Sociologu Jürgen Habermas, dhe intelektualë të tjerë gjermanë po i bëjnë indirekt apel Ukrainës të dorëzohet për ta qetësuar Vlladimir Putinin. E pabesueshme, por e vërtetë
Jürgen Habermas është një burrë plak. 92-vjeçar. Jürgen Habermas, sociolog e filozof, konsiderohet si njëri nga mendimtarët më të rëndësishëm të botës, gjithsesi ai është opinionisti më me ndikim në Gjermani. Ndonëse në moshë të shtyrë, Jürgen Habermas ka vendosur të shkruajë – për Ukrainën. Në një tekst të gjatë, i cili zë dy faqe të gazetës “Süddeutsche Zeitung”, Habermas i del në mbrojtje kancelarit Olaf Scholz, të kritikuar nga opozita konservatore dhe disa parti partnere të qeverisë së tij se në raport me Ukrainën po mban qëndrim të ngurtë, duke mos u solidarizuar sa duhet.
Në rastin konkret solidarizim domethënë: furnizim i Ukrainës me armë të rënda. Vetëm pas presionit të madh Scholz ka pranuar të furnizojë Ukrainën me tanke, por nuk dihet ende se si do të sigurohet municioni kundërajror. Municioni prodhohet në Zvicër, e cila duke iu referuar neutralitetit ia ka ndaluar Gjermanisë që municionin t’ia dorëzojë Ukrainës.
Në tekstin e tij të gjatë dhe të ndërtuar me fjali aq të gjata e të komplikuara, të cilat me gjasë mund të formulohen vetëm në gjermanisht, Habermas krahas avokatisë që ia bën kancelarit Scholz, kritikon politikanët e gjelbër, të cilët filozofit i shkojnë në nerva, sepse nuk i përngjajnë më aktivistëve të rinj të viteve ‘70 apo ‘80 që me flamuj lara-lara dhe me kitarë në krah marshonin rrugëve të qyteteve gjermane duke mallkuar NATO-n e Amerikën dhe duke brohoritur “për paqe”. Habermas ofendon të rinjtë që nuk mendojnë si ai, 92-vjeçari.
Edhe më irrituese është mënyra se si majtisti i moçëm Habermas e përshkruan Vlladimir Putinin. Njëherë e quan “pushtetar që kalkulon në mënyrë racionale”, pastaj e titullon si “të paparashikueshëm”. Pothuaj neveritëse është gjuha denoncuese e Habermasit kundër udhëheqjes ukrainase: Vollodimir Zelenski në sytë e Habermasit po bën një “inskenim të suksesshëm”, fjalimin e Zelenskit para deputetëve gjermanë filozofi i famshëm e quan “një qortim moral” dhe në furinë e tij arrin tek akuza se Kievi po kryen “shantazh moral” ndaj Gjermanisë. Në një koment kritik gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pyeti: “Duhet ta kemi parasysh këtë: një vend i sulmuar, me pavarësi të kërcënuar dhe i shkatërruar nga mizoritë e luftës po e shantazhon fuqinë e katërt ekonomike në botë (Gjermaninë)?”
Gabimet Habermas nuk i sheh as te socialdemokratët gjermanë, të cilët gëzojnë simpatinë e tij, as te kristiandemokratët e Angela Merkelit, të cilët kanë qeverisur mes viteve 2005 dhe 2021. Rrjedhimisht, në tekstin e tij Habermas nuk e përmend gazsjellësin “Nord-Stream 2”, i cili do të sillte gaz rus në Gjermani duke anashkaluar vendet e Europës Lindore dhe injoruar shqetësimet e tyre se Rusia gazin e përdor si instrument për disiplinim politik të shteteve të tjera.
Ka edhe çudira të tjera në esenë e Habermasit. Në versionin e parë teksti fillon kështu: “Pas 77 vjetësh pa luftë...”. Lexuesi i rëndomtë mund të pyes se ku ka qenë Jürgen Habermasi kur Serbia e Sllobodan Millosheviqit ndezi katër luftëra: kundër sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve të Kosovës. Vetë Habermas ka shkruar më 1999 mbi intervenimin e NATO-s kundër Serbisë – një tekst plot e përplot fjali që bartin dilema e mëdyshje, por edhe krahasime absurde si ky: “Nacionalizimi shqiptaromadh, i cili me shkëputjen e Kosovës do të merrte krah, nuk është asnjë grimë më i mirë se nacionalizimi serbomadh, të cilin synon ta ndalë intervenimi (i NATO-s)”.
Jürgen Habermas nuk është i vetmi që në debatin mbi Ukrainën lë pas një debakël moral. Ikona e lëvizjes feministe gjermane Alice Schwarzer dhe rreth 30 figura të tjera prominente të jetës publike gjermane i janë drejtuar kancelarit Scholz me “një letër të hapur”. Në letër ata thonë se kanë frikë “nga Lufta e Tretë Botërore”, kërkojnë që Ukrainës të mos i jepen armë të rënda, pastaj kërkojnë “një kompromis që të dyja palët mund ta pranojnë” (me fjalë të tjera: Ukraina duhet të dorëzohet që Putini të qetësohet). Sipas nënshkruesve (mes tyre shkrimtari i njohur Martin Walser, publicisti Alexander Kluge, filozofi i drejtësisë, Reinhard Merkel) përgjegjësinë për një luftë eventuale me armë bërthamore nuk e bart vetëm “agresori zanafillor” (Rusia), por edhe “ata që syhapur i ofrojnë atij një motiv për një veprim potencialisht kriminal”. Kjo është njëra ndër fjalitë më të poshtra të shkruara mbi konfliktin në Ukrainë.