimi i tyre është pushtimi i sa më shumë territoreve palestineze. Humbës të konfliktit të ri janë aktivistët e paqes dhe shoqëritë civile izraelite dhe palestineze. “Fitues” janë ekstremistët në të dy anët.
6.
Për shkak të boshllëkut të pushtetit në Bregun Perëndimor të lumit Jordan dhe në Izrael, grupet ekstremiste shohin një shans për t’u profilizuar. Presidenti palestinez Mahmud Abaz nuk gëzon kurrfarë legjitimiteti demokratik. Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu lufton për mbijetesë politike. Kjo situatë është e mirëseardhur për provokatorët e Hamasit, të cilët ëndërrojnë një intifadë të re, një luftë të re kundër Izraelit, i cili gjendet para dilemës: të godasë ashpër dhe të futet në spiralen e dhunës apo të shtendos konfliktin dhe të kërkojë një zgjidhje.
7.
Cila është zgjidhja? Dy shtete. Një për izraelitët, tjetri për palestinezët. Por ky plan ka mbetur skicë për shkak të mungesës së gatishmërisë për kompromis mes dy palëve.
8.
Tani disa mendime mbi debatet kosovare mbi situatën në Lindjen e Afërt. Dija e përgjithshme në viset tona mbi konfliktin e atjeshëm është e cekët. (Nuk di të jetë përkthyer në Prishtinë ndonjë libër substancial mbi konfliktin në Lindjen e Afërt, për shembull “Izraeli - një utopi” i Omri Boehm, i cili flet për një “vizion binacional”, domethënë një shtet të përbashkët izraelito-palestinez, sepse një shtet palestinez, sipas Boehm, nuk është më i mundur – ngase Izraeli tashmë e ka shkatërruar këtë mundësi me okupimin e tokave palestineze). Ata kosovarë që palestinezët i shohin vetëm si myslimanë, janë, në thelb, injorantë, e në rastin më të keq fanatikë fetarë. Çështja palestineze është, në radhë të parë, çështje e të drejtave të njeriut. Pra, para se të jenë myslimanë (ka edhe arabë të krishterë në viset palestineze), palestinezët janë njerëz. Njerëz që meritojnë të jetojnë në paqe. Të kenë mundësi për t’u zhvilluar ekonomikisht. Të mos mbahen në izolim nga Izraeli. Të mos shtypen. Të mos u grabitet toka. Çështja palestineze është çështje e të drejtës së vetëvendosjes dhe mëvetësisë shtetërore. Kjo nuk domethënë se duhet mbyllur sytë para akteve terroriste të palestinezëve. Shumë probleme me të cilat ballafaqohen sot palestinezët, nuk lidhen me Izraelin, por me qeverisjen e keqe, kriminale të udhëheqjes palestineze.
9.
Omri Boehm në librin e tij thekson se një shtet i përbashkët duket i pamundur edhe për shkak se më 2018 Izraeli ka miratuar një ligj që potencon karakterin hebraik të shtetit. Kështu edhe gjuha arabe e ka humbur statusin e gjuhës zyrtare. Pra, nëse shteti i përbashkët është utopi, atëherë a mund të ketë dy shtete? Po, nëse ka gatishmëri për kompromis. E kompromisi duket i pamundur për shkak të shumë arsyeve që u përmendën më lart.
10.
Të kritikosh politikat e Izraelit ndaj palestinezëve, nuk do të thotë se e ke delegjitimuar Izraelin si shtet. Edhe organizata me renome për të drejtat e njeriut Human Rights Watch e përshkruan situatën e tanishme të palestinezëve si aparteid. Është e njëjta organizatë që me raportimet e saj mbi terron serb në Kosovë ka ofruar dëshmi që gjyqësia ndërkombëtare të akuzojë krerët e shtetit serb. Ndoshta përkrahësit e flaktë dhe nganjëherë qesharakë të Izraelit, të cilët nuk kanë kurrfarë interesimi për fatin e palestinezëve, duhet të lexojnë më shumë, për shembull raportet e Human Rights Watch. S’ka asnjë dilemë: si çdo komb edhe hebrenjtë kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre, sidomos pas përvojës së Holokaustit. Delegjitimim i Izraelit është kritika që fokusohet në mohimin e së drejtës së hebrenjve për të pasur shtetin e tyre. Antisemitizëm është kur, ta zëmë, të rinj me origjinë arabe shfaqen para një sinagoge në Gjermani dhe përdorin gjuhë vulgare e nxitëse kundër hebrenjve.
11.
Në botën shqiptare deri më tani, fatmirësisht, nuk manifestohet antisemitizëm i hapur, por përvoja nga lufta e Sirisë ka treguar se ka imamë që nuk ngurrojnë t’i shohin shqiptarët si pjesë të “ymetit mysliman”, rrjedhimisht edhe ka pasur apele direkte apo indirekte nga ana e imamëve që të rinjtë të shkojnë në Siri “për të luftuar për mbrojtjen e islamit”. Imamë të tillë ende vazhdojnë të dalin nëpër televizione, atyre u hapen studiot e televizioneve qendrore, ku të pasfiduar mund të vjellin propagandën e tyre.
12.
E vërtetë është që ka politikanë e diplomatë palestinezë që vazhdimisht japin deklarata kundër pavarësisë së Kosovës. Këto deklarata irritojnë tej mase kosovarët, të cilët me ndihmën e Perëndimit arritën të themelojnë shtetin e tyre. Diçka të tillë palestinezët tani për tani vetëm mund të ëndërrojnë. Deklaratat e kastës së korruptuar palestineze kundër Kosovës duhet të hidhen poshtë me përbuzje nga Prishtina zyrtare. Njëkohësisht duhet të ketë më shumë përpjekje për të vendosur kontakte me pjesëtarë të shoqërisë civile palestineze, të cilët mund të kenë mendim krejt tjetër për pavarësinë e Kosovës se kasta e korruptuar.
13.
Faktet mbi konfliktin e Lindjes së Mesme janë të dhimbshme. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Oslos më 1993 numri i kolonistëve hebraikë në Bregun Perëndimor është rritur në 400 mijë, ndërsa në rrethinën e Jerusalemit në 300 mijë.
14.
Në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel” filozofi Omri Boehm thotë se ende është e mundur që djalli që ka dalë nga shishja të futet sërish në shishe, por “frikësohem se kjo nuk është në interes të Netanjahut. Ai dëshiron të mbajë këtë krizë për të mbetur kryeministër dhe të mos jetë i detyruar të shkojë në burg”.
15.
Duket se gjërat po qartësohen pak. Popullisti i djathtë Naftali Bennett, i cili dëshironte të krijonte një qeveri të ndryshimit për të hequr nga pushteti Netanjahun, befas ka paralajmëruar se do ta përkrahë Netanjahun si kryeministër. Disa luftëra nuk bëhen për kauza të mëdha, por për interesa krejt të rëndomta: për shembull për të qëndruar në pushtet. Absurde, por jo larg së vërtetës: me raketat e tij Hamasi i ndihmon Netanjahut. Në këtë betejë Hamasi e di se çdo viktimë civile e shkaktuar nga Izraeli i ndihmon për të rritur prestigjin brenda kampit palestinez. Pra, edhe këtu bëhet fjalë për sigurim pushteti. Asgjë nuk është bardh e zi, as në Lindjen e Afërt.