OpEd

Dy orë teatër me aktorin Aleksandër Vuçiq

Kur presidenti serb jep një intervistë dhe flet për shpezët politike dhe qoftet nga mishi i njeriut.

Aleksandër Vuçiq sërish ishte mysafir në emisionin “Çirilica” të televizionit “Happy TV”. Foli rreth dy orë. Gazetari Millomir Mariq nuk shtroi pyetje. Ai që nga koha e komunizmit jugosllav shquhet për “talentin” e tij që politikanëve t’ua shtrojë qilimin e kuq në mënyrë që ata të recitojnë vjershat e tyre propagandistike. Në fillim të viteve 80-të Mariq pati intervistuar Franjo Tugjmanin, që atëbotë konsiderohej disident. Në vitet 90-të Mariq ishte kryeredaktor i revistës “Duga”, ku botonte kolumne gruaja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq. Nga mesi i viteve 90-të në rrethana të pasqaruara vdiq gazetarja e “Dugës”, Dada Vujasinoviq. Vdekja e saj mbetet një enigmë e madhe në historinë më të re të Serbisë. Vujasinoviq kishte intervistuar Radovan Karaxhiqin, Vojisllav Sheshelin dhe Millan Babiqin, një stomatolog që u bë lider i serbëve të Kroacisë, të cilët synonin ta grabisnin së paku gjysmën e Kroacisë dhe ta bashkojnë me Serbinë e Madhe. Ka disa vite që Mariq e ka gjetur idhullin e ri: ai është Aleksandër Vuçiqi.

Sa herë që Vuçiq ka nevojë të vajtojë e të luajë lojëra teatrale publike, shfaqet te “Çirilica” e “Happy TV”. Mariqi është përherë gati. Kështu ishte edhe të hënën në mbrëmje. Skenari është përherë pothuaj i njëjtë: Serbia, sipas Vuçiqit, është nën presion të madh për shkak të Kosovës, Serbia është në rrezik, Serbia është e para në rajon, e para në Europë, e para në glob, e para në univers, por, për fat të keq, shumë shtete perëndimore janë xheloze ndaj sukseseve të Serbisë, andaj s’duan ta lënë rehat dhe i bëjnë presion, por, vazhdon Vuçiq, s’ka vend për panik, rrini të qetë serbë (dhe serbe!), sepse Vuçiq s’dorëzohet. Kështu fillon dhe mbaron monologu i Vuçiqit, i ndërprerë me fjalë të buta e të kujdesshme nga Mariqi, i cili afërsinë me presidentin nuk e fsheh fare dhe kjo vërehet kur i drejtohet me “ti”. Pse Perëndimi të jetë xheloz ndaj sukseseve të Serbisë? Një studim i vitit 2018 ka treguar se 1,2 milionë qytetarë të Serbisë mendojnë të largohen nga vendi. Në vitin 2020 një studim i një fondacioni gjerman tregoi se 66 për qind e të rinjve në Serbi synojnë të largohen nga vendi. Kur pyeten mbi motivin, ata thonë: shteti funksional dhe standardi jetësor.

Mënyra se si Vuçiq flet për opinionin është një ritual mazohist. Opozita? Të gjithë vjedhës. Kritikët? Të gjithë shërbëtorë të “forcave të huaja”. Mediat? Të gjitha nën kontrollin e Dragan Gjillasit, njërit prej liderëve të opozitës. Kosova? Shumica e politikanëve të Kosovës, sipas Vuçiqit, janë “skifterë të Shqipërisë së Madhe”. Nga kjo deklaratë gjëmon frustrimi i Vuçiqit për dështimin e planit për ndarjen e Kosovës si hap i radhës për krijimin e Serbisë së Madhe. Ai nuk ka asnjë problem që një copë e Kosovës t’i bashkohet Shqipërisë, për këtë ka punuar në mënyrë intensive, ka kërkuar partnerë kudo ndër shqiptarë.

Kur flet për Kosovën Vuçiq bëhet sikur edhe pas martesave të politikanëve kosovarë qëndron diçka e madhe, diçka konspirative, një komplot i madh botëror. Albin Kurti: njeri i Perëndimit, sepse qenka i martuar me norvegjeze. Vjosa Osmani: nxënëse e Amerikës se ka studiuar në Amerikë. Donika Gërvalla: njeri i gjermanëve, sepse qenka e martuar me një gjerman, politikan të CDU-së. Veton Surroi: koka e ekipit negociator.

Të renditura kështu, këto deklarata i shërbejnë Vuçiqit për konsum të brendshëm. Vuçiqi, luani i vetëshpallur i politikës serbe, kundër mbarë botës, pra botës perëndimore, e cila qenkësh përbetuar të dobësojë Serbinë – bashkë me shqiptarët. Në këtë botë, sipas Vuçiqit, nuk ekzistojnë kurrfarë parimesh. E thotë këtë kryetari i një shteti që ka kryer agresion kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. E thotë këtë politikani që në fillim të viteve 90-të ishte adhurues i huliganëve të futbollit, reporter i një radioje ultranacionaliste serbe në Pale afër Sarajevës dhe vizitor i rrethuesve serbë mbi kodrat e Sarajevës. E thotë këtë presidenti i një shteti që nuk e pranon gjenocidin e forcave serbe në Srebrenicë, i mohon krimet serbe në Kosovë, nuk pranon të kërkojë falje për këto krime dhe krenohet se nuk ka ekstraduar askënd në Hagë. Çfarë krenarie!

Gjatë intervistës Vuçiq për një çast i kthehet botës së errët të krimit, prej nga e ka edhe prejardhjen e tij politike. Muajve të fundit ai është kritikuar për lidhje me grupe të krimit të organizuar. E ka demantuar këtë, nejse, e pritshme kjo, sepse aq budalla nuk është për të pranuar se njerëz nga rrethi i tij (dhe me gjasë ai vetë) ndihen rehat në shoqëri me grupe kriminale. Për të demantuar akuzat ai në disa paraqitje publike ka premtuar se do t’i shkatërrojë grupet kriminale, të cilat, sipas tij, kanë vrarë njerëz dhe prej mishit të tyre kanë përgatitur qofte dhe i kanë pjekur në skarë. Mirë se vini në Serbinë e vitit 2021, Serbinë e cila negocion me BE-në për anëtarësim.

Çka harron Vuçiq të thotë, e vazhdojnë gazetat e tij. Ato gazeta që s’janë gazeta, por banda të organizuara për fushata njollosëse. Por edhe nëse ka harruar diçka, ai kthehet në studio shpejt. Aty e pret Millomir Mariqi.