Frika e Dodikut nga Tajvani, Putinit nga HIMARS-i Ukrainas dhe Vuçiqit nga reciprociteti i Kosovës janë pjesëza të ndara të betejës globale në mes demokracisë dhe autokracisë
Një aeroplan u bë gjëja më e diskutueshme këtë javë në botë. “SPAR 19” ishte emri identifikues i aeroplanit të forcave ajrore të SHBA-së, me të cilin Kryetarja e Kongresit Amerikan, znj. Nancy Pelosi, udhëtoi drejt kryeqytetit të Tajvanit. Udhëtimi i znj. Pelosi u zhvillua në sfondin e tensioneve të ngritura në mes SHBA-së dhe Kinës, pasi që kjo e fundit e konsideronte vizitën cenim të sovranitetit dhe integritetit të saj. Në këtë sfond, lideri Kinez z. Xi Jinping paralajmëroi Presidentin Biden se “kush luan me zjarrin digjet”. Prandaj ishte e kuptueshme vëmendja e jashtëzakonshme e publikut për udhëtimin e znj. Pelosi. Monitorimi live i fluturimit të znj. Pelosi theu rekordet historike pasi që tre milionë njerëz ishin kyçur në aplikacionin “Flightradar24” për ta vëzhguar ecurinë e fluturimit “SPAR 19” nën pritjet e ndonjë zhvillimi dramatik. Aeroplani ateroi në Taipei mbi kokat e qindra qytetarëve, të cilët ishin mbledhur për t’i uruar mirëseardhje znj. Pelosi. Ky ishte pikërisht edhe ankthi i Pekinit zyrtar: përderisa Kina shihet si armik i ishullit, vizita e SHBA-së mirëpritet me festë.
Pekini konsideron se Tajvani është pjesë e Kinës, e cila vetëm përkohësisht është jashtë sovranitetit të saj. Nga ana tjetër Tajvani synon pavarësinë e plotë dhe ka të gjitha tiparet e një shteti të pavarur: ka kushtetutën, zgjedhjet demokratike, qeverinë, ushtrinë, etj. Kësaj situate të komplikuar, SHBA-ja i janë përgjigjur me një akt unikal balancimi. Qëndrimi i SHBA-së karshi Tajvanit karakterizohet me “paqartësi strategjike”. Përderisa SHBA-ja njohin se ekziston vetëm një Kinë, ata nuk njohin as sovranitetin e Kinës mbi Tajvanin, as pavarësinë e Tajvanit nga Kina. Sidoqoftë, ky fakt nuk ka parandaluar Washingtonin që të ofrojë mbështetje ushtarake për Tajvanin, mbështetje e cila ka shtyrë Presidentin Biden, të garantojë se në rast të një sulmi të Kinës mbi Tajvanin, SHBA-ja do të angazhohej ushtarakisht në anën e Tajvanit. Qëndrimi sikur ky, mban Kinën në ankth të përhershëm për fatin e Tajvanit për të cilin ajo vazhdon të besojë se një ditë do të jetë pjesë e Kinës. Prandaj, çdo lëvizje në Tajvan vështrohet nga optika e fatit politik të ishullit. Rrjedhimisht, vizita e znj. Pelosi – vizita më e lartë politike amerikane në 25 vjetët e fundit – është parë si cenim i sovranitetit të Kinës, pasi që ajo perceptohet si vizitë në një shtet të ndarë dhe të pavarur prej Kinës. Prandaj, Kina ngriti aeroplanët luftarak në ajër dhe nxori tanket në plazh – por asgjë nuk funksionoi. Vizita u realizua.
***
Edhe nëse nuk e keni përcjellë luftën në Ukrainë gjasat janë se deri tani keni dëgjuar për fjalën: “HIMARS”. “HIMARS” janë bërë sinonim për fitoren e Ukrainës kundër Rusisë. “HIMARS” është sistem modern mobil raketor i aftë për të shkatërruar caqe armiqësore me përpikëri të jashtëzakonshme. Me zgjatjen e agresionit Rus në Ukrainë është arritur pika kritike, deri në të cilën Ukraina ka mundur t’i bëjë rezistencë efektive agresorit Rus përmes armëve të saja konvencionale. Zgjatja e mëtejshme e luftës dhe përshkallëzimi i agresionit Rus ka imponuar nevojën për pajisjen e ushtrisë ukrainase me sisteme më të avancuara luftarake. Kjo ishte edhe arsyeja përse presidenti Zelensky ka bërë thirrje për pajisje të Ukrainës me “HIMARS”. Deri më sot Ukraina është pajisur me 12 sisteme të këtilla, ndërsa 4 të tjerë do të arrijnë në Ukrainë së shpejti. Deri më sot ato i kanë shkaktuar dëme të mëdha Rusisë, gjë që ka shtyrë sekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, z. Lloyd Austin, të konkludojë se “HIMARS” “janë duke bërë ndryshimin në fushëbetejë”. Hyrja e “HIMARS” në luftë dhe humbjet intensive Ruse kanë shtyrë Rusinë ta akuzojë për herë të parë zyrtarisht SHBA-së, për përfshirje të drejtpërdrejtë në luftë.
***
Kosova vendosi të zbatojë masa reciprociteti ndaj Serbisë sa i përket letërnjoftimeve, si dhe zëvendësimin e targave ilegale të veturave me targat zyrtare të Kosovës. Ky vendim u mbështet plotësisht nga aleatë kyçë ndërkombëtarë të Kosovës. Serbia si zakonisht reagoi me sirena kundërajrore, me vendosjen e barrikadave dhe me të shtëna armesh. Për hir të menaxhimit sa më të përgjegjshëm të gjithë situatës, Qeveria e Kosovës dëgjoi këshilla ndërkombëtare dhe spostoi zbatimin e vendimit për një muaj. Gjithë kësaj situate Grenell, i dekoruar me Medalje të Meritave në Kosovë, i kthej Kosovës meritat, që i takojnë duke e shpallur kryeministrin e Kosovës “fashist”. Nga ana tjetër, në këtë shpërthim të ndjenjave ekstreme, Edi Rama, tha se Kosova ka dy rrugë: o luftë, o Ballkani i Hapur. Se ç’punë kishte Ballkani i Hapur me sirena kundërajrore të Serbisë, mbeti enigmë për qytetarët e Kosovës, por jo edhe për politikanët Serbë. Ata e kuptuan saktë për çfarë e kishte fjalën Rama. Prandaj këtë deklaratë të Ramës, e mirëpriti deputeti i partisë së Vuçiqit, që kishte bërë thirrje për denazifikim të Ballkanit duke e cilësuar si “deklaratë shumë korrekte”. Në gjithë këtë sfond, dhe pas uljes së tensioneve në veri dhe kthimin në normalitet, kryeministrit Kurti nuk i mbetet gjë tjetër pos t’i kujtojë fjalët e Roosveltit: “Miqtë e mi, më gjykoni mbi armiqtë që kam krijuar”.
***
Edhe pse në sipërfaqe mund të mos duken të ndërlidhura, por këto tri momentume të ditëve të fundit janë pjesë e një beteje globale në mes forcave progresive dhe atyre autokratike në botë. Vizita e znj. Pelosi në Tajvan është lëvizje e rëndësishme politike në mbrojtje të demokracisë së Tajvanit përball autokracisë Kineze. Por jo vetëm kaq, ajo është mesazh për të gjitha autokracitë të tjera në botë. Prandaj, znj. Pelosi tha: “Kjo vizitë ndodhë në kohën, kur bota ballafaqohet me zgjidhjen në mes demokracisë dhe autokracisë... Është qenësore që Amerika dhe aleatët e saj ta bëjnë të qartë se ne asnjëherë nuk do të dorëzohemi para autokratëve”. Kjo është edhe arsyeja përse në anën tjetër të botës, në Republika Srpska, Dodiku u ndie i kërcënuar nga vizita e znj. Pelosi dhe reagoi për ta përkrahur Kinën kundër “provokimeve” amerikane. Kjo është edhe arsyeja përse Putini reagoi kundër furnizimit të Ukrainës me “HIMARS” dhe kjo është arsyeja përse Vuçiqi dhe Grenelli reaguan kundër zbatimit të masave të Kosovës për reciprocitetin. Prandaj, vizita e znj. Pelosi në Tajvan, furnzimi i Ukrainës me “HIMARS” dhe zbatimi i masave të reciprocitetit ndaj Serbisë janë fronte të ndara betejash në një luftë globale në mes demokracisë dhe autokracisë.