Angela Merkel po largohet nga pozita e kancelares gjermane pa ndonjë nismë serioze për të zgjidhur konfliktin mes Serbisë dhe Kosovës
10 vjet më parë, më 23 gusht 2011, në Beograd dolën para mediave kancelarja e atëhershme (dhe e tanishme) gjermane Angela Merkel dhe kryetari i atëhershëm i Serbisë, Boris Tadiq. “Diçka të tillë rrallëherë shihet në vizitat shtetërore: mikpritësi dhe vizituesja acarohen para mediave të tubuara. Kështu bëri vaki në paraqitjen e Merkelit në Serbi. Ajo i kërkoi presidentit Tadiq biseda direkte me Kosovën. Por ai kundërshtoi çdo përzierje”. Kështu e përshkruante revista gjermane “Der Spiegel” konferencën për media të Merkelit dhe Tadiqit.
Kancelarja gjermane atëbotë kërkoi biseda direkte të palës serbe me qeverinë në Prishtinë për të zgjidhur konfliktin rreth pikave kufitare në veri të Kosovës. Katër javë më parë, në korrik 2011, kriminelët serbë kishin vrarë një polic të Kosovës në veri të vendit. Ngjarjes së rëndë i kishin paraprirë tensione, trazira, bllokada – dhe hapje zjarri. Por, Tadiq ia tha në sy Merkelit: “Askush s’ka të drejtë të kërkojë nga Serbia të zhvillojë dialog me Prishtinën”. Merkeli kërkoi rezultate nga dialogu, heqjen e strukturave paralele serbe në veri dhe mundësimin e punës së Eulexit në Kosovë.
Një vit para Merkelit, në Beograd kishte qëndruar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Ai kishte thënë se pa lëshuar pe Serbia ndaj Kosovës, as që mund të mendohet për fillimin e negociatave për anëtarësim mes Beogradit dhe BE-së. “Diskutimet mbi integritetin e Kosovës kanë marrë fund”, tha Westerwelle, duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila nënvizoi legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Që nga atëherë, Gjermania praktikisht është tërhequr nga negociatat për Kosovën. Në 10 vjetët e fundit, dialogun e kanë “koordinuar” Caterine Ashton, Federica Mogherini dhe tani Mirosllav Lajçaku. Asnjë impuls serioz nuk ka ardhur nga Gjermania. Merkel vetëm e ka mbajtur kapakun mbi tenxheren që po zien. Mundësisht të evitohet eskalimi i konfliktit dhe gjakderdhja. Le të vazhdojë status kuoja. Po, Berlini e ka kundërshtuar idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo s’mjafton. Nëse Gjermania ka qenë e interesuar të zgjidhë kontestin mes dy palëve, atëherë nuk mjafton vetëm të kundërshtohet diçka, por duhet edhe të tregohet për çka qëndron Gjermania. Njohja e Kosovës nga Serbia si parakusht për normalizim të raporteve nuk përmendet në prononcimet publike të Berlinit. Kjo u pa edhe gjatë vizitës së fundit të ministrit Heiko Maas në rajon.
Në shtator në Gjermani do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Merkeli nuk do të kandidojë më dhe me gjasë do të tërhiqet nga jeta politike. Një qeveri e re pritet të krijohet deri në fund të vitit. Nëse pjesë e qeverisë së re të prirë nga partia konservatore CDU e Merkelit do të jenë edhe të Gjelbrit gjermanë dhe nëse ndonjë nga politikanët e gjelbër bëhet ministër i Jashtëm, ndoshta mund të ketë pak më shumë interesim për Kosovës dhe Ballkanin në përgjithësi. Të Gjelbrit tradicionalisht kanë pasur më shumë kujdes mbi zhvillimet në rajon.
Në dekadën e fundit shumë gjëra janë zhvilluar mbrapshtë. Kosova ka bërë shumë kompromise dhe nuk ka fituar pothuaj asgjë. As njohje nga Serbia, as njohje nga 5 vendet e BE-së, as liberalizim të vizave. Duket e pabesueshme, por qytetarët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë mund të udhëtojnë lirshëm në Zonën e Schengenit, ashtu si edhe qytetarët e shteteve të tjera të Ballkanit. Se si kanë arritur Ukraina dhe Gjeorgjia t’i bindin vendet e BE-së se janë shtete më funksionale se Kosova, mbetet mister i madh. Ose thënë më thjesht: liberalizimi i vizave për këto vende ka qenë vendim gjeostrategjik, duke i mbyllur sytë para deficiteve.
Megjithatë, Gjermania nuk ka qëndruar indiferente. Mijëra njerëz nga rajoni, përfshirë edhe Kosovën, janë rekrutuar dhe punojnë si mjekë, inxhinierë, infermiere – kryq e tërthor nga Gjermania lindore në atë perëndimore. Shpenzimet e arsimimit të këtyre njerëzve i bartin shtetet e varfra si Kosova, nga dija dhe fuqia punonjëse e tyre përfiton Gjermania.
Sa u përket integrimeve evropiane: nuk duhet pasur asnjë iluzion. Ky proces është ndërprerë. Si projekte për alibi janë shpikur nisma si “Procesi i Berlinit”, klube për të bërë llaf mbi integrimet rajonale. Por, asnjë integrim rajonal nuk mund të jetë funksional për aq kohë sa Serbia luan rolin e shtetit sabotues kudo në rajon – në Bosnjë, në Mal të Zi, në Kosovë. Dhe për aq kohë sa kjo politikë e Beogradit tolerohet.
Mund të tingëllojë paradoksale, por të vetmet lëvizje në drejtim të integrimeve euroatlantike në gjysmëdekadën e fundit kanë ndodhur nën administratën e Donald Trumpit, i cili nuk ishte mik i madh i NATO-s, por prapëseprapë janë anëtarësuar Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.