Ekziston rreziku që Kosovës të mos i hiqen vizat deri pas zgjedhjeve presidenciale në Francë më 2022. Nëse në ato zgjedhje fiton ultranacionalistja Marine Le Pen, situata do të ndryshojë edhe më shumë – për të keq. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit politikanët e Kosovës duhet të mbyllin qarkun e polarizimit ekstrem dhe të qeverisin si duhet me vendin për të përmirësuar për aq sa është e mundur pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Është e tmerrshme se si flasin njerëzit e afërt me Emmanuel Macronit për Kosovën. Kur e përmendim çështjen e vizave, të cilat ende nuk u hoqën për qytetarët e Kosovës, ndonëse Prishtina i ka plotësuar kushtet ngaherë, njerëz të Macronit thonë: ata nuk duan liri lëvizjeje, por duan të vijnë në Europën Perëndimore dhe të përfitojnë nga sistemi ynë social”. Politikania gjermane i thotë këto fjalë gjatë një bisede telefonike dhe me një kusht: “Gjithçka duhet të jetë anonime”.
Nuk është fshehtësi se Franca është duke e bllokuar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas një viti, në pranverë të 2022-tës, në Francë mbahen zgjedhjet presidenciale dhe presidenti Emmanuel Macron dëshiron të profilizohet si politikan që kundërshton emigracionin. Në këtë situatë gatishmëria e tij për të hequr bllokadën për liberalizimin e vizave duket e vogël. Së paku tani për tani.
Në tetor të vitit të kaluar ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, shpërndau në Twitter një artikull të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin ishin përdorur karikaturat e profetit Muhamed të revistës kontraverse “Charlie Hebdo”. Në Kosovë qarqet radikale islamike dhe badihavxhinjtë e mediave sociale humbën kontrollin, edhe Bashkësia Islame reagoi pa pikë nevoje. Në qarqet politike dhe diplomatike franceze këto reagime përforcuan imazhin e Kosovës si “shtet mysliman”. Fatkeqësisht politika shpesh funksionon sipas metodës së kallëpit: ndodh diçka e pakëndshme dhe një vend i tërë futet në një kallëp të caktuar. Pa marrë parasysh se çfarë mund të mendojmë mbi vlerën artistike të karikaturave të “Charlie Hebdo”, të cilat shpeshherë kanë për qëllim vetëm provokimin, megjithatë nuk është detyrë e imamëve të Kosovës të drejtojnë punët e lirisë së shprehjes në Francë. Ose edhe ndoshta do të ishte sikur të kishin thënë një fjalë të vetme kritike ndaj represionit brutal kundër opozitarëve në Turqi, në Arabinë Saudite dhe monarki të tjera të Gjirit Persik.
Në numrin e së martës gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” sjell hollësi nga një anketë mbi zgjedhjet presidenciale franceze. Sipas anketës politikania ultranacionaliste Marine Le Pen ka gjasa të mira të kualifikohet për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Kriza shëndetësore tregon se shumë francezë përqafojnë idetë e Le Pen për izolim, mbrojtje dhe kthim te kombi si mburojë. Instituti Opinionway ka hulumtuar në Francë, Gjermani, Itali dhe në Britaninë e Madhe se si pandemia ka ndikuar në opinionin publik. Për Francën rezultatet janë shqetësuese. 55 për qind e të anketuarve francezë kritikojnë mënyrën si funksionon demokracia në Francë. 65 për qind mendojnë se politikanët e vendit të tyre janë të korruptuar.
Shpresa se Macron do të arrijë të kthejë besimin e qytetarëve nuk është përmbushur. Protestat e lëvizjes “xhaketat e verdha” e kanë shpalosur krizën e demokracisë përfaqësuese. Thellimin e integrimeve europiane dhe hapjen e vendit ndaj botës e mbështet vetëm një pakicë franceze. 44 për qind kërkojnë mbrojtje më të madhe nga bota që e konsiderojnë të rrezikshme. 63 për qind e të anketuarve e shohin islamin si kërcënim për republikën franceze, pra ngjashëm si Marine Le Pen. Vrasja e mësuesit të historisë Samuel Pety vitin që shkoi ka shtuar ndjenjat negative ndaj myslimanëve. Pety u vra nga një islamist. Macron po përpiqet të marrë rolin e një presidenti që synon të vendosë rend dhe t’i shtyjë myslimanët të jenë pjesë e shoqërisë franceze. Parlamenti francez (asambleja nacionale) ka kaluar në lexim të parë ligjin mbi “forcimin e parimeve republikane”. Synim i ligjit është pengimi i “separatizmit islamist”.
Shumica e myslimanëve francezë janë me origjinë nga ish-kolonitë e Francës. Dhe shumica e tyre jetojnë të veçuar nga shoqëria franceze, në zona periferike (“banlieue”), në një botë paralele. Shumë fëmijë nga familjet e tyre nuk edukohen të respektojnë ligjin, por të urrejnë Francën. Arsimtarët ankohen se gjatë mësimit ngurrojnë t’i trajtojnë disa tema (Kurani, teoria e evolucionit, terrorizmi, hebrenjtë) për shkak të nxënësve agresivë me origjinë arabe. Lidhur me këtë problem ka shkruar një libër inspektori i përgjithshëm i ministrisë së Arsimit, Jean-Pierre Obins (“Comment on a laissé l'islamisme pénétrer l'école” ose: “Si lejuam që islamizmi të depërtojë në shkolla”).
Zgjedhjet presidenciale franceze të pranverës së vitit 2022 do të jenë vendimtare jo vetëm për Francën, por edhe për integrimet europiane. Nga polarizimi i shoqërisë franceze nuk po e pësojnë vetëm kosovarët. Edhe Shqipëria duhet të presë për të filluar negociatat për anëtarësim në BE për shkak të bllokadës franceze. Qëndrim bllokues Franca ka mbajtur edhe ndaj Maqedonisë së Veriut. Sapo e hoqi pengesën Parisi, dolën bullgarët dhe vendosën veto kundër Shkupit për shkak të historisë. Një fitore eventuale e Marine Le Pen në garën presidenciale do të bënte situatën edhe më të pafavorshme sa i përket integrimeve europiane të vendeve të Ballkanit. Pas zgjedhjeve të 14 shkurtit politikanët e Kosovës duhet të mbyllin qarkun e polarizimit ekstrem dhe të qeverisin si duhet me vendin për të përmirësuar për aq sa është e mundur pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.