OpEd

Kosova dhe cinizmi francez, në radhë të parë

Pse Emmanuel Macron po e bllokon liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës? Dhe pse Macron për shkak të problemeve të brendshme dhe kalkulimeve elektorale po i ndëshkon qytetarët e Kosovës?

Kosova ka mbetur shteti i vetëm këndej Rusisë që nuk gëzon liberalizim vizash në zonën e Schengenit. Pa viza udhëtojnë ukrainasit (edhe para luftës) dhe gjeorgjianët. Argumenti, për shembull, i Francës se në rast se liberalizohen vizat mund të ketë shumë kërkesa për azil nga Kosova - nuk qëndron. Së pari sepse liberalizimi nuk domethënë se qytetari i Kosovës fiton të drejtën për azil. Së dyti sepse Kosova obligohet t’i pranojë qytetarët e saj që pa arsye kërkojnë azil.

Gjendja ekonomike mund ta shtyjë ndokënd të emigrojë, por askush në Kosovë nuk është i shtypur politikisht. Sipas BE-së Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Pse bllokon Franca? Askush nuk e thotë hapur, por e vërteta është kjo: Franca me dekada ka dështuar në integrimin e komunitetit mysliman (kryesisht nga Afrika veriore), sulmet terroriste e kanë ashpërsuar klimën politike, presidenti Emmanuel Macron dëshiron të rizgjidhet president dhe prej vitesh ka kalkuluar: nëse liberalizohen vizat për një shtet me “shumicë myslimane” (si Kosova), atëherë e djathta ekstreme mund ta shfrytëzojë këtë në fushatën elektorale. Kjo është politikë cinike franceze. E Macronit! Cinike sepse qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë çmimin për problemet e Francës me myslimanët e saj, sidomos me ekstremistët.

Refuzimi i Francës (dhe disa shteteve të tjera) për të liberalizuar vizat për kosovarët është goditje e rëndë ndaj qindra-mijëra kosovarëve që në kuptimin kulturor, emocional, mental, ideor dhe të vlerave janë po aq europianë (në mos më shumë) se banorët e disa lagjeve franceze.

Brenda një muaji (si pasojë e agresionit rus ndaj Ukrainës) në zonën e Schengenit kanë arritur mbi 2 milionë refugjatë nga Ukraina dhe BE ende nuk ka pësuar kolaps dhe nuk do të pësojë as në të ardhmen. Athua sa qytetarë të Kosovës do të kërkonin azil po të hiqeshin vizat? Askush nuk e di. Ndoshta disa mijëra. A do të kolapsonte Europa Perëndimore? Jo. Siç nuk ka kolapsuar as pas heqjes së vizave për Rumaninë dhe Bullgarinë dhe shtetet e Ballkanit që po quhet perëndimor.

Por Macron i tutet Marine Le Penit, ekstremistes dhe racistes që me kredi nga bankat e Vladimir Putinit ka bërë politikë në Francë. Kur mentori i saj rus e sulmoi Ukrainën, Le Pen mbeti me gishta në gojë: për fushatë elektorale kishte shtypur fotografi nga takimi i saj me Putinin. Si t’i shpërndante tash në popull këto fotografi? I hodhi në kontejner. Por jo ideologjinë e saj. Ndërsa Macron është mirë të hedh poshtë paragjykimet e tij ndaj popujve të caktuar të Ballkanit.

Cinizmi francez (dhe deri së fundi edhe ai gjerman) qe vërejtur që në maj të vitit 2020, atëbotë gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) raportonte mbi një samit virtual të BE-së me vendet e Ballkanit dhe njoftonte se edhe kësaj radhe nuk u arrit përparim sa i përket heqjes se vizave ndaj shtetasve të Kosovës. Atëbotë në një postim në rrjetet sociale kisha shkruar si vijon: Komisioni i BE-së ka thënë: Kosova i ka plotësuar kushtet (për heqjen e vizave). Por, shkruan FAZ, Gjermania dhe Franca po bllokojnë liberalizimin e vizave. Në zyrën e kancelares Angela Merkel këshilltarët e saj thonë se liberalizimi është hap jopopullor – “një arsyetim që me gjasë nuk ka qenë vendimtar kur u liberalizuan vizat për shtetet e Kaukazit si Gjeorgjia, Moldavia apo Ukraina” (FAZ). Cinizëm nga Berlini dhe Parisi. Asgjë më shumë. Asgjë më pak. Prej kur në Moldavi sundon ligji më mirë se në Kosovë? Apo në Ukrainë? (Një vend në luftë). Më parë do t’i hiqen vizat banorëve të Sirisë, Nagorni Karabahut, Uzbekistanit dhe Mongolisë se sa Kosovës. Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë duhet të përgjigjen për qasjen pothuaj raciste të vendeve të tyre ndaj shtetasve të Kosovës para se të flasin për tema të tjera.

Asgjë nuk ka ndryshuar!