Si po na kontrollon Kina në shtëpinë tonë
1.
Më ndodh shpesh që kur shoh njerëz me orë të mençura - aso që pos kohës të tregon, mes tjerash, edhe hapat e bërë gjatë ditës, energjinë e shpenzuar, ritmin e zemrës, nivelin e oksigjenimit e kështu me radhë, më bie në mend një shkrim i historianit dhe intelektualit publik Yuval Noah Harari mbi aftësinë e totalitarizmit për të shfrytëzuar këto orë. Në shembullin që ai jepte do të mund të imagjinohej lehtë se si në një diktaturë si Koreja e Veriut të angazhonte rrjetin e vet të spiunazhit për të përcjellë reagimet e popullatës së vet kur në lajmet qendrore të mbrëmjes të shfaqej Kim Jong Uni. Orët e mençura do të përcillnin, në parim të njëjtë siç funksionon “detektori i gënjeshtrave”, a janë personat që përcillen të ulur apo po lëvizin (d.m.th. a janë të vëmendshëm ndaj Prijësit), çfarë janë rrahjet e zemrës së këtyre personave kur ai mban fjalimin e tij patriotik të radhës (e çfarë mund të jetë fjalimi i Prijësit nëse jo patriotik), nëse ka shtim të rrahjeve, a është shenjë pëlqimi ndaj ndonjë pjese të fjalimit ku Prijësi flet për madhështinë e revolucionit korean apo shenjë mospëlqimi në pjesën e fjalimit ku Prijësi flet për imperializmin amerikan, dallimi në reagime të trupit mes momentit kur Prijësi mban fjalim dhe kronikës së zakonshme mbi arritjen e planit 120 për qind në prodhimin e patates apo për suksesin e një sportisti korean në Lojërat Aziatike, e kështu me radhë.
Sipas Hararit, depërtimi kaq i thellë i informatave, deri te reagimet e organizmit, u japin një avantazh të jashtëzakonshëm diktaturave që mund ta “korrin” prodhimin kaq të madh të informatave, të mbledhura nga orë të mençura e në rrjete kompanish softueri (rëndom të prezantuara si aplikacione që sistemojnë informatat ditore të shëndetit). Një sistem totalitar si ai i Koresë Veriore mund të identifikojë të gjithë ata persona që dalin jashtë mesatares së reagimit biologjik - diçka që përkundër dëshirës së trurit, trupi nuk mund të fshehë - dhe të përqendrojë energjinë e vet represive aty.
2.
Tash Kina ka bërë një hap më tutje, sipas një hulumtimi të gjatë që lexova gjatë fundjavës në “New York Times”. Sipas këtij hulumtimi, shteti kinez (që nga aparati qendror deri te stacionet policore lokale) është i pajisur me softuer që ka për qëllim të parashikojë (e parandalojë) veprimet e një personi. Softueri fillon prej identifikimit të fytyrës së personit, gjetjes së pranisë së kësaj fytyre nga cilado prej kamerave të sigurisë të vendosura gjithandej vendit, ndërlidhjes së fytyrës me shënimet përkatëse që tregojnë për veprimet specifike në të kaluarën dhe identifikojnë risqet eventuale të sigurisë nga prania e këtij personi në një lokacion specifik. Dhe, kështu, nëse tre persona që kanë precedentë penalë për vjedhje regjistrohen në një hotel, softueri e alarmon policinë lokale për këtë rrezik potencial sigurie. Të njëjtën gjë do ta bëjë nëse kamera kap fytyrën e një personi që ka në dosje regjistrimin e sëmundjes mendore, e që gjendet afër një shkolle. Dhe, natyrisht, që të dy këto ilustrime janë pak a shumë paravan për një aftësi që u nevojitet shteteve totalitare e autoritare, aftësinë që ta përcjellin personin që është i njohur si “peticionist” (dikush që i ankohet Komitetit Qendror dhe kërkon dëmshpërblim për këtë apo atë padrejtësi të së kaluarës) dhe që në momentin kur e blen biletën e trenit për të udhëtuar në Beijing të alarmojë degën politike të policisë për mundësinë e ardhjes së një protestuesi eventual.
Kina ka sot kapacitet teknologjik për të kontrolluar 1.6 miliardë qytetarët e vet, jo vetëm në të kuptuarit se çka bëjnë, si sillen, çfarë blejnë dhe sa orë flenë natën (për ata që kanë orë të mençura), por është duke dashur të kuptojë nëpërmjet algoritmeve se çfarë mund të jetë sjellja e tyre në të ardhmen, duke filluar nga e ardhmja imediate.
3.
Kapaciteti kinez për kontroll tejkalon qytetarët e vet. Në luftën teknologjike që zhvilloi administrata e kaluar amerikane, me të drejtë u insistua që rrjetet celulare 5G të mos kenë të përfshirë teknologji kineze. Një fuqi autoritare si Kina - duke zhbërë çfarëdo kufiri mes sektorit privat dhe interesave shtetërore - do të kishte mundësi që nëpërmjet rrjetit celular të kishte aftësinë e kontrollit të paprecedent informatash personale, biznesore e shtetërore të vendeve ku do të instalonte teknologjinë e vet.
Por, edhe në mungesë të rrjetit 5G, Kina megjithatë ka kapacitet të avancuar depërtimi në shtete shumë larg kufijve të vet. Në fqinjësinë e Ballkanit Perëndimor u shkrua se ka kohë që në Beograd janë instaluar kamerat dhe softueri i identifikimit të fytyrave për nevoja të policisë serbe. Por, çka do të ndodhte nëse ato të dhëna, të fytyrave që kalojnë nëpër 100 pika në Beograd të përfundojnë në superkompjuterët kinezë? Asgjë e jashtëzakonshme, nga aspekti i algoritmeve do të ishin vetëm një skedë më shumë. Dhe, kështu në mesin e shumë personave do të gjendej edhe A.A. nga Prishtina (iniciale të shpikura) që ka shkuar për operacion në Beograd (apo për të lidhur marrëveshje tregtie).
Skeda e tij do të hapej, me mundësi që të depërtohet te të dhënat e tij bankare e të telefonit celular. E me telefonin celular edhe të dhënat që i jep ora e tij e mençur, e cila jep shënimet e mirëqenies fizike të personit A.A.
Sjellja e tij (kësti i pagesave nga kartela e kreditit, blerja e ndonjë bilete udhëtimi, rrahja e tij e zemrës gjatë debatit politik, ku mysafir është një kryetar i një partie opozitare, e rrahja e tij e zemrës ku mysafir është ministri i Financave) intensivisht do të hyjë në skedën e hapur në Kompjuterin Qendror për të kuptuar më shumë për vendin ku ai jeton dhe për të modeluar sjelljen e një kosovari mesatar. Nëse fytyra e tij del në aeroportin e Shangait, e me pasaportë serbe, atëherë kompjuterët do të alarmojnë pjesën politike të policisë për një “person interesant” për përpunim të mëtejmë.
4.
Më doli para sysh daja im Zenel Kabashi kur lexoja artikullin e “N. Y. Times”.
Ai u arrestua si mësues 18-vjeçar në Jugosllavinë socialiste, si pjesëtar i opozitës së atëhershme e klandestine (NDSH). Pas mbajtjes së burgut skeda e tij prej opozitari e ish-të burgosuri nuk i lejonte të studionte çka do të donte e as të punonte ku të mundte. Me mund e sakrificë personale arriti edhe të studionte e të punonte, e në kohën kur Kosova u bë me pushtet të vetin, pas rënies së Rankoviqit, edhe të ecte në karrierë. Në kulm të saj u bë drejtor i ndërmarrjes së turizmit në Prizren, pronë e së cilës ishte hoteli “Theranda”. E, gjatë tërë jetës së pasburgut, kur kishte ndonjë vizitë zyrtarësh të lartë në Kosovë (mareshali Tito apo ndonjë burrë shteti nga jashtë), policia shkonte për ta marrë dajën tim Zenel e për ta dërguar në izolim (siç quhej burgosja pa akt-dënim). Në fillim e fusnin në burg për aq sa ishin masat (48-72 orë) e herën e fundit që e futën në izolim, si kombinim respekti e megjithatë mbajtjes së procedurave, qe në një dhomë në “Therandë”. Para dhomës rrinte roja e policisë, me turne.
Sistemi asokohe kishte një “algoritëm” të thjeshtë. Të gjithë ata që kishin qenë kundërshtarë të sistemit do të ishin të atillë apo mund të ishin të atillë derisa të jenë gjallë.
Tash Kina e ka ngritur në një nivel më të lartë: të gjithë të gjallët janë kundërshtarë potencialë të sistemit, brenda dhe jashtë Kinës. Algoritmi vetëm duhet ta konfirmojë këtë.