OpEd

Çka mbetet nga civilizimi pas pandemisë?

Shkrimtari i famshëm britaniko-indian, Salman Rushdie, shpjegon në një ese përvojën e tij me koronavirusin, fatin e mbijetesës dhe dëmet afatgjata që do të shkaktojë pandemia për civilizimin

“Vargjet satanike”, “Fëmijët e mesnatës”, “Jozef Anton” – këto janë disa nga veprat më të njohura të Salman Rushdie, i lindur më 1947 në Indi, atëbotë ende koloni britanike. Në opinionin e gjerë ndërkombëtar Rushdie u bë i njohur më 1989, pasi udhëheqësi i revolucionit iranian Ruhollah Homeini u bëri thirrje myslimanëve të vrasin shkrimtarin britaniko-indian, për shkak se në romanin e tij “Vargjet satanike” paskësh fyer profetin e myslimanëve.

Fatmirësisht, Rushdie është ende gjallë, qe një kohë ai madje ka hequr dorë edhe nga truprojat, të cilat me vite e kanë përcjellë hap pas hapi për të evituar më të keqen. Rushdie është një shkrimtar global, me horizont të gjerë, njohës i thellë i kulturave oksidentale dhe orientale, i feve dhe historisë së kolonializmit, pop-kulturës dhe artit, letërsisë po se po.

Rushdie shquhet edhe si polemist i ashpër. Gjatë bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë së Sllobodan Millosheviqit në pranverë 1999, Rushdie kritikoi ashpër shkrimtarin austriak, Peter Handke, për qëndrimet e tij skandaloze në favor të krimeve serbe. Në komentin e tij “Për një Kosovë shqiptare”, të botuar në qershor 1999, Rushdie i bënte thirrje kryeministrit britanik Tony Blair dhe liderëve të tjerë perëndimorë që të heqin dorë nga iluzionet e krijimit të një shoqërie multietnike dhe të pranojnë realitetin se Kosova është një trevë etnike shqiptare. “Shqiptarët e Kosovës” vazhdonte Rushdie, “kanë vuajtur tmerre, ndikimi i errët i të cilave mbase është matanë çdo gjëje që janë në gjendje ta përfytyrojnë njerëz të kujdesshëm si Tony Blair. Këto tmerre ndoshta thjesht janë të pafalshme”.

Çdo lexues mund ta konsiderojë veten me fat kur lexon diçka nga veprat e Salman Rushdie. Aktualisht në mediat e rëndësishme botërore po flitet për vëllimin e tij me ese “Gjuhët e së vërtetës”. Këtu përfshihen shkrime nga viti 2003 deri më 2020. Mes eseve shquhet sidomos ai mbi kohën e pandemisë, një reflektim i kthjellët mbi virusin dhe pasojat e tij për të ardhmen e njerëzimit.

Fillimisht Rushdie tregon mbi përvojën e tij si pacient i sëmurë nga virusi korona. Nga mesi i marsit 2020 ai po bëhej gati të fluturonte nga New Yorku në Londër për të vizituar familjen e tij. Por një instinkt i “thoshte” se nuk duhej ta merrte këtë rrugë. Pas pak ditësh doli pozitiv. “Me 72 vitet e mia dhe me astmën time unë isha cak i klasës së parë” për virusin, shkruan Rushdie. Ai tregon se deri kur u sëmur nga korona vetëm dy herë gjatë jetës së tij kishte pasur probleme serioze shëndetësore.

Rasti i parë: më 1949, ende pa i mbushur dy vjet, ishte sëmurë nga tifoja. Asnjë ilaç që kishte marrë, s’bënte punë, mjeku i kishte treguar prindërve të tij se djali do të vdiste së shpejti. “Babai im i frikësuar tha me shqetësim se duhet të ketë diçka tjetër që mund të më jepet mua. Mjeku u përgjigj: ‘Ekziston një antibiotik i quajtur kloromicetin (Chloromycetin). Deri më tani dihet shumë pak për efektin e tij, por mund ta provoni, sepse ai gjithsesi do të vdesë”. Babai i Rushdie doli në qytet, në Bombej, në kërkim të një barnatoreje të hapur gjatë natës. U kthye me ilaç në shtëpi – dhe mrekullia ndodhi: Rushdie e mori veten, u shërua. Pak më vonë kloromicetini u bë ilaç standard për të luftuar tifon. Po të kishin qenë prindërit e Rushdie skeptikë ndaj shkencës, ai mbase s’do të mbijetonte.

Rasti i dytë: më 1984 Rushdie pësoi një ndezje të mushkërive dhe nuk dihej nga e kishte marrë këtë sëmundje. Qëndroi dy javë në spital në Londër dhe shpëtoi. Pastaj e la edhe duhanin, pra në një mënyrë ia pa hairin ndezjes së mushkërive. Edhe koronën e mbijetoi – pas 17 ditësh. Miq të Rushdie patën më pak fat. Vdiq këngëtari John Prine, të cilin Rushdie e pëlqente që nga albumi i tij i parë më 1971. Vdiq producenti i muzikës Hal Willner. Vdiq, shkruan Rushdie, edhe nëna e një miku.

Megjithatë, kishte njerëz që dyshonin se virusi ekzistonte dhe të tjerë që besonin se virusi ishte ndëshkim prej Zoti. Kështu mendonin zëdhënësi i “Shtetit Islamik”, një prift nga Florida dhe Hulk Hogan, ai tipi muskuloz me mustaqe të bardha që merrej me wrestling. Rushdie dyshon se njerëzimi do të nxjerrë mësimet e duhura nga pandemia. Shmangia e pasojave sociale është punë gjeneratash, supozon shkrimtari. Në disa vende qasja ndaj pandemisë është karakterizuar me cinizëm dhe dashakeqësi. Në Indi deputetët e partisë së kryeministrit Narendra Modi e shfrytëzuan pandeminë për t’i bërë përgjegjës myslimanët. Në Britaninë e Madhe kryeministri Boris Johnson tregoi një jokompetencë katastrofale, duke minimizuar rreziqet (ashtu si Donald Trumpi) dhe duke reaguar me vonesë (si Trumpi). “Nuk do të jetë lehtë për t’i riparuar dëmet që kanë shkaktuar këta njerëz në këto kohë. Sa të jem unë gjallë nuk do t’i shoh plagët e shëruara. Mbase duhet një apo disa gjenerata”, shkruan Rushdie. Me gjasë ai ka plotësisht të drejtë.