OpEd

Kriminelët nuk dënohen me defilime nëpër varreza

Krimet e luftës nuk parashkruhen. Andaj për Kosovën është më e rëndësishme që politikanët të punojnë në forcimin e mekanizmave juridikë për të ndjekur kriminelët e luftës dhe jo të bërtasin me ton populist se “do ta padisim Serbinë për gjenocid”. Për këtë duhet krijuar ekipe profesionistësh të shkathët dhe duhet angazhuar ekspertë ndërkombëtarë. Kjo punë s’bëhet për një ditë, sepse Kosova nuk është ende pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare. Rrjedhimisht, pushtetarët e rinj duhet të lënë fjalimet para varreve të viktimave dhe familjarëve të tyre dhe t’i rreken punës

Pushtetarët e rinj duhet të kuptojnë një gjë: sa më shumë që flasin fjalë të serta (“do ta padisim Serbinë për gjenocid”), aq më shumë do të ketë publiku të drejtë që nesër t’i ballafaqojë me këto përbetime. Është shumë e qartë që Kosova juridikisht nuk ka të drejtë tani për tani dhe me gjasë nuk do të ketë të drejtë edhe shumë vjet të dorëzojë padi kundër Serbisë për shkak se nuk është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. Andaj çdo politikan që shfaqet gjatë fundjavës nëpër memorialë dhe bën këso premtimesh fluturuese vepron në mënyrë të papërgjegjshme.

Kriteret për të dënuar një shtet për gjenocid janë ekstrem rigoroze. Në rastin e Bosnjë-Hercegovinës mezi është shpallur masakra e Srebrenicës si gjenocid. Nuk është shpallur gjenocid rrethimi trevjeçar i Sarajevës (mbi 11 mijë të vdekur, pra se në tërë Kosovën), as nuk është shpallur gjenocid terrori serb në shumë komuna të Bosnjës, për shembull në Prijedor (me 3000 viktima).

Cili mund të jetë përfitimi i Kosovës nëse një gjykatë ndërkombëtare nesër thotë: nuk ka pasur gjenocid në Kosovë, sepse atë e ka ndalur NATO-ja me ndërhyrjen e saj. Çka do të thonë politikanët e Kosovës atëherë? Se tash, pa kurrfarë analize të thellë juridike, është lehtë të flitet kuturu: do ta padisim Serbinë. Kështu krijohen pritje te publiku që nesër mund të kthehen si bumerang. Në rast se një gjykatë ndërkombëtare thotë se nuk ka pasur gjenocid në Kosovë, kjo pastaj mund të shfrytëzohet nga pala serbe për propagandë.

Andaj e udhës do të ishte që pushtetarët të mos flasin me lehtësi për gjëra aq serioze, siç mund të jetë një padi eventuale për gjenocid kundër Serbisë. Kjo çështje nuk është për t’u përmendur në çdo paraqitje publike, në çdo përvjetor masakre, në çdo rast. Sepse kërcënimi inflacionar pa punë sistematike mund të jetë vetëm gjuajtje me barut të lagur.

20 vjetët e kaluar kanë treguar se institucionet e Kosovës kanë kryer punë kryesisht diletante sa i përket dokumentimit të krimeve të luftës. Kuptohet që kufizimet nga bashkësia ndërkombëtare që drejtësia kosovare të ndjekë kriminelët serbë të luftës kanë qenë të mëdha, por në dokumentim të krimeve s’ka pasur pengesa. Viktimat i ka numëruar Fondi për të Drejtën Humanitare i Natasha Kandiqit. Ekspozitën mbi fëmijët e vrarë në luftë e ka organizuar po ky fond. Pala kosovare, ndërkaq, është mjaftuar me ndërtim bustesh e përmendoresh kryesisht pa shije dhe me fjalime patetike.

Krimet e luftës nuk parashkruhen. Andaj për Kosovën është më e rëndësishme që politikanët të punojnë në forcimin e mekanizmave juridikë për të ndjekur kriminelët e luftës. Për këtë duhet krijuar ekipe profesionistësh të shkathët dhe duhet angazhuar ekspertë ndërkombëtarë. Kjo punë s’bëhet për një ditë. Rrjedhimisht, pushtetarët e rinj duhet të lënë fjalimet para varreve të viktimave dhe familjarëve të tyre dhe t’i rreken punës. Bën që një ditë të mos dalin në media, bën edhe dy ditë të heshtin dhe të punojnë diçka. Sepse e kemi parë edhe në vende të tjera të rajonit që prania e përhershme e politikanëve në media i shërben vetëm propagandës.

Edhe në paraqitjet në arenën ndërkombëtare pushtetarët e rinj duhet të kenë qasje profesionale dhe mundësisht të mos e përziejnë politikën dhe betejat lokale me interesat strategjike të Kosovës. A ka korrupsion në Kosovë? Po. A ka krim të organizuar? Po. A e pengojnë zhvillimin e Kosovës këto fenomene? Po. Por Kosova nuk është më shumë e korruptuar apo kriminalizuar se shtete të rajonit. A ka lexuar kush për kufomën e atij avokati të cilin e bartte lumi Sava në Beograd? Tipi ka qenë këshilltar i dy presidentëve të Serbisë.

Shumë mirë që elektorati kosovar bëri një ndryshim të madh politik, një ndryshim që s’po arrijnë ta bëjnë vende të tjera të rajonit. Por edhe me krekosjen për ndryshim nuk duhet tepruar, sepse tani fillon periudha e dëshmisë. Siç thuhet në jetën e përditshme: s’ka dashuri, ka vetëm dëshmi të dashurisë. Edhe në rastin e Kosovës vlen: premtimet mbesin boshe për aq sa nuk shihen rezultatet. E rezultatet nuk shihen nëse politikanët merren me simbolikë dhe jo me politikë.

Një problem tjetër që pushteti i ri nga qeveria në presidencë nuk e ka kuptuar ende është se krahasimet historike janë shpeshherë të paqëndrueshme. Nuk mund të thuhet filan maskara serbe është Holokausti i Kosovës. Holokausti është kategori e pakrahasueshme e krimeve naziste. Nëse në një fshat kosovar janë vrarë mbi 50 civilë, ky është krim i rëndë i luftës dhe kriminelët serbë duhet të nxirren para drejtësisë, por 50 viktima nuk krahasohen me 6 milionë hebrenj të vrarë me plan industrial. Dhimbja për çdo viktimë e madhe, përbuzja ndaj çdo krimineli që ka kryer krimin – e pakufishme. Por detyrë e politikës është të kryejë punët e saj dhe të mundësojë që drejtësia të jetë e pavarur dhe e lirë.