OpEd

Çka shkroi dhe çka harroi Richard Grenelli?

Para rrafsh 20 vitesh, më 28 qershor 2001, në përvjetorin e Betejës së Kosovës të vitit 1389, u ekstradua në Hagë kryekrimineli i luftës Slobodan Millosheviqi. Kjo me gjasë nuk i intereson Richard Grenellit, sepse ai noton në ujëra të tjera – në ujëra të propagandës mesjetare serbomadhe. Fat i mirë është që ky tani është person privat dhe merret vetëm me egon e tij ambicioze.

Në vend se të merrej me përralla nga historia serbe, ish-diplomati i Donald Trumpit, Richard Grenelli, dje ka mundur të shkruajë kështu diçka: «Si sot para 20 vitesh, më 28 qershor 2001, u ekstradua në Hagë diktatori krimo-komunist serb Sllobodan Millosheviq. Me ushtrinë dhe policinë e tij ai sulmoi Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën». Por kjo me gjasë nuk i intereson Richard Grenellit, sepse ai noton në ujëra të tjera – në ujëra të propagandës mesjetare serbomadhe.

Nga trashëgimia e errët e Millosheviqit edhe sot vazhdon të vuajë tërë rajoni i Ballkanit. Me makinerinë e tij të luftës ai shkaktoi krime të llahtarshme, hapi varreza masive, në Srebrenicë forcat e serbëve të Bosnjës kryen gjenocidin e parë në Europë pas Luftës së Dytë Botërore, në Sarajevën e rrethuar u vranë rreth 11 mijë veta, mes tyre 1600 fëmijë, në Kosova si pasojë e kërdisë së regjimit serb u vranë 11 mijë njerëz, mes tyre mbi 1 mijë fëmijë, u dëmtuan qytetet si Vukovari e Dubrovniku. Të gjitha këto, sipas mendësisë që përfaqëson Grenelli, as që ia vlen të përmenden. Me rëndësi për të duket propaganda serbe ose entuziazmi për netët e paharruara në Beograd, siç krekosej në shtator të vitit të kaluar, kur presidenti dhe kryeministrja serbe e pritën në Beograd me verë e me këngë. Kjo aq e dalldisi egon e Grenellit, saqë e pa të udhës që për këtë «natë të paharrueshme» ta njoftojë botën përmes Twitterit.

Qe edhe një çështje tjetër, për të cilën do të mund të shkruante Grenelli. Nesër, më 30 qershor, në Hagë do të shpallet aktgjykimi kundër Jovica Stanishiqit, ish-shef i shërbimit sekret serb, dhe Frenki Simatoviqit, njërit prej urdhërdhënësve më famëkeq të forcave policore serbe. Ata akuzohen për krime të luftës në Kroaci dhe Bosnjë. Me këto imtësi nuk merret Grenelli. Ai ka ambicie më të thella historike, dëshiron të kridhet në vitin e largët 1389. Në postimin e tij në Twitter të hënën, në përvjetorin e Betejës së Kosovës, Grenell në stilin e mitingashit lartësoi «heronjtë e Vidovdanit», «betejën kundër otomanëve», «martirët e shenjtë serbë» dhe «Shën Car Lazarin». Po të qëllonte Grenelli në Gazimestan më 1989, do t’i bashkohej nacionalistëve serbë në bartjen e eshtrave të Car Lazarit nëpër «vendet serbe».

Me postimin e tij më 28 qershor 2021 Grenell luan rolin e propagandistit serbomadh. Një injorant që nuk merr vesh asgjë nga historia dhe sillet si shërbëtor i Aleksandar Vuçiqit. Mos të harrojmë: Richard Grenelli është dekoruar nga një president i Kosovës me Medaljen Presidenciale të Meritave. Para një viti ky dëshironte të zgjidhte konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe thoshte se politikanët nuk duhet të merren me historinë, por me të tashmen, me vende të punës. Me historinë duhet të merret Grenelli. Në mënyrën e tij.

Sa i përket historisë: Beteja e Kosovës e vitit 1389 nuk është vendimtare për fatin e Ballkanit. Madje sipas historianit të njohur serb Sima Cirkoviq ekzistojnë aq pak burime primare për Betejën e Kosovës, saqë Cirkoviq dyshon nëse vërtet ka ndodhur kjo betejë. E nëse ka ndodhur, atëherë shumica e historianëve seriozë pajtohen se nuk ishte «betejë serbe», por një përballje e trupave aleate ballkanike kundër osmanëve. Vendimtare për fatin e Ballkanit është Beteja e Dytë e Fushë Kosovës e vitit 1447, ku Mbretëria Hungareze luftoi dhe humbi kundër Perandorisë Osmane. Në atë betejë serbët nuk morën pjesë, ata ishin vasalë të Sulltanit. Por një propagandisti të së djathtës ekstreme amerikane kjo nuk i intereson. Megjithatë, qe pak histori nga libri i profesorit Oliver Jens Schmitt mbi historinë e Kosovës: «Pas vitit 1389 në Kosovë ekzistonte një sundim i dyfishtë nga ana e parisë serbe dhe dinjitarëve osmanë. Osmanët kishin zaptuar me garnizone kalatë më të rëndësishme përgjatë boshtit veri-jug, por nuk kishin shtrirë pushtetin në gjithë territorin. Integrimi i Kosovës u pamundësua fillimisht nga kriza e rëndë e Perandorisë, të cilën e kishte shkaktuar humbja e Bajazitit I kundër sundimtarit të mongolëve, Timur Lenkut, afër Ankarasë (1402) - me ç’rast fisnikët serbë kishin luftuar si vasalë në anën e osmanëve. Në të vërtetë despoti serb (një titull i lartë oborrtar bizantin) Stefan Lazareviqi (i cili vdiq në vitin 1427) arriti të stabilizojë pushtetin e tij, por nuk i dha fund vasalitetit ndaj osmanëve. Pasardhësi i tij Gjuragj Brankoviqi, bija e të cilit ishte gruaja e Sulltan Muratit II, në vitin 1439 u përzu nga vendi dhe territoret serbe iu bashkuan Perandorisë Osmane. Bashkë me prijësin ushtarak hungarez János Hunyadin dhe me fisnikë të pakënaqur shqiptarë, të cilët pjesërisht ishin konvertuar në fenë islame (mes tyre edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili sot nga shqiptarët nderohet si hero kombëtar), Brankoviqi në vitin 1443 aq shumë i mbështeti për muri osmanët, saqë ata ia dhanë principatën e tij, e cila vazhdonte të mbeste vasale. Si princ ortodoks Brankoviqi qëndroi larg përpjekjeve katolike për një kryqëzatë. Ai shpresonte se si vasal osman do të arrinte të evitonte si ndikimin perëndimor (dmth. hungarez) ashtu edhe atë osman. Për këtë arsye ai nuk mori pjesë në ofensivën e dytë të madhe të Hunyadit dhe Skënderbeut. Në nëntor 1448 Murati II mposhti deri në shfarosje ushtrinë hungareze pikërisht në atë fushë ku ishte zhvilluar beteja e vitit 1389. Skënderbeu ishte kurthuar në zënka të vogla në Shqipërinë e veriut dhe ishte vonuar të mbërrijë në anën lindore (ku zhvillohej beteja). Tek beteja e dytë në Fushë-Kosovë vulosi fatin e Kosovës. Despoti serb nuk e kishte mbështetur ushtrinë katolike dhe e pagoi këtë me humbjen e Kosovës (1455) dhe - pas vdekjes së tij - edhe me fundosjen e gjithë principatës serbe». Për Grenellin kjo histori mund të duket e ndërlikuar, por assesi nuk domethënë që propaganda e tij duhet të tolerohet me heshtje. Fati i vetëm i mirë është që ky tani është person privat që merret vetëm me egon e tij ambicioze. Por i padëmshëm nuk është. Sepse ai etiketon çdokënd që nuk mund ta kundërshtojë me argumente.