Para 30 vitesh Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë dhe Jugosllavia u përfshi nga flakët e luftës si pasojë e agresionit serb. Mijëra rekrutë shqiptarë që shërbenin në armatën jugosllave mbetën të shpërndarë nga Sllovenia në Maqedoni. Në Kosovë nisi ndërtimi i një shteti që atëherë ishte më shumë virtual. Ky shtet u bë realitet. Por në 30 vjetorin e këtyre ngjarjeve dramatike në Kosovë mbretëron heshtje: s’ka asnjë libër (as të mirë, as të keq), asnjë emision dokumentar në televizionet e shumta, asnjë debat serioz, asnjë punim nga institucionet e dijes, asnjë konferencë shkencore të universiteteve të shumta, asnjë ese nga historianët. Arsyet duhet kërkuar në degradimin e përgjithshëm të diskursit publik dhe në dembelinë institucionale.
Para 30 vitesh, më 25 qershor 1991, Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë dhe kësisoj i dhanë fundin tashmë të filluar Jugosllavisë socialiste dhe federative, e cila gjithnjë e më shumë po dominohej nga hegjemonizmi serb. Në Perëndim ka akoma “analistë” që besojnë se ky ishte shkaku i shpërbërjes së Jugosllavisë. Në të vërtetë, shpërbërja e Jugosllavisë kishte filluar kur Serbia i ra vulë ndryshimit arbitrar të Kushtetutës së Kosovës. Kjo ndodhi më 28 mars 1990, pra më shumë se një vit para se Kroacia e Sllovenia të shpallnin pavarësinë. Atë ditë komplet udhëheqja nacional-komuniste serbe po festonte në një banket në Qendrën Sava “bashkimin e Serbisë”.
Në leximin e nacionalistëve serbë tani Serbia ishte bërë e plotë prej tri pjesëve (“iz tri dela postala cela”). Në të vërtetë me suprimimin e autonomisë së Kosovës, Serbia shkeli Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, e cila i kishte siguruar Kosovës një autonomi relativisht të lartë.
Mund të përmenden edhe data apo stinë të tjera si pikë iniciale për shpërbërjen e Jugosllavisë. Pranvera e vitit 1981, për shembull, kur Jugosllavia, nën presionin e Serbisë, shtypi demonstratat në Kosovë. Ose 22 shtatori i vitit 1987, kur aparatçiku dhe bankieri Sllobodan Millosheviq mori drejtimin e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, duke larguar nga postet e rëndësishme ata politikanë të moderuar serbë që paralajmëronin hatanë. Ose 28 qershor 1989, dita kur Millosheviqi mbajti fjalimin e tij famëkeq në Gazimestan – dhe kur para tij qëndronin gatitu udhëheqësit jugosllavë.
Lideri i ri serb tha se nuk përjashtonte as luftërat nëse nuk plotësoheshin kërkesat serbe, ndërsa turma prej rreth 1 milionë serbë brohoriste si në trans. Kërkesat serbe ishin qartë të drejtuara kundër rendit kushtetues në Jugosllavi. Por kryetari i atëhershëm i Kryesisë së Jugosllavisë, slloveni Janez Dërnovshek, qëndroi si statujë para Millosheviqit në Gazimestan pa e çelur gojën dhe pa thënë ndonjë fjalë kritike. Duket se atëbotë gati të gjithë e kishin nënçmuar Millosheviqin. Ai shumë shpejt nisi realizimin e planeve të tij. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës dhe Vojvodinës dhe rrëzimit të udhëheqjes në Mal të Zi, nisën sulmet kundër Sllovenisë dhe Kroacisë dhe shërbimet sekrete serbe filluan armatosjen e “kryengritësve” serbë “në tokat serbe”, pra nga Kroacia në Bosnjë. Boshnjaku Raif Dizdareviq, paraardhës i Dërnovshekut në postin e kryetarit të Kryesisë së Jugosllavisë, u tregua oportunist dhe i paguximshëm përballë Millosheviqit dhe bandës së tij. Kroati Budimir Lonçar, ministri i fundit i Jashtëm i Jugosllavisë, në kohën kur Serbia kishte marrë hov për ta shkatërruan autonominë Kosovës, i tha gazetës franceze “Le Monde” se shqiptarët janë ardhacakë në Kosovë.
Në Kosovë serbët ngaherë ishin të armatosur. Aty ishte edhe ushtria e policia e dominuar nga serbët, madje në fund të viteve 80-të, në pritje të shpërthimit të luftës në Kosovë, ushtria e solli në Garnizonin e Prishtinës oficerin Ratko Mlladiq. Ai më parë kishte shërbyer në Maqedoni. Kur për dëshpërimin e nacionalistëve serbë, lufta në Kosovë nuk shpërtheu kur ata prisnin më së shumti (në fillim të viteve 90-të), Mlladiq u dërgua në Knin të Kroacisë për t’iu prirë serbëve të atjeshëm, që tashmë po mbanin nën kontroll rreth një të tretën e territorit kroat. Pas pak Mlladiq u dërgua në Bosnjë për të udhëhequr forcat serbe në shkatërrimin e kësaj republike shumëetnike.
Kështu nisi dekada më dramatike jugosllave e gjysmës së dytë të shekullit 20-të. Pas sulmit kundër Sllovenisë nga armata jugosllave dhe aksioneve të armatosura të “kryengritësve” serbë kundër autoriteteve kroate, mijëra rekrutë shqiptarë mbetën të shpërndarë nga Sllovenia në Maqedoni. Disa korruptuan oficerët serbë dhe shpëtuan kokën. Qindra të tjerë ikën nga kazermat dhe iu bashkuan forcave kroate apo boshnjake (myslimane). Shumë të tjerë ikën në Perëndim, prej nga një pjesë e tyre do të ktheheshin në fund të viteve 90-të për të përkrahur çlirimin e Kosovës. Vetëm për fatin e ushtarëve shqiptarë në armatën jugosllave do të mund të shkruhej një libër i rëndësishëm. Ata janë ende gjallë, madje ndonjërin prej tyre mund ta takosh rastësisht duke shpërndarë pica pranë Liqenit të Zürichut.
Në fillim të viteve 90-të në Kosovë nisi ndërtimi i një shteti që atëherë ishte më shumë virtual. Ky shtet u bë realitet. Por në 30 vjetorin e këtyre ngjarjeve dramatike në Kosovë mbretëron heshtje: s’ka asnjë libër (as të mirë, as të keq) për atë kohë, asnjë emision dokumentar në televizionet e shumta, asnjë debat serioz, asnjë punim nga institucionet e dijes, asnjë konferencë shkencore të universiteteve të shumta, asnjë ese nga historianët. Arsyet duhet kërkuar në degradimin e përgjithshëm të diskursit publik dhe në dembelinë institucionale. Duket se si dijetarëve ashtu edhe mediave u mjafton kjo gjendje e llafazanërisë pothuaj kolektive.